Pararojë në luftën për çlirimin e tokave të pushtuara të atdheut

Për organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë, GRK do ta nxjerrë organin e vet të shtypit të emërtuar “Zëri i Kosovës”, që me të drejtë është vlerësuar si organi i parë i shtypit klandestin, që do të fillojë të dalë nga 1 shkurti i vitit 1974

Binak Ulaj

Aktiviteti i Shoqërisë Lëvizja dhe i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, që 50-vjetorin e themelimit të GRK-së dhe 40-vjetorin e bashkimit të organizatave atdhetare, përveç me konferencë shkencore e manifestime të tjera, ta shënojnë edhe me vendosje të pllakave përkujtimore me mbishkrime në shtëpitë apo pranë shtëpive që kanë qenë baza të veprimtarëve atdhetarë, që kanë lënë gjurmë në rrugëtimin e popullit tonë drejt lirisë, ka peshë të veçantë. Përveç ruajtjes në kujtesën kolektive, me këto pllaka u shprehet nderim dhe mirënjohje, jo një anëtari, por brezave të familjarëve pjesëtarë të një gjaku, pa sakrificën, përkushtimin dhe angazhimin e tyre të përbashkët, Lëvizja Kombëtare nuk do të ishte e suksesshme. Njëra prej familjeve të tilla emërndritura ishte dhe është familja Hajrizi. Që në vitin 1921, nga kjo familje ishin flijuar për Atdhe bijtë e saj Zymer e Osman Hajrizi, duke ua lënë pasardhësve amanet luftën kundër robërisë, luftë kjo të cilën do ta shpien më tej Zeqir e Zenel Hajrizi dhe daja i tyre Banush Ademi, për çka do të arrestohen në vitin 1961 dhe dënohen me burg të rëndë, kurse i riu 18-vjeçar Naser Hajrizi, këtë amanet do ta vulosë me gjakun e vet kur bie heroikisht, bashkë me Asllan Pirevën, në ballë të demonstratave të 2 prillit 1981.
Disa muaj më vonë, po të njëjtit vit, do të arrestohet njëri prej drejtuesve kryesorë të GRK-së, Mehmet Hajrizi, i cili do të dënohet me 12 vjet burg të rëndë, kurse në vitin 1982 do të arrestohet edhe pjesëtari tjetër i kësaj familjeje, veprimtari i po këtij grupi, Jahir Hajrizi, i cili do të dënohet me 11 vjet burg të rëndë. Bashkëveprimtare besnike dhe e pandashme e Mehmet Hajrizit në GRK do të jetë edhe bashkëshortja e tij Hagjerja dhe vëllezërit e saj Gani dhe Ismail Syla.

Themelimi i Grupit Revolucionar të Kosovës
Demonstratat e rinisë studentore e shkollore që kishin shpërthyer më 6 tetor në Prizren e, më pas, në Therandë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan, Besianë, Tetovë, që kishin kulmuar me ato në Prishtinë, më 27 nëntor 1968 me kërkesa të qarta politike: Republikë! Kushtetutë! Vetëvendosje!, u dhanë sinjal të qartë qarqeve politike vendimmarrëse, brenda dhe jashtë vendit, se shqiptarët nuk ishin pajtuar asnjëherë dhe nuk do të pajtoheshin me pozitën shtypëse e diskriminuese siç e kishin nën pushtimin jugosllav.
Një dimension tjetër shumë i rëndësishëm i demonstratave të këtij viti ishte fakti se ato i dëshmonin popullit tonë se po ngritej e masivizohej një forcë, e cila ishte në gjendje t’u dilte zot të drejtave kombëtare, politike, ekonomike e sociale të tij, gjë që do të ketë ndikim të rëndësishëm në mobilizimin e aktivizimin e shtresave atdhedashëse dhe, veçmas, në vetëdijësimin e mëtejmë të rinisë shqiptare për rolin e saj në periudha vendimtare historike.
Për këtë arsye, në vitet e shtatëdhjeta, në Kosovë do të formohen disa organizata ilegale të të rinjve, të cilat i bashkonte ideali më i lartë – ideali i lirisë. Njëra prej këtyre organizatave me veprimtari më të gjatë e, për këtë arsye, edhe më me ndikim në Lëvizjen Kombëtare Çlirimtare ishte edhe GRK, i formuar në shtëpinë e familjes Hajrizi, më 3 mars 1973. Në mbledhjen themeluese drejtues të GRK-së do të zgjidhen: Kadri Osmani, përgjegjës i Grupit; Mehmet Hajrizi, sekretar organizativ; Xhafer Shatri, përgjegjës për rininë; Binak Ulaj, përgjegjës për shtypin; dhe Feriz Seferi, përgjegjës për çështje materiale (Mehmet Hajrizi “Historia e një organizate politike…”, Prishtinë, 2008, f. 64).
Emërtimi i Grupit me termin revolucionar nuk ishte i rastit. Historia dëshmonte se me revolucione të armatosura çlirimtare ishin çliruar shumë popuj të vegjël, por liridashës. Veç kësaj, termi revolucion nënkupton edhe përballje të kategorive të ndryshme të shoqërisë së kohës dhe mobilizim të masave. Është çështje tjetër si përjetohej revolucioni nga pozita e atyre që s’ishin të gatshëm të sakrifikonin asgjë për lirinë e Kosovës dhe prej kohësh ishin pajtuar me robërinë. Fundja, edhe ideologu kryesor i lirisë e pavarësisë së Kosovës, heroi moral intelektual i kombit, bacë Adem Demaçi në vitin 1964 organizatën e tij e kishte emërtuar Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve.
Drejtuesit e GRK-së, duke pasur përvojë nga veprimtaria e mëparshme disavjeçare dhe nga ajo e veprimtarëve të mëparshëm, do t’i qasen punës në hartimin e dokumenteve programore – Statutit dhe Programit, si dhe udhëzimeve për format e ndryshme të organizimit e veprimtarisë. Në Projektin e Statutit thuhej: “GRK është pararojë në luftën për çlirimin e tokave të pushtuara të atdheut, për bashkimin nacional përmes revolucionit të armatosur.” I kësaj fryme e përmbajtjeje, me plotësimet e domosdoshme për rrethanat e kohës, ishte edhe Programi politik, që ishte në harmoni të plotë me programet e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare që nga Lidhja e Prizrenit e këndej. Për fusha të veçanta, siç parashihej me Program, do të formohen disa komitete nga celulat e Grupit. Njëri prej këtyre organeve të Grupit ishte edhe Komiteti i Studentëve, i formuar në mars të vitit 1974. Formimi i këtij organi për mobilizimin e studentëve të Universitetit të Prishtinës ishte hapi më i duhur dhe më vendimtar për zgjerimin dhe veprimtarinë e mëtejme të suksesshme të Grupit. Në këtë Komitet ishin zgjedhur: Xhafer Shatri, Rexhep Malaj, Jashar Alia, Gani Syla, Hydajet Hyseni dhe Ilmi Ramadani. Për një kohë, përgjegjës i këtij Komiteti ishte Xhafer Shatri e më pas Rexhep Malaj (Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ali Ajeti, Bajram Bahtiri, tani dëshmorë, ishin bërthama e parë e gueriles qytetase në Kosovë. Dëshmorë nga radhët e GRK-OMLK-së kanë rënë edhe: Kadri Zeka, Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Xhevë Lladrovci, Isa Kastrati, Abdullah Tahiri, Hafir Shala (i pagjetur) dhe Abdylgafurr Luma).
Falë angazhimit të pandërprerë, formës së organizimit në celula, kryesisht prej tre veprimtarëve, dhe lidhjes së drejtuesve të celulave, GRK-së do t’i bashkohet një numër i konsiderueshëm i veprimtarëve të dalluar si: Shukrie Osmani, Sami Dërmaku, Fazli Abdullahu, Fatmir Salihu, Irfan Shaqiri, Isa Kastrati, Hasan Dërmaku, Xhevat Ajvazi, Rafi Halili, Reshat Avdiu, Nazmi Hoxha, Shemsedin Hoxha, Shefqet Hoxha, Vahide Hoxha, Basri Musmurati, Teuta Hadri, Kadri Zeka, Nijazi Korça, Avdi Limani, Jetullah Arifi, Nexhmedin Ahmeti, Xhavid Dërmaku, Nazmi Shurdhani, Kadri Abdullahu, Agim Sylejmani, Hidajete Osmani, Bejtullah Tahiri, Hasan Malaj, Nijazi Musmurati, gjë kjo që tregon për masivizimin e shpejtë të saj.
Për organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë, GRK do ta nxjerrë organin e vet të shtypit të emërtuar “Zëri i Kosovës”, që me të drejtë është vlerësuar si organi i parë i shtypit klandestin, që do të fillojë të dalë nga 1 shkurti i vitit 1974 (Ethem Çeku “Mendimi politik i Lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981”, Prishtinë, 2003, f. 229.)
Botimi i këtij organi periodik kishte rëndësi të veçantë edhe për informimin e drejtë të masave të gjera të popullit, por edhe për t’iu kundërpërgjigjur shtypit e propagandës së organeve shtetërore jugosllave. Meqë për botimin e organit periodik dhe materialeve të shumta nevojiteshin makina shkrimi, shumëzues (“geshtetnerë”), të cilat nuk guxonim t’i blinim për shkak se organet e UDB-së i kishin urdhëruar shitësit të evidentonin se kush i blinte, ato siguroheshin me aksione të analizuara mirë, ndonëse mund të kushtonin edhe me jetë. (vijon)

(Fjala e lexuar me rastin e shënimit të 50-vjetorit të GRK-së dhe vendosjes së pllakës përkujtimore në shtëpinë e Bahtir Hajrizit, ku është themeluar kjo organizatë)

Të fundit

më të lexuarat