Pa një paqe të sinqertë me shqiptarët, nuk do të ketë kurrë qetësi

Nëse popujt e Ballkanit, e veçanërisht shqiptarët dhe serbët, nuk gjejnë një gjuhë të përbashkët për të hapur rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritur, pasojat do të jenë të dëmshme dhe të paparashikueshme dhe do të prekin këto hapësira në planin afatgjatë

Për Koha Javore: Fiqret Mujeziqi /Shtutgart

(vijon nga numri i kaluar)

Bota serbe apo “Srpski svet”
“Bota serbe” është po ashtu një vazhdimësi e politikës hegjemoniste serbe, por përsëri duke iu përshtatur gjendjes aktuale në terren.
Që kur përmendet “bota serbe”? Termi “bota serbe” u përdor për herë të parë nga Aleksandar Vulin, ndërsa ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, më 26 shtator 2020. “Vuçiq duhet të krijojë botën serbe. Beogradi duhet t’i bashkojë të gjithë serbët dhe presidenti i Serbisë është presidenti i të gjithë serbëve”, tha Vulin.
Realizimi i kësaj ideje hegjemoniste serbe bëhet me qëllim të formimit të ”Serbisë së Madhe”, ku një rol jashtëzakonisht të madh e ka Kisha Ortodokse serbe. Kjo do të shihet në Malin e Zi, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe më gjerë.
Qëllimi është të anulojë pavarësinë e Malit të Zi, ose të dominojë elementi serb, pastaj të dëmtohet pavarësia e Kosovës përmes proceseve të Hagës dhe pakicave serbe në Kosovë, duke formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Një prej qëllimeve patjetër duhet të jetë edhe ndarja e Bosnjë dhe Hercegovinës, përkatësisht territorin e Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Nga të gjitha shtetet fqinje të Serbisë paraqitja e “Botës serbe” është cilësuar si histori hegjemoniste që sjell luftëra dhe gjenocid. Reagimet vijnë edhe nga kundërshtarët politikë të Vuçiqit në vend, intelektualë dhe politikanë. Kështu Vojisllav Jankoviq (Partia Demokratike e Serbisë) e cilëson si vazhdimësi të politikës katastrofike të viteve 1990. Sonja Biserko (kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi) shprehet se këto klithje luftarake e largojnë Serbinë gjithnjë e më tepër nga BE. Ministri kroat i Punëve të Jashtme, Gordan Grliq Radman, thotë se politika të tilla pushtuese u mposhtën në të kaluarën. As nga Bosnja dhe Hercegovina nuk ka munguar reagimi. Kështu J. Turkoviq shprehet se sipas saj, retorika e Aleksandër Vulinit i bën krejtësisht të pakuptimta deklaratat e presidentit serb në të cilat ai pretendon se Serbia dëshiron paqe dhe marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnjë dhe Hercegovinën dhe i bën thirrje Presidentit serb të distancohet nga këto deklarata. Reagime polarizuese “pro” dhe “kundër” vijnë nga Mali i Zi, ashtu siç polarizohet skena politike në Mal të Zi. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po ashtu bëri një reagim, ku përveç tjerash tha se mendon se kemi dhjetë vjet dialog në Bruksel pa një marrëveshje përfundimtare për shkak se ekziston një rezistencë problematike në trajtimin e së kaluarës. Nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kam dëgjuar të ketë ndonjë reagim zyrtar, por kjo duhet të jetë për shkak të “Ballkanit të Hapur”. Mendoj se Shqipëria zyrtare sidoqoftë duhej të reagonte dhe siç i thonë fjalës, edhe nëse duhej të ”priste lopën e shenjtë”.
Me pushtimin e territoreve, serbët pushtuan edhe historinë e popujve e sidomos të shqiptarëve. Në çdo vend ndërtohen objekte dhe kisha të reja ortodokse me pretekstin se aty ku është një kishë serbe edhe toka duhet të jetë serbe. Shembull i tillë është në Prishtinë, në Rumi, në ujdhesat e liqenit të Shkodrës, Shas etj.
Pse politika serbe nuk shkëputet nga e kaluara dhe projektet shtetërore që kanë sjellë kaq shumë fatkeqësi në Ballkan?! Cilat janë problemet?

  1. Forcat progresive në Serbi janë të dobëta në krahasim me ato konservatore.
  2. Në qarqet intelektuale dhe kulturore ekziston një rezistencë problematike në trajtimin e së kaluarës.
  3. Në Serbi, shumica e kastës në pushtet vjen nga politika e mposhtur e viteve 1990.
  4. Ndryshimet e mëdha në Serbi janë peng i një politike të jashtme të dyfishtë – me Perëndimin, por edhe rreshtimi me rusët dhe kinezët.
  5. Pavendosmëria e politikanëve të BE-së për të marrë një vendim të qartë për Ballkanin Perëndimor duke hartuar një rrugë të përbashkët.
  6. Duke gjykuar nga shtypi, por edhe nga deklaratat e personaliteteve të ndryshme, serbët ëndërrojnë që në të ardhmen rrethanat politike do të ndryshojnë në favor të tyre dhe se do të jetë mirë për serbët dhe keq për të tjerët dhe se pritet një moment i caktuar për të realizuar aspiratat e tyre hegjemoniste.
  7. Mungon shkëputja nga e kaluara dhe vizioni për një të ardhme bazuar në modelin “win-win”.
  8. Pesë shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën mbajnë peng të gjithë rajonin dhe Serbisë i bëjnë një shërbim të dëmshëm.
  9. Aspiratat e Rusisë për një kthim aktiv politik në Ballkan ushqejnë shpresat e Serbisë për dominim në rajon.
  10. Interesi gjeostrategjik dhe orientimi politik i shtetit serb nuk ka ndryshuar që nga themelimi i tij.
  11. Trajtimi i kriminelëve të luftës si hero kombëtarë.

Pajtimi historik, mundësi reale apo vetëm dëshirë e pamundur
Për të dy popujt do të ishte e rëndësishme që të pajtohen dhe të kthejnë paqen në këto hapësira. Por si duhet bërë kjo, është një çështje e vullnetit politik, por edhe interesi i aktorëve të jashtëm që kanë ndikim në këto hapësira.
Historikisht Serbia nuk ka interes për paqe me shqiptarët, sepse i zgjeroi disa herë kufijtë në kurriz të shqiptarëve. Për këtë arsye për shqiptarët u thurën legjenda nga më të ndryshmet, duke mohuar edhe prejardhjen e tyre si popull i vjetër në Ballkan.
Serbia duhet ta ketë të qartë se pa një paqe të sinqertë me shqiptarët, nuk do të ketë kurrë qetësi në këto hapësira.
Se si duhen kapërcyer armiqësitë shekullore kërkon një analizë më të thellë, por mund të përmendi disa premisa që tregojnë drejtimin e duhur.

  1. Hapi i parë është pranimi i shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, përndryshe do të kemi një konflikt të ngrirë dhe pajtimi i dy popujve do të jetë i pamundur. Serbia në Kushtetutën e vet duhet të definojë kufijtë e vet pa Kosovën.
  2. Të punohet bashkërisht që i tërë rajoni të bëhet pjesë e BE-së.
  3. Trajtim i drejtë i pakicave kombëtare, ashtu si në shtetet e BE-së. Në vend që të bashkohen në një territor të përbashkët, bashkimi duhet të ndodhë në një kulturë të përbashkët.
  4. Iniciativat e bashkëpunimit duhen të jenë gjithëpërfshirëse dhe të mos shpërfillen, si në rastin e “Ballkanit të hapur” interesat shtetërore të disa vendeve.
  5. Të hiqet dorë nga destabilizimi i Malit të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
  6. Bashkëpunimi në rrafshin ekonomik, kulturor dhe sportiv duke iniciuar nisma të përbashkëta.
  7. Pakicat kombëtare duhet të gëzojnë të drejta më të mëdha, por nuk duhet të bien ndesh me interesat shtetërore të shteteve ku jetojnë, me një fjalë, të bëhen ura lidhëse ndërmjet shteteve ballkanike dhe jo gangrenë, siç është rasti me pakicën serbe në Kosovë.
  8. Braktisja e politikës hegjemoniste dhe destruktive disfatiste të së shkuarës.
  9. E ardhmja duhet parë si një mundësi për të punuar së bashku dhe për të ndërtuar prosperitet ekonomik, jo e kaluara si burim konfliktesh të reja.
  10. Përgjithësimi i dukurive dhe rasteve individuale negative në shoqëri, me pretekstin se të gjithë janë të tillë, është një fenomen i dëmshëm dhe pengon bashkëpunimin midis popujve.
  11. T’i jepet fund dezinformatave dhe artikujve keqdashës në media në shërbim të njëanshmërisë dhe propagandës përçarëse.
  12. Bashkëpunimi akademik në përballjen me të ardhmen dhe ndreqjen e gabimeve të së shkuarës.
  13. Historia dhe e kaluara duhet të përcillen në shkollë dhe të trajtohen në mënyrë sa më reale.
  14. Përgatitja e hapësirës për bashkëpunim të sinqertë ndërqeveritar duke organizuar mbledhje të përbashkëta.
    Nëse popujt e Ballkanit, e veçanërisht shqiptarët dhe serbët, nuk gjejnë një gjuhë të përbashkët për të hapur rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritur, pasojat do të jenë të dëmshme dhe të paparashikueshme dhe do të prekin këto hapësira në planin afatgjatë.
    (Fund)

Të fundit

më të lexuarat