
(vijon nga numri i kaluar)
Ditën e parë, më saktë në mbrëmje, kur është publikuar vendimi i komisionit vlerësues, ishin dy-tre vetë që shkruan negativisht. Inercia e tillë, mendoj, që ka frymëzuar dhe ka ngacmuar atë që Gustave le Bon shpreh në librin “Psikologjia e popujve dhe e turmave”, se “sjellja e individëve, sidomos kur ata bëhen pjesë e turmave – për mirë apo për keq – ndikon fuqishëm në sjelljen e individëve si bashkësi kolektive e të menduarit dhe e të vepruarit.” Si dhe, jemi mësuar që shkrimet që përmbajnë pak negativitet, e po të jenë edhe pak të gjata, do të konsiderohen më të qenësishme. Po të ishte reagimi i kundërt në fillim, edhe përshtypja e turmës do të ishte e kundërt.
Pse mund të thuhet kështu?
Një gjë e tillë mund të shihet në reagimet e vetjeve, personaliteteve dhe profesionistëve që i kanë bërë skulptorit, duke e uruar dhe duke e pëlqyer veprën. Thjesht, ishin të pandikuar me negativitetin e shfaqur nga dy-tre personat e fillimit. Komentuesi që fsheh identitetin e vet pas një identiteti të rrejshëm, thotë se “personazhet nuk kanë të bëjnë asgjë me Ulqinin dhe as nuk kanë veshjen e tyre!” Çfarë fyerje e inteligjencës?! Thuajse skulptori Sabri Behramaj ka bërë një fotografi, e në atë fotografi janë shfaqur njerëzit me laramaninë e veshjeve, ngjyrat e veshjeve, hollësitë e veshjeve, stilizimet e tegeleve e yrneqeve të veshjeve dhe ja pra, aty nuk dallohet asnjë element i tekstilit të veshjes ulqinake! Si mund të thuhet një gjë e tillë te një skulpturë që paraqet elementet identitare dhe përfaqësuese të veshjeve popullore shqiptare: plisi është qartë dhe lehtë i dallueshëm (madje edhe llojet e tij), mustaqet (burrat me mustaqe të përdredhura që këndohen e lavdërohen në këngë) janë të dallueshme, xhamadani me sumbulla, shokat (brezat) më se mjaftueshëm të stilizuara për një vepër të tillë.
Ditën e dytë, reagimet u bastarduan. Komentet u bënë banale. Historiani i vetëshpallur i del kundër profesorit dhe doktorit të shkencave të historisë në Institutin e Historisë. Po ai, tani vetëshpallet si artist e arkitekt dhe i tregon skulptorit, se “mirë e ke bërë, por vetëm të ishte i vendosur në një vend tjetër të Ulqinit”. U propozua para Qendrës për Kulturë, duke u munduar ta minimizojnë rolin e këtij institucioni, që në fakt do të duhej të ishte qendra e zhvillimit të kulturës në Ulqin, dhe duke e glorifikuar ndërtesën e komunës si një vend “të shenjtë”, që në fakt është një qendër e ndërmarrjeve politike të qeverisjes lokale, e asgjë më tepër. Për t’u habitur është fakti se si aq shumë njerëz e personalitete nga Ulqini e rrethina u bënë bashkë kundër Skënderbeut dhe se si, është e habitshme, i gjetën fjalët më ofenduese ndaj personalitetit dhe figurës së Skënderbeut. U harrua skulptura, u morën me Skënderbeun.
Pse?
Sepse vetë skulptura paraqet aureolën që mbështjell të bëmat e Skënderbeut. E fyen, e njollosen, e përbaltën, e zhveshën dhe thanë, që le të dalë Skënderbeu në “shorce” e të shesë akullore në Plazhin e Madh! Sikur të ishin kaq të bashkuar kundër rastit të Alabarit, ai tashmë do të ishte i harruar. Por, ja që pikërisht kur shqiptarët ishin në grindje kundër njëri-tjetrit, më në fund kur atyre iu pengon një vepër artistike e Skënderbeut, Alabari goditi më fuqishëm në Kuvendin e Malit të Zi.
Poeti ulqinak, pra ai i cili shkruan poezi, e cila konsiderohet si mbretëreshë e letërsisë, në të cilën janë konsiderueshëm të përmbajtura arti, morali, estetika, etika, simbolizmi, metafora, mesazhi deklarohet për skulpturën, si (e ka bërë) “më zi se Salvador Dali”. Pra, Salvador Dalí ka qenë boll i keq, i mbrapshtë në art e i zi e i terrshëm në pikturat e skulpturat e tij, ky e ka bërë edhe më zi se ai. Çfarë injorance e papërshkrueshme! Çfarë niveli i fundbotshëm i artit!
Disa nga mjekët, me disa deklarata të fryra e të frymëzuara nga një urrejtje, që nuk kuptohet nga iu buron, komentojnë artin, stilin artistik, nivelin historik që arti përmes skulpturës paraqet. Më kujtohet koha e koronavirusit, kur njerëzit – disa prej tyre – thonin se nuk ekziston virusi, nuk ekziston vaksina, mos e merrni vaksinën se përmes saj instalojnë çipin nën lëkurë dhe se në një të ardhme do të të kontrollojnë mendjen e trupin, vaksina është bombë e kurdisur, mos dëgjoni mjekët se e kanë për biznes… Dikush tjetër ende i mëshon fuqishëm se monumenti i Skënderbeut do të duhej të vendosej në rrethrrotullim. E ka harruar ose nuk është i informuar ai se ajo ide ka kohë që është hedhur poshtë për shkak të ligjeve të komunikacionit në shtetin tonë dhe se për shkak të pengesës së qasjes te monumenti, qoftë edhe për t’u fotografuar me të, një gjë e tillë është e palogjikshme.
Dhe, pikërisht në ditën e dytë, do të dalin dalëngadalshëm në pah shkrimet që e përkrahin një stilizim dhe paraqitje të tillë artistike. Dhe, këta nuk do të jenë të frymëzuar negativisht, as të fshehur pas identiteteve të rrejshme të fejsbukut që lëshojnë komente vend e pa vend e nxisin përçarje, sepse është e lehtë të hedhësh gurin me dorë të fshehur, por do të pozicionohen në profesionalizëm: artistë, piktorë, skulptorë, historianë. Këta janë të vërtetë, e jo si një a dy gjithologët tanë. Ashtu si deti i trazuar që nxjerr në pah çdo gjë brenda tij, rrymimi dhe trazira që kjo skulpturë ka nxitur te një masë e njerëzve, ka bërë që disa vetje, madje edhe personalitete të nderuara, të shfryjnë urrejtshëm ndaj komisionit profesional, që emrat e tyre janë të ngritur kaherë mbi nivelin e piedestaleve intelektuale e profesionale. Dita e dytë dallon nga e para, sepse, derisa në ditën e parë u kundërshtua fuqishëm, në ditën e dytë u “pranua”, duke thënë se bën si vepër artistike, por në galeri të artit, por jo në vende e sheshe publike. Ajme!
E treta.
Çfarë përmbajnë shkrimet e tyre? Vlerësimet që bëjnë personalitetet e tilla profesionale, e shkokëluan veprën “Skënderbeu me burrat e Ulqinit”. I dhanë veprës zë, emocion përafrues dhe tejdimensional. Treguan se arti nuk është i ngurrtë, por shpreh emocione, përçon mesazhe, tejkalon kohën dhe është mbijetesë identitare përmes rrëfimit dhe narracionit që simbolika në art mbart në vete dhe mund të shprehë. Personalitete të kulturës e artit i dhanë zë edhe më të fuqishëm skulpturës. Jo se donin ta mbronin autorin e saj, jo se ndihmonin autorin e saj, jo se donin ta mbiçmonin një vepër skulpture, por se arti këtë e ka: për të shprehen të gjithë, sepse arti i mirë nxit reagime, nuk është i tejkalueshëm, por arti i mirë kërkon edhe kritikë të mirë të tij. Nuk ka rëndësi a lëvdohet apo çmohet ai, arti duhet të komentohet profesionalisht nga kritiku i artit.
Çfarë bën gjithologu ynë?
U kundërvihet edhe atyre, pra profesionistëve të artit, madje edhe me tekste të kopjuara. Kristo Frashëri, një ndër njohësit e mirë të jetës dhe veprës së Skënderbeut, shkruan një libër që e titullon “Skënderbeu i shpërfytyruar”, në të cilën mbron biografinë e Skënderbeut nga, siç i quan ai, “shtrembërimet, deformimet dhe pasaktësitë historike, biografike dhe bibliografike” që i bëhen Skënderbeut. Prandaj, kush duhet ta mbrojë Skënderbeun tani nga shpërfytyrimet e fejsbukistëve që hedhin vrer të paparë kundër Skënderbeut të paraqitur në një vepër arti? I njëjtë ishte edhe reagimi për skulpturën e Gëzim Muriqit që i bëri Skënderbeut, e cila u vendos tek arbëreshët; njëlloj kaloi debati nga ky Skënderbeu ynë te “krimbi i përdredhur në hyrje të Shkodrës, e deri tek ura e shëmtuar e Kukësit”; që të dyja duhet të hiqen, të largohen nga aty, ose të rrënohen. Pra, të rrënohet një vepër e jashtëzakonshme inxhinierike që tejkalon përmasat dhe gjetjen e saj arkitektonike-strukturore-inxhinierike në Ballkan dhe në Evropë. Çfarë ironie kulturore e artistike!
Niveli artistik dhe arkitektonik
Skulptura e Kafkës në Pragë, e artistit David Černý, rrotullohet në mënyrë aq të veçantë, saqë për një kohë shumë të shkurtër mund të shohim figurën e plotë, të saktë dhe identifikuese të shkrimtarit. Arti i tillë përshkruan gjendjen e Kafkës me trazirat e tij të brendshme dhe dyshimet në vetvete, por mund të japë mesazhin edhe të “Metamorfozës” së tij të famshme, pra shndërrimit të gjendjes psikike dhe të reflektimit shndërrues dhe ndryshues urban dhe social të shoqërisë së sotme.
Çfarë të thuhet për skulpturën e Kafkës të artistes Jaroslav Róna, që e paraqet shkrimtarin të ulur në një figurë dyvetëshe dhe dytrupëshe, ku njëri trup nuk ka as duar e as këmbë, madje as kokë?
Një “karikaturizëm” i tillë tregon frymëzimin e mesazhit të Kafkës në veprën “Përshkrimi i një lufte”. Përse nuk e cenojnë identitetin, integritetin figurat si “Imazhi i Njutonit” nga Salvador Dalí, “Kthesa e armës” nga Carl Frederik Reuterswärd, “Busti i Churchillit” i Jacob Epstein, “Monumenti i Ajnshtajnit” nga Robert Berks, “Mbreti” nga Seymour Lipton, “Ngritja e Krishtit” nga John Poole e të tjera si këto? Të gjitha këto personazhe janë shumëherë më të njohur botërisht sesa Skënderbeu, por nuk përbëjnë asnjë problem, as kërcënim real apo fiktiv për paraqitjen artistike të tyre. Sepse arti është autentik dhe sepse misioni i tij është të përçojë mesazhin e thellë përmes ndjeshmërive dhe narracioneve metaforike që autori përcjell përmes artit.
Në një kontekst të tillë, ku është planifikuar që monumenti i Skënderbeut të vendoset në Ulqin, si do të duket vepra e shpallur në vendin e parë të skulptorit Sabri Behramaj?
Situacioni hapësinor i vendndodhjes përbën vlera të trashëgimisë arkitektonike dhe urbane të realizmit socialist, që sipas stilit arkitekturor përbëjnë modernizmin në arkitekturë. Ai vjen i shprehur përmes gjeometrisë së rregullt, simetrisë herë-herë të përthyer, madje edhe duke kaluar në skulpturalizëm. Ndërtesat e tilla kanë përmbajtje të guximshme për kohën. Fundi i viteve ’60, modernizmit në arkitekturë iu shtua një nënstil, apo degë që përfaqësoi një frymë të re sociale dhe politike. Ish-Jugosllavia dhe vendet tjera socialiste, këtë frymë e përqafuan fuqishëm dhe e shfrytëzuan mjaft mirë. Bëhet fjalë për brutalizmin. Si stil arkitektonik i atyre viteve, brutalizmi karakterizohet nga format e thjeshta, me blloqe dhe ndërtime prej betoni të papërpunuar. Nga frëngjishtja “brut”, që don të thotë i papërpunuar, i patrajtuar, që shpreh papërpunimin, patrajtimin e betonit, pra Béton brut është beton arkitektonik që lihet i papërfunduar. Tregon ashpërsi, natyrshmëri të vetë gjendjes dhe materialit të betonit. Kritikët e aritekturës e konsiderojnë brutalizmin të ftohtë, të papërpunuar, mizor dhe të shëmtuar. Vija të drejta, të rregullta, të qarta, të definuara, të lexueshme, të parashikueshme… Ky është stili i brutalizmit të modernizmit në arkitekturë. Qendra e Ulqinit dominohet nga ky stil i arkitekturës. Rreth e më rreth ka modernizëm-brutalizëm. Ndërtesa e Komunës së Ulqinit është përfaqësuese e këtij stili, dhe madje mund të jetë ndër më të veçantat ndërtesa ku skulpturaliteti modernist i arkitekturës së brutalizmit është e shprehur aq qartë në këtë ndërtesë.
Çfarë e thyen këtë heshtje dhe gjendjen e ngurrtë të modernizmit brutalist? A është gjetje e mirëfilltë vepra “Skënderbeu me burrat e Ulqinit” për këtë ambient urban-arkitekturor?
Mbase po. Vijat e lakuara sikur e thyejnë monotoninë e fasadave të të gjitha ndërtesave përreth. Dinamizmi që kjo skulpturë shfaq, eleganca me të cilën është i trajtuar çdo element stilistik i veprës skulpturore, lëvizshmëria e përpjesëtimit në bazë të proporcioneve strukturore dhe elementeve që shfaqen në vepër, e bëjnë kontekstualizimin arkitekturë-skulpturë, art-ndërtim, urbanizëm-sociologji të ndërthuren, të integrohen, madje bën që edhe mendjet e ndara papajtueshmërisht të bashkohen.
Cili është mesazhi i Skënderbeut? Cili është mesazhi i artit?
Është një mënyrë e fuqishme për të përcjellë mesazhe, ide dhe emocione. Varto shprehet se “skulptura është një formë arti që sfidon perceptimin konvencional dhe e fton njeriun në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë, trupore dhe ndijore me veprën. Ajo nuk është thjesht një objekt për ta parë, por një përvojë për t’u jetuar.”
Skënderbeu mbetet i tillë, pararojë që është shumë përpara kohës së tij, pararojë e kohës sonë.
(Fund)
