Pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë ndaj Ukrainës nisi në shkurt të vitit 2022 dhe ky është dimri i tretë që Rusia vazhdon sulmet ndaj Ukrainës, ndërsa fundi i kësaj lufte nuk shihet.
Se lufta në një të ardhme mund të përshkallëzohet dhe zgjerohet edhe më shumë, këtë nuk e kanë përjashtuar udhëheqës të shteteve evropiane. Ata janë duke paralajmëruar publikun e tyre se duhet përgatitur për t’u konfrontuar me Rusinë.
Në një kronikë që Radio Evropa e Lirë ia kushton kësaj tematike, theksohet se janë të paktën tre shtete evropiane të cilat kanë paralajmëruar se Rusia mund ta sulmojë njërin nga vendet e Aleancës Ushtarake të NATO-s.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Rumanisë, gjenerali Gheorghita Vlad, ka thënë se e gjithë Evropa duhet të shqetësohet për qëllimet e Rusisë.
Ai, përmes emisionit “Expose” të drejtuar nga gazetarja Valona Tela, ka thënë se vendi i tij duhet të miratojë urgjentisht një kornizë ligjore, e cila do t’u mundësonte vullnetarëve civilë, të ndjekin trajnime ushtarake.
“Mendoj se Federata Ruse nuk do të ndalet në Ukrainë. Nëse fiton në Ukrainë, shënjestër e saj e radhës do të jetë Moldavia. Do të shohim tensione edhe në Ballkanin Perëndimor. Unë jam më se i bindur se presidenti Rus, Vladimir Putin, do t’i përshkallëzojë politikat e tij në të ardhmen e afërt”, është shprehur gjenerali Vlad.
Ndërkaq, edhe ministri i mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius ka thënë se presidenti, gjithnjë e më luftarak i Rusisë, Vladimir Putin, mund ta sulmojë Aleancën Ushtarake të NATO-s, në më pak se një dekadë.
“Ne dëgjojmë kërcënime nga Kremlini pothuajse çdo ditë, kështu që duhet të kemi parasysh se Vladimir Putin mund të sulmojë edhe një vend të NATO-s. Sipas ekspertëve tonë, kjo mund të ndodhë brenda pesë ose tetë vjetësh” është shprehur ai.
Në lidhje me zgjerimin e mundshëm të sulmeve të Rusisë ka reaguar edhe Suedia ku është thënë se të gjithë suedezët duhet të përgatiten mendërisht për mundësinë e luftës.
Micael Byden, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Suedeze, është shprehur se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është vetëm një hap, jo një lojë përfundimtare. “Unë nuk dua t’i shqetësoj njerëzit, por dua që ata të mendojnë për situatën dhe për përgjegjësitë e tyre”, është shprehur ai.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për transmetuesin gjerman, ARD është shprehur se nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak kundër ndonjë vendi anëtar të NATO-s.
“Megjithatë, kryetari i Komitetit Ushtarak të Shefave Kombëtar të Aleancës së NATO-s, Rob Bauer, ka thënë me 17 janar se vendet e NATO-s duhet të jenë alarm i kuq për luftë dhe të presin të papriturën. Vetë Kremlini përmes zëdhënësit Dimity Peskov ka thënë se, zyrtarët evropianë që flasin për perspektivën e luftës me Rusinë, përpiqen ta portretizojnë Moskën si armike. Por, jo të rralla kanë qenë rastet kur presidenti Putin ka kërcënuar në mënyrë indirekte vendet e NATO-s që ndihmojnë Ukrainën me armatim dhe logjistikë”, transmetohet në këtë kronikë. Më tutje theksohet se Putin ka thënë se Rusia ka më shumë armë bërthamore se vendet e NATO-s.
Ndërkaq, për sulmet e mundshme ruse ka folur për të njëjtin emision edhe gjenerali i pensionuar i ushtrisë amerikane, Douglas Lute, i cili ka thënë se secili që ka qenë i vëmendshëm gjatë dy vjetëve të fundit, i merr seriozisht kërcënimet nga Vladimir Putin.
“Ai ka dëshmuar se është i gatshëm të thyej çdo rregull ndërkombëtar të vendosur gjatë 75 vjetëve të fundit e deri te Karta e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila rregullon parimet e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial. Pra, nëse ai është i gatshëm të thyejë Kartën e OKB-së dhe çdo marrëveshje tjetër të madhe ndërkombëtare, atëherë kërcënimet e mundshme ndaj territoreve përtej Ukrainës, janë të besueshme”, është shprehur Lute.
Kronika në fjalë, ndër të tjera, bën të ditur se shqetësimet e evropianëve për sulmet e mundshme ruse janë shtuar nga rritja e madhe e shpenzimeve për ushtrinë dhe industrinë e armëve në Rusi, ku kjo e fundit, sipas disa dokumenteve që kanë rrjedhur vitin e kaluar, Rusia do ta rrisë buxhetin ushtarak për vitin 2024, për gati 70 për qind, përkatësisht në njëqind e shtatë miliardë euro.
“Me rregullat e NATO-s, 31 vendet anëtare, duhet të shpenzojnë së paku 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për mbrojtje, por jo të gjitha e bëjnë këtë. Kolektivisht NATO-ja i ka rritur shpenzimet në mbrojtje për rreth 139 miliardë dollarë, që nga viti 2014, kur Rusia ka pushtuar Ukrainën për herë të parë”, thuhet në këtë kronikë.
Ndërkohë, siç njoftohet, Aleanca e NATO-s aktualisht është duke testuar gatishmërinë e saj në një stërvitje të gjatë ushtarake që ka filluar në fund të janarit dhe që do të zgjasë deri në fund të muaji maj. Me 90 mijë trupa të përfshira, ajo konsiderohet si më e madhja e NATO-s që nga fundi i luftës së ftohtë.
Ndërkaq, gjenerali i pensionuar i ushtrisë amerikane Douglas Lute, ka shpalosur se çfarë duhet të jetë në krye të planeve të Aleancës së NATO-s, që ajo të modernizohet duke potencuar se NATO-ja duhet t’i japë përparësi sistemit të integruar të mbrojtjes ajrore dhe raketore.
“NATO-ja nuk ka sistem të integruar sikurse ai që mbron Ukrainën sot, dhe ky duhet të jetë një shqetësim për të gjithë aleatët. Ukraina e ka mbrojtjen ajrore dhe raketore më të sofistikuar në Evropë dhe prapë nuk është mjaft. NATO-ja ka folur në të kaluarën për prioritizimin e mbrojtjes ajrore dhe raketore, por unë mendoj se kërcënimi tani është shumë më real”, është shprehur Lute.
Ai gjithashtu ka shprehur një shqetësim tjetër, atë të rikthimit të mundshëm të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, pasi gjatë kohës sa ka qenë president, nënvizon kronika, Trump ka kërcënuar se do ta lërë NATO-n, ndërsa së fundi ka pasur raporte se ai është zotuar se nuk do t’i ndihmojë aleatët nëse ndonjëri sulmohet.
t. u.
