“Nostradamusët” e Ulqinit

Silver Korda

(Vijon nga numri i kaluar)

(Insert nga libri i Sami Misherrit “Shika detin e shif Perendinë”).

  • “Nuti kishte pas shkuar në Ullishtë të marrë dru, që kishin mbetur prej krasitjes së ullinjve. Në momentin kur Nuti drutë i gatoi për ngarkimin në gomar, Ramoja që ishte duke kaluar atypari, pas përshëndetjes që i bëri, e pyeti: -Nuto, a mund t`mi japësh disa dru të ullirit se po më duhen.
  • Merr sa të duash e pa dhimbje, se krasitja mka qitur dru boll, i tha Nuti. Atëherë Ramoja filloi ti ndajë drutë dhe i zgjodhi të holla dhe fare të drejta, që asi lloji kishte fare pak, sepse dihet se druri i ullirit ishte shumë i shtrembër dhe karakteristik, në krahasim me drutë tjera të pyllit.
    Nuti, që kishte pasur mendim që drutë e holla e të drejta ti përdor për perime që kishte mbjellë në kopsht, Ramos nuk i tha asnjë fjalë... Ramoja vazhdoi të zgjedhë dru dhe kur përfundoi, i çoi në krah dhe pa përshëndetje u nis. Në një moment Nuti mendoi me vete: - “Pa pse ky i morri veç drutë e holla e të drejta, të cilat shumë po më duhen për kopsht, kur ka me sasi dru të trasha e shumë të mira”? -(që Ramos i duhen për prodhimin e eshkëve). Pasi që u largua dhe kaloi disa sofa ullinjsh, Ramoja u kthye përsëri në sofë, ku punonte Nuti, dhe i shkarkoi nga krahu drutë që kishte marrë. – Pse po i kthen drutë, Ramo, merri se ti kam bërë hallall, a nuk po sheh sa shumë i ka falë Zoti?! – iu drejtua Nuti Ramos dhe, pa dashje, iu duk sikur Ramoja e “ndjeu” atë që ai mendoi kur Ramoja i zgjodhi të gjitha drutë e holla dhe të drejta.
    Atëherë Ramoja i tha:
    – Jo, nuk u pendova, por në qoftë se më lejon, unë kisha marrë në vend të tyre disa tjera.
    – Merri, more jahu, pa dhimbje, se smund ti harxhoj n`këtë dimër, – i tha Nuti.
    Atëherë Ramoja i zgjodhi drutë fare të shtrembëta, që mezi mund të vendosen në lagun e samarit dhe u largua fare.”!
    Nut Cungu ka qenë fetar dhe kur ia tregoi këtë ngjarje shokëve të punës, ka ra shehadet dhe ka falë lutjet. Nuti ishte i bindur se Ramo Thesi ia ka “dëgjuar” mendimin e tij telepatikisht, se kjo dhuratë psikospirituale, telepatike i ka zbritur nga Zoti.

MAHMUT NUTO CUNGU
Një djalosh ulqinak, në moshën e tij 18, 19 vjeçare, rreth vitit 1969/1970, kishte vendosur ta jepte provimin e ngasjes së makinës. Këtë “hyqajet” ma tregoi tani 74 vjeçari, duke pirë kafe kah fundi i tetorit këtë vit-2024.
Herën e parë nuk e kaloi provimin. Herën e dytë shkoi te “axha” Nuti dhe iu lut atij që t’i japë një “prognozë” se a do ta kalonte testin? Nuti u përgjigj me një gjest dore, me domethënie, se nuk ka shpresë… Ashtu edhe ndodhi, e nuk e kaloi provimin. Për çdo 2 deri 3 muaj, djaloshi i ri provonte përsëri fatin e tij, por çdo herë shkonte te “axha” Nuti para provimit me të njëjtën pyetje, në të cilën Nuti veç shkurt me gishtin tregues të ngritur i jepte shenjën e domethënies “Jo”. Ky çdo herë i jepte Nutit një shumë parash modeste dhe kështu u bënë nëntë herë që përsëritej e njëjta përgjigje.
Herën e dhjetë para provimit erdhi djaloshi i pafat të “axha” dhe Nuti menjëherë i tha: “Sot ke fat dhe do ta dorëzojnë patentin e ngasjes së makinës pa folur asnjë fjalë”! Djali u gëzua shumë dhe i dha edhe kësaj herë një “honorar” dhe iku. Si hyri në zyrën e provimit, e priti një instruktor te dera dhe ia dorëzoi patentin dhe i tha “ik tash”!
Nuto Cungu ka pasur edhe një aftësi dhe fuqi, dhuratë nga Zoti, që njerëzit t’i shërojë vetëm me pështymën e tij që e lyente me gisht në vendin e dhembjes, lëndimit, apo varrës, por edhe kafshimit të gjarprit më lutje të ajeti Kur`anor. Ai ishte Dervish me aftësi mistike, por fetar dhe njeri modest.

  • Shiu bie në tokë të vet, ska punë me mua Sidomos mbahet ndërmend një ngjarje, ku shumë ulqinakë ishin nisur në një gosti syneti në Kodra (periferie e Ulqinit). Ishte vjeshtë, binte shi dhe pa ceradë do të bëheshin “hurdhiq”. Edhe Nuti ishte i ftuar në këtë gosti dhe ishte duke ecur në drejtim të Kodrave, kur një grup ulqinakësh të mbuluar me një ceradë të madhe, kur e panë Nutin u ndalën dhe e thirrën: – Hajde Nuto me ne, se pa ceradë deri në Kodra bahesh “qull”. – Shkoni ju, se shiu bie në tokë të vet ska punë me mua”- i tha Nuti.
    Nuk e pyetën më se e dinin që Nuti nuk flet dy herë. Kur arritën në shtëpinë ku mbahej gostia, nën strehë të oborrit e takuan Nutin pa u lagur fare i “thatë si baroti”, edhe pse shiu vazhdonte të binte pa ndërprerë me stuhi. Të gjithë mbetën të befasuar, por asnjëri nuk e pyeti fare, e Nuti nuk e kishte zakon të flasë pa e pyetur kush.
  • Nga libri i Sami Misherrit

JUSUF CUFO BAZI (PELINKU)
Në vitin 1964/65, vëllai im Ahmet-Meto Korda ka punuar në shitoren e OTP (Sipërmarrja e përgjithshme tregtare) në Ulqin, në shitoren “Gvozhgjara” (Hekuri), në Mezjah/Pazar të vjetër ku atëherë ishte shitësi kryesor rahmetli Emro Katana. Shpesh vinte në “vizitë” Cuf Bazi dhe me një rast qëlloi aty kur një blerës kishte marrë bajagi mall dhe pyeti sa kushton ky material që ai bleu? Emro Katana iu përgjigj: – Më parë t’i bëj hesap -dhe ia nisi të shkruajë… në atë sekondë Cuf Bazi si nga pushka tha me zë: 1.345 dinar e 25 pare”. Kur e llogariti Emroja, tha: “…saktë në pare. Po si e dite ti more burrë?” Cufi nuk tha asgjë dhe u largua.

“Digitroni” Ulqinit
Tregtarët e vjetër të Ulqinit, të cilët shitnin bostanin (shalqinin), perimet dhe pemët e ndryshme në Dubrovnik dhe gjetiu në bregdetin Adriatik, mirëpo nuk kishin mjete teknike si digitron për llogaritje të shumave që u duheshin të paguanin blerësit, e merrnin Cufo Bazin me vete, i cili ua lehtësonte punën dukshëm me aftësitë e tij matematikore absolutisht precize dhe të sakta. Cufi fitonte pare të mira duke u marrë kryesisht me “kontabilitet” të shumë tregtarëve ulqinakë.
Siç flitej atëherë, një familje e zhgënjeu dhe tradhtoi kur ia përvetësuan fitimin e tij. Kjo ngjarje e goditi rëndë edhe në psikikë dhe Cufi ia filloi rrugëve te Ulqinit në “ekstazat” e tij psikike të bërtasë me krejt zërin e tij duke e përsëritur një parullë; “Min taka tuk… min taka tuk..”*, por askush nuk dinte se çfarë do të thoshte kjo. Pasi që kjo manie e Cufit me kohë u bë pengesë e qetësisë publike dhe frikësoheshin fëmijët në rrugë nga ai, e dërguan një ditë në Klinikën psikiatrike në Dobrotë të Kotorrit. Aty psikiatrit ia tregonin një fuçi pa fund dhe një kovë uji dhe i thanë që ta mbush këtë fuçi me ujë. Cuf Bazi iu përgjigj: – Deri në gjysmë e mbushi unë, e nga gjysma ju! E liruan menjëherë dhe e lejuan të kthehet në Ulqin.

Shumë shpesh duke bërtitur e shprehte shpesh edhe këtë profeci: se në ditën e vdekjes së tij “ka me u dridh toka” (do të ketë termet)! Dhe, më 05.11.1968 Ulqini pësoi një termet shumë të rëndë, kurse Jusuf Cufo Bazi vdiq një ditë më vonë.

  • “Min taka tuk..” = të pa besë, pa fe, injorantë, keqpërdorues të besimit.. (arab.).

Të fundit

më të lexuarat