Ora e poetit

Poezia që Ibrahim Berjashi shkruan është moderne, e rafinuar stilistikisht, e pasur me tematikë dhe imazhe poetike. Mesazhet e tij janë universale, të ngrohta, të pasura, ku ndjenja e thellë primordiale e individit dhe jetës zë vend në dashurinë e tij për botën, jetën, njerëzit, familjen. Ai këndon në mënyrën e tij, ka një stil specifik dhe një shprehje e fjalor të pasur poetik me të gjitha tiparet e poezisë së mirë dhe të qëndrueshme, që e rendit ndër poetët që mbeten për t’u nderuar dhe që qëndrojnë në vertikalen kulturore dhe shpirtërore të thesarit poetik kombëtar

Qazim Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Struktura e pasur melodike e poezisë së Berjashit, e shoqëruar me vargje shprehëse dhe polimorfizëm formal (e kam fjalën për vargje të huazuara nga tradita jonë popullore, sidomos të baladave popullore, të riformësuara me metatekst duke i shndërruar ato në vargje të lira të thyera ritmikisht, si poezi të jashtëzakonshme me mesazhe edhe filozofike), është e ndërthurur në mënyrë të pandashme me korelacionet koloristike të imazheve të cilat pa dyshim që ngjallin te lexuesi një përshtypje unike të “shkëlqimit arketipal” të poezisë së tij: Ja një shembull konkret për këtë në poezinë “Blega”: “Mos qaj trim, o i paganë! / Se nuk jam-o un’ e shkretë, / por e kam-o nji tem vlla!… dhe pason metateksti i jashtëzakonshëm: “Dita shndërrohet / në legjendë /dhe matet / me të rrahura zemre… për të vazhduar: – Ku ra Gjoni, bini ftoni; / Ku ra Blega, bini shega; pastaj: Ç’ke dele që blegëron? / Kam nevojë me blegerue!… O ti zog, qi k’non n’at’ gem, / malli po m’çon për vendin tem, pastaj poezia Larg ma livdojshin nji vashë.
Dhe pikërisht në këtë poezi, motivi i së cilës është vjelë nga populli, ashtu si dhe vargjet te poezitë e mësipërme, Berjashi gjen pikërisht atë numrin magjik – fatsjellës – numrin shtatë, i cili si simbol duket se lidhet ngusht me kodet etike të tij. (Shtatë ditë e shtatë net, / Përtej shtatë bjeshkëve e shtatë deteve, / – Ç’ma livdojshin nji vashë! / Shtatë mijë vjet kam vrapuar, / Me atin e Gjeto Basho Mujit, / Me mbërrijtë në atë fushë të Ilirisë) Pra, në Iliri, për të cilën poeti domosdo e lidh fatin dhe jetën e tij, aty ku ai gjen Anzotikën, hyjneshën e përbetueme n’qumshtin e detit me të cilën marrin udhën e diellit, emblemë kjo e poezisë së dashurisë me simbolikën e vet: “Anzotikë, marrim udhën e diellit. Sa e randë asht vjeshta. Mos e hiq unazën e gishtit, / Së paku derisa t’jemi gjallë, / E dashura (ar)mike.” ashtu si dhe poezitë “Afreskë”, “Zbritje solemne”, “M’a kthe lirinë”, “Dafinë” e shumë të tjera me motive dashurie.
Në poezinë e Ibrahim Berjashit, moderniteti ka gjetur justifikimin e tij për aq sa përmbush kushtin bazë të poezisë së mirë. Poezia e mirë është ajo që krijon dhe zhvillon gjuhën duke gjetur vlera të reja fjalësh dhe duke zbuluar marrëdhënie të reja midis ideve dhe koncepteve të ndryshme. Dhe pikërisht kur është fjala te gjuha, poeti dallon shkëlqyeshëm gjuhën e letërsisë dhe gjuhën letrare, duke përdorur mes tjerash edhe një gegënishte të ëmbël dhe shumë të pasur. Gjuha e Ibrahim Berjashit, në secilën këngë të përmbledhjes, merr shkallë të ndryshme konkretizimi, energji dhe forcë emocionesh. Përshkrimet dhe simbolet poetike janë të zgjuara dhe të habitshme, dhe janë shprehje e drejtpërdrejtë e një mendimi dhe përjetimi real të shprehura me fjalë të fuqishme, të renditura në mënyrë adekuate në vargje, në një ritëm që lind natyrshëm nga çdo varg i strofës dhe i poezisë, duke arritur kështu harmoninë midis strukturës vokale të fjalëve, mendimit dhe kuptimit emocional, mbase edhe me përdorimin e shpeshtë të apostrofit, duke i lejuar lexuesit të njohë dhe të përjetojë gjendjen shpirtërore të poezisë, me ritmikën e saj, por edhe me dhembjen. Sepse ai identifikohet me të. Përdor edhe figurat stilistike me vetëdije dhe është shumë bindës dhe i aftë të shprehë opinionet, emocionet dhe, në përgjithësi, dëshirat dhe mesazhet e tjera nëpërmjet tyre. Poezitë e tij lëvizin si një lavjerrës i “orës” së poetit që lëkundet mes personales, autobiografikes, rrëfimtares për njerëzit dhe arealin e vendlindjes së tij.
Poezia “Unë, ti dhe Jesenini” është një shembull tipik i dhembjes kushtuar humbjes së mikut të tij, por ku poeti, ashtu si në vajtimet e njohura nga tradita jonë, shfrytëzon rastin të përmendë copëza nga historia e kombit për ta ngritur edhe më lart këtë dhembje, për t’i dhënë mbase edhe ngjyrime kolektive, e njohur kjo te poeti ynë i njohur Ali Podrimja: Pse m’shikon ashtu nën sy / Edhe me heshtje m’flet shumë… / “Miku im i shtrenjtë, lamtumirë, / ty këtu në shpirt të kam ta dish…” / A s’më thue ç’kishte të re në Spi, / A i binte kush lahutës? / Po këmbonë ogiçi, kishte? / Dedë Gjo’ Luli, / A mbushej frymë me valëvitjen / E flamurit n’Bratilë?… e kështu me radhë, duke e përcjellë mikun e tij me lule Ilirie.
Një ndjenjë po kaq e veçantë dashurie dhe konsiderate i përshkon edhe poezitë e tjera si përkushtim për figurat e njohura të kulturës sonë, por edhe të afërmve të tij si Lasgush Poradeci, Ali Podrimja, Shime Deshpali, Esad Mekuli, Rikard Ljarja etj., si dhe babait, nënës, bashkëshortes, djalit etj.
Në poezinë më të re Berjashi bën shmangie të mëdha duke arritur efekte të jashtëzakonshme me ekspresivitetin, reduktimin dhe abstraksionin, si postulate bazë të artit dhe letërsisë moderne. Por njëkohësisht duket sikur na thotë edhe se nuk ka poezi nëse nuk është subversive, nëse nuk është rebelim. Hermetizmi i tij tani është më i theksuar, por brenda kufijve që prapëseprapë lexuesi ta kuptojë poezinë e tij me të gjitha mesazhet që bartë në vete. Edhe simbolika e tij na bëhet më e theksuar, e në veçanti ajo e orës me shumë kuptime na bëhet më dominuese. Ora, qoftë e djallit, që na ka molisur, qoftë e shtëpisë – së cilës të gjitha kopetë e yjeve ia kemi falur, qoftë e Rumisë, si qenie mitike, qoftë si fat apo kob njerëzor i paradestinuar, apo qoftë edhe si orë e thjeshtë që mat çastet e jetës deri në fundin e saj. Pra, këtë do ta quaja – ora e poetit Berjashi. Por po kaq e fuqishme na del edhe simbolika e murit, ujit, pasqyrës, ullirit etj.
Si përfundim, poezia që Ibrahim Berjashi shkruan është moderne, e rafinuar stilistikisht, e pasur me tematikë dhe imazhe poetike. Mesazhet e tij janë universale, të ngrohta, të pasura, ku ndjenja e thellë primordiale e individit dhe jetës zë vend në dashurinë e tij për botën, jetën, njerëzit, familjen. Ai këndon në mënyrën e tij, ka një stil specifik dhe një shprehje e fjalor të pasur poetik me të gjitha tiparet e poezisë së mirë dhe të qëndrueshme, që e rendit ndër poetët që mbeten për t’u nderuar dhe që qëndrojnë në vertikalen kulturore dhe shpirtërore të thesarit poetik kombëtar. (Fund)

(Vështrimi është lexuar në mbrëmjen autoriale me shkrimtarin Ibrahim Berjashi, mbajtur në Librarinë “Ulqini”, më 24 qershor 2022, në kuadër të edicionit të 29-të të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”)

Të fundit

më të lexuarat