
Kështu tha javën e kaluar në Oslo të Norvegjisë, Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. I ftuar në mbledhjen vjetore të Konfederatës së Ndërmarrjeve të Norvegjisë më 5 janar 2023, kreu i Aleancës së Atlantikut Verior theksoi se “armët në fakt sigurojnë paqen” dhe shtoi se “nuk do të ketë paqe të qëndrueshme në qoftë se shtypjet dhe tirania triumfojnë mbi lirinë dhe demokracinë”. Ai nënvijoi nevojën që aleatët në NATO të investojnë më shumë për mbrojtjen e përbashkët, të eliminojnë varësinë nga regjimet autoritare dhe të jenë të bashkuara në mbështetje të lirisë dhe të demokracisë”.
Z. Stoltenberg e përqendroi fjalimin e tij në agresionin rus kundër Ukrainës dhe bëri thirrje për kujdes ndaj regjimeve të tjera autoritare siç është Kina. Sipas tij, gjendja aktuale në Ukrainë “është pjesë e një politike ku Moska përdor forcën ushtarake për të realizuar objektivat e saj politike”. Lufta në Ukrainë, vazhdoi Stoltenberg, nuk ka filluar shkurtin që kaloi por në vitin 2014, kur Moska ka aneksuar Krimenë dhe Ukrainën Lindore. Në fjalimin e tij, udhëheqësi i NATO-s paralajmëroi në Oslo se në qoftë se Putini fiton në Ukrainë, kjo do të ishte një tragjedi jo vetëm për ukrainasit, për mbarë botën, por edhe për ne.
Optimizmi për një Evropë të bashkuar e në paqe, pas shembjes së Murit të Berlinit është zëvendësuar, tha Stoltenberg me “regjime autoritare që po shtohen dita-ditës, ndërkohë që demokracia është në rënie dhe globalizmi ka marrë tatpjetën”.
Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s paralajmëroi se “nuk do të ketë paqe të qëndrueshme në botë, në qoftë se shtypjet dhe tirania triumfojnë mbi lirinë dhe demokracinë”. Ai theksoi se “pa marrë parasysh se kur e si do të marrë fund kjo luftë, ne duhet të pranojmë se gjendja e sigurisë në Evropë ka ndryshuar përgjithmonë”. Regjimi i Moskës do dëshironte një Evropë tjetër, është shprehur z. Stoltenberg, duke shtuar se Moska “dëshiron të kontrollojë vendet fqinje, ndërsa e shikon lirinë dhe demokracinë si kërcënim për objektivat e saj, diçka që e ka vendosur Rusinë në një konflikt të vazhdueshëm me Perëndimin”.
“Varësia tek regjimet autoritare është e rrezikshme”, vazhdoi ai, duke u kujtuar të pranishmëve se disa kohë më parë shumë njerëz besonin se blerja e gazit nga Rusia ishte thjeshtë një çështje tregtare. “Realiteti është se tregtia është gjithashtu edhe një çështje politike. Ka të bëjë me sigurinë tonë. Tregtia gjithashtu është edhe politikë!”, ka theksuar Stoltenberg. Ai u tha të pranishmëve, por edhe një audience evropiane jashtë sallës se duhet pasur kujdes që ai gabim me Rusinë të mos përsëritet më me regjime të tjera autoritare, duke përmendur specifikisht Kinën si një prej atyre vendeve. “Interesat afatshkurtra ekonomike nuk duhet të përdoren kurrë në dëm të interesave themelore kombëtare”, është shprehur Stoltenberg. Ai paralajmëroi edhe kundër asaj që ai e cilësoi si një “bashkëpunim në rritje e sipër midis regjimeve autoritare”, duke venë në dukje bashkpunimin midis Moskës dhe Pekinit, “një partneritet strategjik dhe pa kufi”, siç është cilësuar nga ata vetë.
Regjimet autoritare janë regjime të ndryshe të cilat promovojnë një rend tjetër botëror, tha udhëheqësi i Aleancës ushtarake të Atlantikut Verior në fjalimin e tij në Oslo. “Ato regjime promovojnë vlera që dhunojnë e shkelin vlerat tona të lirisë e demokracisë. Prandaj është e rëndësishme që të gjithë ne që besojmë në liri e demokraci të jemi të bashkuar përballë regjimeve autoritare pasi ne ndajmë të njëjtat vlera me njëri tjetrin”, ka përfunduar z. Stoltenberg fjalimin e tij drejtuar Konfederatës së Ndërmarrjeve Norvegjeze në Oslo të enjten e kaluar. Siç duket, z. Stoltenberg paralajmëroi edhe disa vende anëtare të NATO-s me regjime me prirje autoritare siç është edhe Shqipëria, që të mbrojnë lirinë e demokracinë në vendet e tyre dhe të rrinë larg nga regjimet autoritare dhe të “mbrojnë interesat e tyre kombëtare”. Prandaj, në qoftë se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s është e interesuar të mbrojë lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët, Tirana zyrtare do të bënte mirë që të dëgjonte këshillën dhe paralajmërimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së NATO-s, z. Jens Stoltenberg, se pushtimi i
Ukrainës nga Vladimir Putin tregon pse vendet që e konsiderojnë veten demokratike duhet të jenë të kujdesshme në marrëdhëniet e tyre me vendet që botërisht njihen si regjime autokrate, tiranike dhe antidemokratike. “Varësia tek regjimet autoritare është e rrezikshme”, paralajmëroi Stoltenberg.
Fatkeqësisht Shqipëria zyrtare por edhe disa elementë në Kosovë lakmojnë ende nga Lindja – megjithëse kombi shqiptar ka vuajtur 500 vjet nën pushtimin turk, gjysëm shekulli nën diktaturën më të egër komuniste sllavo-aziatike në Evropë, shkatërrimin e identitetit kombëtar nën revolucionin kulturor kinez. Por edhe me gjithë plagët e freskëta e të pashëruara të luftës së fundit në Kosovë të terrorit serb për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore, e të tjera fatkeqësi ndërkombëtare të shqiptarëve nën sundimin ose influencën e tiranive të huaja, disa prej të cilave Tirana zyrtare i ka shpallur “partnerë strategjikë”. Z. Stoltenberg e këshillon Tiranën dhe të tjerët me prirje autoritare lindore: duart larg prej tyre.
Ndërsa shqiptarët e lodhur me sundimet e diktaturave të huaja ndër shekuj dhe nga influencat majtiste autoritare sllavo-aziatike, po largohen masivisht si në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut drejt Perëndimit. Ndërkohë që liderët e tyre politikë shikojnë gjithnjë nga Lindja dhe flirtojnë me liderët më autoritarë që njeh sot bota mbi faqen e dheut, si Vuçiq, Erdogan, Putin, e të tjerë. Për fat të keq, megjithëse historikisht kombi shqiptar ka treguar gjithmonë dhe me shumicë prirjet dhe preferencat e tij pro-perëndimore se është pjesë e Evropës dhe e Perëndimit, liderët shqiptarë prapë se prapë nuk ndjekin dëshirat e kombit të vet, por interesat personale dhe anti-demokratike, andaj shikojnë e lakmojnë nga Lindja, 30 e sa vjet nga shembja e Murit të Berlinit. Duket se atje në Lindje, si ndjekës të autoritarizmit sllavo-aziatik, liderët shqiptarë sot e gjejnë veten më rehat në shoqërinë e autoritarëve dhe tiranëve të lartpërmendur që sipas Stoltenberg, po sjellin botën mbrapsht duke kërcënuar lirinë dhe demokracinë e popujve, se sa në rrethin e udhëheqësve perëndimorë siç është Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
As liria e demokracia, por as atdhetarizmi i vërtetë, as siguria e përbashkët perëndimore nuk promovohen me çanta grashë me flamurin shqiptar me një çmim prej mijëra dollarësh, ose me orë zvicerane me portretin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. E vërtetë se flamuri shqiptar është më i bukuri në botë (jo meritë e këtyre) dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte kryetrim dhe mbetet jo vetëm kryetrimi dhe i përgjithëmonshëm i kombit shqiptar, por edhe shpëtimtari i Evropës. I asaj Evrope nga e cila klasa aktuale politike shqiptare po e largon gjithnjë e më shumë kombin shqiptar në favor të bërjes biznes me autokratët dhe tiranët sllavo-aziatikë të Lindjes. Po e largojnë Shqipërinë dhe shqiptarët nga Evropa e lirë e demokratike, ku e duan shumica dërmuese e shqiptarëve, por që klasa aktuale politike nga dita në ditë dhe nga viti në vit, po e bën Shqipërinë pjesë të një aleance autoritarësh e tiranësh modernë lindorë, historikishtë pushtues e zaptues të tokave dhe shkatërrues të identitetit kombëtar të shqiptarëve ndër shekuj. Kombi shqiptar nuk ka pasur as nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat dhe as me “kulturën” e këtyre tiranëve. Këta tiranë, autokratë, përfaqësues regjimesh diktatoriale të Lindjes sllavo-aziatike, “promovojnë vlerat që dhunojnë e shkelin besimin dhe vlerat tona të përbashkëta të lirisë e demokracisë”, në favor të “një rendi të ri botëror” anti-demokratik, ishte paralajmërimi dhe thelbi i mesazhit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Oslo.
