
Edhe pse është shumë vështirë që në mënyrë të përpiktë të deshifrohen raportet brenda partive politike, kjo assesi nuk do të thotë se analiza e disa parametrave të caktuara nuk jep mundësi që së paku të krijohet një opinion relativisht i saktë teorik dhe shkencor në lidhje me nivelin e demokratizimit brendapartiak. Kur flasim për demokracinë interne, çdoherë duhet t’i kemi parasysh tendencat oligarkike që janë të pranishme te të gjitha partitë bashkëkohore. Është dukuri e rëndomtë që për shkak të raporteve hierarkike që janë të pashmangshme për partitë politike të ndodhë fenomeni i tjetërsimit të pushtetit politik, me ç’rast përfaqësuesit e zgjedhur duke e shfrytëzuar pozitën që e kanë në hierarkinë partiake, në vend të vullnetit të anëtarësisë e shprehin vullnetin e tyre, domethënë në vend që ta mbrojnë interesin e anëtarësisë së gjerë e mbrojnë dhe realizojnë interesat e vet, me ç’rast krijohet një ndarje serioze ndërmjet anëtarësisë së rëndomtë dhe bartësve të funksioneve partiake, që shumë vështirë mund të kapërcehet.
Kur flasim për demokracinë interne sidoqoftë nuk guxojmë të shërbehemi me metodën bardh e zi. Për të nuk mund të flitet në mënyrë të prerë, si për diçka që në tërësi ekziston ose nuk ekziston. Çdoherë duhet ta kemi parasysh atë se sikur në shoqëri ashtu edhe te partitë politike ekziston shkallëzimi ose nivelimi i demokracisë, por çdoherë ekzistojnë edhe raporte të caktuara në relacionin demokraci brendapartiake-demokraci shoqërore dhe anasjelltas.
Sa u përket tendencave oligarkike, është e qartë se ato janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me demokracinë interne. “Me oligarki nënkuptojmë sistem të atillë të raporteve brendapartiake, në të cilat ndikim vendimtar në marrjen e të gjitha vendimeve ka grupi i ngushtë udhëheqës”. Është e paqëndrueshme të flitet për parti politike plotësisht të demokratizuara, ose për parti politike ku janë të pranishme vetëm tendencat oligarkike. Domethënë, te të gjitha partitë politike përveç tendencave oligarkike i hasim edhe tendencat demokratike, kështu siç thotë Goati: “Ligjin e hekurt të demokracisë” si shprehje e një tentative të përhershme të anëtarësisë, e cila angazhohet që të ketë ndikim vendimtar në organizatën që ajo i takon.
Oligarkia në partitë politike dallon jo vetëm sipas pushtetit që e ka bërthama partiake, por edhe nga numri i personave që e përbëjnë vetë grupin që është vendimmarrës. Ai grup që në të vërtetë luan rol vendimtar në marrjen e vendimeve partiake, mund të numërojë disa dhjetëra njerëz, por nganjëherë edhe një person të vetëm. Në qoftë se i tërë pushteti është i përqendruar në një person, atëherë bëhet fjalë për “monokrati” me të cilën nënkuptojmë “dominimin e një personi në marrjen e vendimeve të rëndësishme për një grup”. Është normale se ekziston një bashkëpunim ndërmjet “monokratit” dhe udhëheqësve të tjerë partiakë, megjithatë ata çdoherë janë më shumë të varur nga ai se ai nga ata.
Praktika e veprimit të partive politike dëshmon qartë se tendencat oligarkike të cilat lindin vetvetiu nuk korrespondojnë me demokracinë dhe demokratizimin e shoqërisë. Aq më shumë në qoftë se merret për bazë fakti se përfaqësuesit në parlament (deputetët) më shumë varen nga udhëheqësitë partiake sesa nga elektorati, që do të thotë se në instancë të fundit ata janë të detyruara që më shumë të angazhohen në realizimin e interesave të bërthamave partiake sesa të elektoratit që i ka votuar. Fuqia apo pushteti i vërtetë politik përqendrohet në strukturat brenda partisë, në ç’rast vendimet me rëndësi të veçanta i sjell oligarkia partiake. Në fakt ajo që konceptohet në oligarkitë partiake jetësohet në mbledhjet e parlamentit dhe qeverisë. Në princip edhe oligarkitë partiake nuk janë të gjithëfuqishme. Ato janë ngushtë të lidhura me qendrat e ndryshme financiare me ç’rast krijohen raportet e varshmërisë së ndërsjellë.
Brenda partive politike në momente të caktuara vjen deri te formimi i biznis-lobeve. Në shtetet ku nuk funksionon shteti i tij juridik është thuajse dukuri normale që oligarkitë partiake nëpërmjet mekanizmave politike të vijnë deri te pozitat e volitshme ekonomike që më vonë kur t’i humbin pozicionet politike, me mjetet financiare që i kanë në dispozicion edhe më tutje ta kontrollojnë pushtetin politik. Domethënë, në rrethin magjik të lojës së pushtetit dhe lojës për pushtet oligarkitë partiake janë aktorë kryesor. Brenda bërthamës oligarkike vend qendror ka lideri partiak i cili e luan rolin e “amzës” dhe nga ai varet me të madhe fati i tërë oligarkisë partiake.
Tendencat oligarkike shihen shumë më qartë në shtetet që gjenden në fazën nismëtare të zhvillimit të pluralizmit partiak, dhe shtetet ku mungojnë kultura politike dhe tradita demokratike. Këto tendenca janë mjaft të dëmshme për partitë politike të kolektiviteteve kombëtare që nuk kanë status të barabartë politiko-juridik më kolektivitetet tjera, të cilat në të vërtetë duke mos pasur shtet ose status të definuar shtetëror, angazhohen për marrjen e pushtetit. Oligarkitë partiake të partive në fjalë shumë lehtë bien në kurthin e shtetit dhe shmangen nga parimet e tyre fillestare të definuara me dokumentet partiake. Kështu, ato duke u angazhuar për interesa që as për së afërmi nuk korrespondojnë me premtimet e dhëna trupit zgjedhor, për mosefikasitetin e vet janë të prira ta fajësojnë tërë botën por jo edhe vetveten. Parametër më qartë i mosefikasitetit dhe tendencave oligarkike të partive pa tradita demokratike janë vetë zgjedhjet elektorale. Partitë të cilat janë më të shprehura tendencat oligarkike zakonisht janë parti “mandat politik mjaftë të kufizuar”. Praktika e disa shteteve në tranzicionit flet qartë se ato nuk mund të qëndrojnë në pushtet më shumë se një mandat katërvjeçar.
Në këto shtete e gjithë kjo manifestohet me kërkime të përhershme të trupit zgjedhor për ta gjetur “partinë e vërtetë”, “partinë shpëtimtare”, që si dukuri e dobëson fuqinë politike dhe e shtynë më shumë ose më pak realizimin e disa proceseve të domosdoshme. Me një dukuri të këtillë tanimë dy dekada e më tepër ballafaqohet pjesa e kombit shqiptar që jeton në shtetin e Malit të Zi. Kjo popullatë disa mandate me radhë bën përpjekje serioze që ta gjejë partinë “e vërtetë” politike, partinë e cila do t’u qëndrojë besnike premtimeve të dhëna dhe tërësisht do të vihet në shërbim të së përgjithshmes, respektivisht kombëtares.
Nga kjo që thamë më lartë lirisht mund të përfundojmë sesa më të shprehura janë tendencat oligarkike në partitë politike, aq më të dobëta janë mundësitë e zhvillimit të vlerave demokratike si përbrenda partisë ashtu edhe jashtë saj. Sipas një rregulle të pashkruar, që çdo gjë që ndodh brenda partive politike të mbetet fshehtësi, është vështirë të identifikohen tendencat oligarkike brenda partive. Megjithatë, përsëri poshtë a lart mund të përcaktohen indikatorët e mundshëm që janë katalizatorë të drejtpërdrejtë të tendencave në fjalë. Tendencat oligarkike me gjuhën e rëndomtë nënkuptojnë përqendrimin e pushtetit të vërtetë, pra fuqinë vendimmarrëse në duart e një grupi më të vogël të individëve dhe liderit partiak, domethënë “më të merituarve”.
Për të pasur njohuri fillestare për atë se çfarë procesesh zhvillohen brenda partive politike, oligarkike ose demokratike, me rëndësi të veçantë është të disponohet me njohuri: si bëhet distribuimi i pushtetit përbrenda partisë politike; kush ka ndikim vendimtar në çështjet kadrovike; si bëhen zgjedhjet brendapartiake; sa vijnë në shprehje mendimet që nuk korrespondojnë ose janë në kundërshtim me qëndrimet e bërthamës partiake; a sanksionohet politika e gabuar, respektivisht mossuksesi në zgjedhjet elektorale; a nënkupton edhe dorëheqjen e personaliteteve kyç në parti përfshirë këtu edhe liderin partiak si person me më shumë përgjegjësi si për fitoren ashtu edhe për humbjen eventuale; cila është hapësira manovruese politike e liderit të partisë; respektivisht a i ka ai duart e lira të marrë vendime pa i konsultuar organet më të larta partiake; kush e merr vendimin për lidhjen e koalicioneve eventuale gjatë zgjedhjeve ose për pjesëmarrje eventuale në qeveritë e koalicionit; organet kompetente partiake ose një grup i personave mirë të pozicionuar që i takojnë bërthamës partiake etj. Këto janë vetëm disa nga parametrat që duhet të merren parasysh gjatë analizave të raporteve brendapartiake.
