Parlamentarizmi dhe shqiptarët në Mal të Zi

Periudha tridhjetëvjeçare në lidhje me skenën politike në Mal të Zi (1990-2020), përkatësisht parlamentarizmi, është e mjaftueshme për analiza e përfundime për zgjedhjet parlamentare, pjesëmarrjen e partive politike, pozitën, opozitën e sidomos partitë politike të pjesëtarëve të popujve pakicë. Janë pikërisht këto parti të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në demokratizimin e skenës politike në këtë mjedis multinacional e multikulturor. Në veçanti do të trajtohen modelet e sistemeve zgjedhore të cilat janë miratuar sipas shijës së shumicës parlamentare, duke mos përfillur vërejtjet dhe propozimet nga partitë politike të popujve pakicë. Dhe një qendrim i tillë dëshmon se kemi të bëjmë me një mjedis të pakonsoliduar, çështje e cila mbetet gjithnjë e hapur për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Në këtë aspekt do të trajtohet pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën parlamentare në Mal të Zi sipas pesë modeleve zgjedhore, përkatësisht sfidat e tyre në skenën politike në favor të barazisë qytetare e nacionale në këtë mjedis multinacional, sipas standardeve ndërkombëtare .Po ashtu jepen edhe propozime për modelin zgjedhor që do të ishte më i përshtatshëm dhe i pranueshëm për shqiptarët, përkatësisht përfaqësimin e tyre autentik në Mal të Zi

Nail Draga

Nga monizmi në pluralizëm
Për ta patur të qartë, këtë periudhë tridhjetëvjeçare e kemi ndarë në tre faza të cilat kanë veçoritë e veta, në saje të ngjarjeve politike të cilat kanë qenë me ndikim në Mal të Zi. Kemi të bëjmë me kohën e shkatërrimit të shtetit të ish-Jugosllavisë, formimin e bashkësisë së re shtetërore RFJ e përbërë nga Serbia e Mali i Zi, dhe së fundmi me pavarësinë e Malit të Zi, në saje të refrendumit të mbajtur me 21 maj 2006. Nga ajo kohë e deri më tash proceset politike në Mal të Zi dëshmojnë se kemi të bëjmë me një mjedis të pakonsoliduar, sepse qytetarët të cilët ishin kundër pavarësisë se Malit të Zi, vazhdojnë me qasjen e tyre, që është dëshmuar në mënyrë praktike disa herë deri më tash, dhe së fundmni në zgjedhjet parlamentare (30.8.2020).

1.Faza e parë (1990-1997)
Kjo fazë ka të bëjë me kohën postmoniste e cila në saje të papërvojës në shumë aspekte, i ngjasonte kohës së monizmit. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, sepse në pushtet e qeverisje ishin ata që ishin më parë, ndonëse deklaroheshin të moderuar të paktën në retorikën e përdorur, duke mos reflektuar se kemi të bëjmë ne demokracinë pluraliste.
Në këtë kohë kishim në praktikë dukuritë paradoksale, sepse të gjithë ata të cilët deklaroheshin së janë për pavarësinë e Malit të Zi,cilësoheshin si armiq (!) ku bënin pjesë pjesëtarët e popujve pakicë (pakicat kombëtare), kryesisht shqiptarët e boshnjakët, e nga ata malazias ishin anëtarët e Partisë Liberale të Malit të Zi (LSCG). Një qendrim i tillë nga ana e pushtetit ishte dëshmi se ata ishin në mbeshtetje të politikës serbomadhe, ku bënte pjesë partia e PDS-së, si dhe të gjitha partitë e tjera serbe e proserbe në Mal të Zi.
Në këtë kohë me shpalljen e pavarësisë së Sllovenisë e Kroacisë me 25.6.1991, përfundoi së ekzistuari shteti i Jugosllavisë së atëhershme .Deri në prill të vitit 1992 edhe dy republikat e tjera Bosna e Hercegovina dhe Maqedonia, kanë miratuar Deklaratën për pavarësi, duke lënë në Dederatë vetëm Serbinë dhe Malin e Zi. Në lidhje me këtë çështje në Mal të Zi është mbajtur Referendumi me 1 mars 1992, për të përfillur disponimin e qytetarëve se a janë së bashku me Serbinë për të formuar shtetin me emrin Republika Federative e Jugosllavisë. Dhe pas një referendumi të tillë i cili ishte për një shtet të përbashkët me Serbinë, më 27 prill 1992 formuan Republikën Federative të Jugosllavisë (RFJ). Në këtë krijesë shtetërore ishin edhe Vojvodina dhe Kosova, me status pothuaj kolonial, në saje të suprimimit të autonomisë në vitin 1989.
Në aspektin politik partia kryesore (PDS) deri në vitin 1997 ishte unike, në të njëjtin kurs politik sikurse partia e Sllobodan Millosheviqit në Serbi. Por, në këtë vit ndodhi distancimi nga politika e tillë nga ana e Millo Gjukanoviqit, që ndikoi në ndarjën e kësaj partie në dy pjesë, atë promalazeze (PDS) të disatncuar nga politika serbe në Beograd, dhe partia tjetër (PPS) që ishte mbeshtetëse e politikës serbe në Beograd. Një ndarje e tillë ishte në favor të rrjedhave dhe të skenës politike në Mal të Zi, duke eliminuar monopolin e një partie politike, sikurse në monizëm. Kjo periudhë kohore veçohej me krizë ekonomike dhe inflacionin e panjohur deri më tash në përmasa botërore. Nga një situatë e tillë dhe rrethanave shoqërore dhe mbeshtetjes ushtarake të politikës serbe nga ana e pushtetit të Malit të Zi, një numër i konsideruar i shqiptarëve emigruan në botën e jashtme. Ishte ky vazhdimi i një spastrimi të heshtur etnik, që ndikoi në rënien e numrit të popullsisë shqiptare si dhe shpopullimin e vendbanimeve të tyre.
Në saje të dekompozimit politik të partisë–shtet (PDS), në vitin vijues u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe u formua qeveria e re me pjesëmarrjën e përfaqësuesve të popujve pakicë (shqiptarët e boshnjakët).

  1. Faza e dytë (1998-2005)
    Kemi të bëjmë me një periudhë dinamike, sepse gjatë kësaj kohe në Mal të Zi kemi qeverinë pluraliste ngase për të parën herë marrin pjesë partitë politike të popujve pakicë duke ndikuar në avancimin e pozitës dhe statusit të tyre. Enkas në lidhje me këtë çështje u formua Ministria e Popujve Pakicë dhe të Drejtave të Njeriut, e cila fillimisht dhe kryesisht është udhëhequr nga shqiptarët. Në këtë kohë kemi edhe ngjarjet rreth Kosovës dhe shpërthimin e luftës atje nga pushteti neofashit serb i S.Millosheviqit. Duke filluar nga shtatori 1998 e deri në qershor 1999, kur përfundoi lufta në Kosovë me ndërhyrjen e NATO-s, në Mal të Zi janë strehuar rreth 80.000 refugjatë nga Kosova, të cilët kanë qëndruar në vendin tonë, nga Rozhaja në veri, e Ulqini në jug, të cilët një pjesë e madhe e tyre më pas janë vendosur në vende të ndryshme të botës.
    Po ashtu duhet cekur se në këtë kohë ndryshoi edhe statusi shtetëror nga RFJ në Bashkësia Shtetërore Serbia e Mali i Zi (4.2.2003). Emërtimi i bashkësisë shtetërore nga dy ish-republikat ishte sinjal i mjaftueshëm për të kuptuar së në Mal të Zi ndjenja e pavarësisë ishte në rritje, ndërsa mbajtja e Referendumit për pavarësi ishte bërë temë dominuese të qytetarët në Mal të Zi.
  2. Faza e tretë (2006-2020)
    Në sajë të Deklaratës kushtetuese të Bashkësisë Shtetërore Serbia e Mali i Zi të miratuar me 4.2.2003, ku secili shtet mund të kërkojë pavarësinë përmes referendumit, dëshmon se në këtë shtet së shpejti do të kemi ndryshime konstitucionale. Pikërisht duke marrë parasysh këtë mundësi dhe disponimin e qytetarëve, u bënë përgatitjet për mbajtjën e Referendumit për Pavarësinë e Malit të Zi që është mbajtur me 21.5.2006. Në sajE të rezultatëve të referendumit ku për pavarësi janë deklaruar 55.5% e qytetarëve, ndërsa kundër ishin 44.5% e tyre. Kemi të bëjmë me ndarje të qytetarëve në dy blloqe politike, pro-malazias e pro-serb, dukuri kjo që është e pranishme edhe në vitet në vijim.
    Në Referendumin për pavarësinë e Malit të Zi, rolin vendimtar e kanë patur popujt pakicë, shqiptarët e boshnjakët, sepse pa mbeshtetjen e tyre nuk do të realizohej pavarësia e Malit të Zi nga Serbia. Mali i Zi e shpalli pavarësinë me 3.6.2006, ndërsa edhe Serbia e shpalli me 5.6.2006, ku mori fund Bashkësia Shtetërore Serbia e Mali i Zi.
    Në vitin 2007, Kuvendi i Malit të Zi miratoi Kushtetutën e cila është e para në shtetin e pavarur, ndërsa në aspektin e mbrojtjës pranohet në NATO (5.6.2017).
    Në këtë periudhë kohore pas pavarësisë, ndarjet politike në Mal të Zi kanë mbetur konstante, që është dëshmuar përmes zgjedhjeve lokale e atyre parlamentare, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një mjedis të pakonsoliduar politikisht. Zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 30.8.2020, pas tre dekadave të udhëheqjes së pushtetit nga ana e PDS-së në koalicion më parti tjera, kësaj here opozita ia arriti qëllimit duke arritur fitore në zgjedhje. Kemi të bëjmë me një koalicion heterogjen i përbërë nga shumë parti politike, ide dhe programe të ndryshme, të cilat i ka bashkuar energjia për të larguar nga skena politike pushtetin e PDS-së, që ishte vazhdimësi e monizmit edhe në pluralizëm si në asnjë vend tjetër, në ish-Kampin socialist në Evropën Juglindore. Se si do të funksionojë pushteti i ri, përkatësisht qeverisja e re, a do të ofrojë risi apo do të jetë identike me pushtetin e mëparshëm mbetet të shihet në të ardhmën.

Modelet zgjedhore në Mal të Zi

  1. Modeli i parë zgjedhor (1990)
    Ligji i parë për zgjedhjet e këshilltarëve dhe të deputetëve u aprovua në Kuvendin e Malit të Zi me 28 shtator 1990, dhe u shpall në Gazetën zyrtare nr.36/3 tetor 1990. Sipas këtij ligji, njësi zgjedhore ishte territori i komunës, ku në saje të numrit të popullsisë zgjidhej numri përkatës i deputetëve (125) në nivel vendi.
    Duhet cekur se më këtë ligj pakicat kombëtare, në rastin konkret shqiptarët, nuk ishin cilësuar si element i veçantë për të përfituar përfaqësimin autentik, apo proporcional të tyre. Zgjedhjet e para parlamentare pluraliste në Mal të Zi janë mbajtur më 9 dhjetor 1990, me pragun zgjedhor prej 4%.
    Duke marrë parasysh atmosferën e krijuar para shpalljeve të zgjedhjeve parlamentare, dhe rrezikun e moskalimit të pragut zgjedhor, shqiptarët të përfaqësuar me partinë e tyre nacionale (Lidhja Demokratike në Mal të Zi) vendosën të dalin në koalicion me partinë e Partinë e Aksionit Demokratik (SDA), që pëfaqëson popullsinë boshnjake, me emrin “Koalicioni Demokratik”, duke fituar 12 mandate të deputetëve, nga të cilët 4 i takuan Lidhjes Demokratike në Mal të Zi.
    Ishte ky një moment historik, sepse shqiptarët u bënë pjesë e skenës politike në Mal të Zi, duke u prezantuar me përfaqësuesit e tyre autentik.
    (vijon)

Të fundit

më të lexuarat