Paragjykimet e Boltonit kundër Kosovës

Kosova ishte mësuar të gëzonte përkrahje të gjerë si të demokratëve, ashtu edhe të republikanëve në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Bill Clinton udhëhoqi aksionin e NATO-s për të ndaluar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës në 1999-n. Presidenti Xhorxh W. Bush koordinoi njohjen ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës në 2008-n. Sot administrata Trump ka një qasje të paqartë për të mbështetur Kosovën

David L. Phillips

John R. Bolton, këshilltar i Sigurisë Kombëtare, ka një paragjykim antishqiptar që minon sovranitetin e Kosovës, si dhe interesat e SHBA-së në rajon. Për dekada me radhë Bolton ka qenë i patrazuar në preferencën e tij për Serbinë. Ai mbështet planin e tanishëm të Beogradit për ndarjen e Kosovës në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Paragjykimi antishqiptar i Boltonit daton që në vitet 1990, kur ai kundërshtoi ndërhyrjen “e paligjshme” të Amerikës për të ndaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës nga Serbia. Ai minimizoi vrasjen e më shumë se dhjetë mijë shqiptarëve të Kosovës dhe zhvendosjen e një milion të tjerëve. Sipas Boltonit, “Nuk ka interesim të mjaftueshëm amerikan për të marrë anën as të shqiptarëve të Kosovës ose të serbëve”.
Bolton vazhdoi të kundërshtonte njohjen e SHBA-së për Kosovën në vitin 2008. Bolton kritikoi “politikën antiserbe të qeverisë së SHBA-së që nga shkatërrimi i ish-Jugosllavisë”. “Mendoj se SHBA-ja do ta bënte një gabim nëse ata e njohin njëanshëm Kosovën. Zgjidhja e vetme e arsyeshme do të rezultojë nga bisedimet midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Një zgjidhje potenciale e imponuar mund të çojë në dhunë, e cila nuk është në interes të asnjë personi”, kishte deklaruar ai. Në një intervistë për “Russia Today” Bolton ka paralajmëruar se pavarësia e Kosovës do ta “rrisë rrezikun e jostabilitetit dhe do të tërheqë ekstremistë islamikë nga e mbarë bota”. Askush nuk i kushtoi shumë vëmendje komenteve nxitëse dhe të parëndësishme të Boltonit në të kaluarën. Ai ishte një ekspert i çuditshëm, i njohur për pikëpamjet e tij radikale si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët.
Tani si këshilltar i Sigurisë Kombëtare Bolton është në gjendje të bëjë një dëm të vërtetë. Në muajin gusht Bolton shpërtheu dialogun Kosovë –Serbi, duke deklaruar: “SHBA-ja nuk do të përjashtojë ose nuk do të kundërshtojë këmbimet territoriale midis Serbisë dhe Kosovës”. Duke i bërë jehonë qëndrimit të Moskës ai rregulloi një letër nga Trump të drejtuar Thaçit, duke miratuar ndarjen nëse të dyja palët ranë dakord për të. Bolton së fundmi ka kritikuar miratimin nga ana e Kosovës të një tarife prej 100 për qind për eksportet serbe në Kosovë. SHBA-ja kërcënoi Kosovën për këtë veprim pa lejen e saj.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “852” të revistës Koha Javore

Të fundit

më të lexuarat