Emërues i përbashkët i të gjitha tentativave fraksioniste brenda partive politike shqiptare në Mal të Zi është ai se fraksionet nuk e arrijnë pjekurinë e tyre. Ato në pamundësi që ta krijojnë hapësirën e duhur manovruese brenda partisë që i takojnë, së paku deri tash e kanë zgjedhur rrugën e rezistencës më të vogël, që nënkupton formimin e grupeve të pakënaqura me politikën e partisë të cilat rrugëdaljen e vetme e shohin në diferencimin nga partitë ekzistuese dhe formimin e partive të reja si subjekte të mëvetësishme
Qani Osmani
Fraksionet janë rezultat i veprimit praktik të partive politike dhe pasojë e interesave të caktuara të individëve dhe grupazheve që formohen rreth tyre. Që në fillim duhet të përmendet se është tepër vështirë që me përpikëri të zbulohen shkaqet, motivet dhe faktorët që ndikojnë në paraqitjen e fraksioneve brenda një partie politike. Shpeshherë bartësit e tendencave fraksioniste qëllimet e vërteta (që mund të jenë edhe të karakterit personal), i fshehin me mjeshtri nga shkaku se ashtu më lehtë mund të gjejnë mbështetje të fuqishme nga bashkëmendimtarët e tjerë partiakë.
Termi “fraksion” e ka prejardhjen nga fjala latine “frangere” që do të thotë copëtoj. Në kontekstin e partive politike duhet kuptuar “grup të anëtarëve të ndonjë partie politike që ndahet nga ajo (ose është ndarë) për shkak të dallimeve në qëndrime, por të mos ketë formuar parti të veçantë politike”. Duke u bazuar në përkufizimet e shumë sociologëve, me termin fraksion nënkuptojmë edhe “grupe të strukturuara të anëtarëve të partisë, të cilët tentojn të udhëheqin me partinë”.
Nga vetë përkufizimi i fraksioneve partiake mund të nënvizojmë se bëhet fjalë për grupe që veprojnë brenda partive politike. Ato veprojnë si të tilla me vetëdije. Thuajse nuk ekziston në botë parti politike, ku nuk veprojnë fraksionet në mënyrë të hapur ose të mbyllur, të lejuar ose të ndaluar, ose së paku ku nuk vërehen tendenca të cilat çojnë drejt fraksionizmit. Hulumtuesit e partive politike fraksionet i kanë emëruar me emra të ndryshëm, por çdoherë bëhet fjalë për të njëjtën dukuri. Kështu autorët italianë flasin për rryma (correnti), ata gjermanë për tendenca (Richtung ose Fligel), ndërsa autorët amerikanë për fraksione (fractions).
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “786” të revistës Koha Javore
