Njerëzit po humbin gjithçka të vlefshme dhe të mirëqenë në jetën e tyre

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Për shumë studiues që ndjekin deklaratat e njerëzve “të mëdhenj” të botës të sotme, të grupeve që posedojnë kapitalin dhe të politikanëve që janë ushtarët e tyre, nuk është aq “ekuacion” i vështirë që të shohin se ndryshimi ka filluar, por presin të shohin nëse të panjohurat e këtij “ekuacioni” do të ecin me ritëm të shpejtë apo të ngadaltë?! Ata e kanë të qartë se shkenca është një metodë për të treguar të vërtetën për botën fizike, mënyrat për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të njohur më mirë botën ku jetojmë. Mjekësia në kuadër të saj, është si një “hallkë” e sistemit aktual botëror, e bazuar mbi përvojat dhe kërkimet shkencore, që ka në dorë metodat e ruajtjes së shëndetit njerëzor dhe mundësinë për parandalimin ose trajtimin e një sërë sëmundjeve me një teknikë të avancuar. Kjo është një e vërtetë e njohur për të gjithë, por kush mund ta mohojë se këto “resurse” janё tё lidhura ngusht me industrinё dhe pёrfitimet financiare të shumë grupeve të interesit!
Ata mund të dyshojnë se edhe shkenca u korruptua për të lejuar “lojën e madhe” të idesë së Skiner-it, duke përgatitur terrenin me rezultatin e trazirave ekonomike që i ka futur zinxhirët globalë të furnizimit, tregjet e aksioneve, industrinë ajrore, tregjet e naftës dhe Bankën Qendrore në një rrëmujë të furishme [Int Rev Financial Analysis, 2020]. Investimet në kërkime shkencore ka kohë që janë reduktuar dukshëm. Në dekadën e fundit, financimi për Institutin Kombëtar të Shëndetit të SHBA-së [NIH] ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, duke humbur rreth 20% të kapacitetit financues për shkak të shkurtimeve buxhetore, sekuestrimit dhe ndikimit të inflacionit [Science, #367/2020]. Në Australi, investimet e qeverisë në kërkim dhe zhvillim ishin të nivelit më të ulët në katër dekadat e fundit [Nature, #25/2018]. Në Evropë, një program gjigant kërkimor i 28 vendeve anëtare ka stagnuar në një disavantazh të dukshëm!
Sot, të gjitha demokracitë perëndimore po ecin në të njëjtin drejtim dhe ekonomia globale po përballet me kriza serioze. Recesioni global është më i thelli nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në një moment, më shumë se 80 vende mbyllën kufijtë e tyre dhe urdhëruan bizneset të mbylleshin, duke detyruar popullsinë të vetë-karantinoheshin dhe ndërprenë shkollën për rreth 1.5 miliardë fëmijë [The Economist, 17.3.2020]. Organizata Ndërkombëtare e Punës [ILO] publikoi në janar 2021 një raport, ku vlerësoi se 93% të punëtorëve të botës punonin në një formë të kufizuar ose nuk punonin fare. Ajo vlerësoi gjithashtu 5.3% humbje globale të të ardhurave të punëtorëve vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2021, duke parashikuar njëkohësisht një rënie për 75 milionë vende pune në vitin 2021 dhe 25 milionë për vitin 2022, krahasuar me numrin e vendeve të punës që ishin parashikuar të krijoheshin në mungesë të pandemisë [International Labour Organization, qershor 2021]. Në këtë mënyrë është rritur varfëria e atyre që kanë qenë të varfër dhe e atyre që kanë mbetur pa punë!
Në tetor 2021, “International Monetary Fund” publikoi të dhënat që tregojnë për një rënie globale ekonomike prej -3.2% (f. 6), përkatësisht rreth 87.55 bilionë dollarë, sipas FMN-së (8.06.2021). UNCATED [30.6.2021] ka raportuar vetëm për sektorin e turizmit ndërkombëtar, një humbje globale prej rreth 4 bilionë dollarësh për 2020-2021. Por ajo më shqetësuesja është se njerëzit po pёrballen me humbjen e gjithçkaje të vlefshme dhe të mirëqenë në jetët e tyre. Humbёn kontaktet sociale, kontaktet fizike, humbi siguria, perspektiva pёr tё ardhmen, planet, projeksionet, humbёn lirinё dhe iluzionet tё cilat i lejonin tё jetojnё pёrditshmёrinё pa u tkurrur nga frika e sё panjohurёs, e sё ardhmes dhe frika e kufizimeve të tyre. Sepse arritja më e madhe e njerëzimit në 300 vitet e fundit nuk është shkenca, mjekësia apo teknologjia, nuk janë aeroplanët, interneti, antibiotikët, energjia elektrike dhe as interneti, por lindja e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut, dhe pikërisht humbja e këtyre është tepër shqetësuese!
Kriza aktuale u ka shkaktuar shumë frikë dhe droje për gërryerjen e lirive civile. Ata nuk shqetësohen shumë për masat e përkohshme për shpëtimin e jetëve njerëzore, por për rrezikun që këto “masa të përkohshme” të mbeten “masa të përhershme”! Historia u ka treguar vazhdimisht se ata që sakrifikojnë lirinë për sigurinë – nuk do ta kenë asnjërën! Frika tek ata, qëndron virusi më i rrezikshëm, sepse në kushte të këtilla edhe njerëzit e sjellshëm kthehen kundër njëri-tjetrit! Etërit themelues të Amerikës ishin shumë të vetëdijshëm për këto realitete dhe prandaj pohuan: “Më jep lirinë ose më jep vdekjen”, sepse ata e dinin se pa liri, siguria është një premtim bosh. Po kështu edhe ish-kryetari Regan, në një fjalim të mbajtur pati thënë: “Juve dhe mua na thuhet gjithnjë e më shumë se duhet të zgjedhim midis të majtës apo të djathtës. Epo, unë do të doja t’u sugjeroja se nuk ka gjë të tillë as të majtë as të djathtë. Ekziston vetëm… e fundit në lirinë individuale në përputhje me ligjin dhe rendin, ose deri te një pëlhurë milingonash drejt totalitarizmit… ata që do ta shkëmbejnë lirinë për sigurinë vetëm se kanë hyrë drejt kësaj rruge” [Washington Times, 11. 5. 2020].
Sot nuk jetojnë më ata që mbajnë mend kohën e Hitlerit, kur në vitin 1933, për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe kërcënimit të fuqisë së jashtme armiqësore, arriti të bindë popullin gjerman që të braktiste të drejtat e tyre demokratike në favor të një diktature. Pas 11 Shtatorit 2001, kur Xhorxh Bush i kërkoi gjykatës pëgjimin e amerikanëve “për sigurinë e tyre”, u vendos “The Patriot Act”, që ishte shkelja më e madhe e të drejtave në privatësinë historike të Amerikës. Pas 12 vjetësh Eduard Snouden arriti të zbulojë spiunazhin që NASA u bënte qytetarëve amerikanë pa asnjë urdhër përmes regjistrimeve telefonike nga kompanitë e komunikimit digjital për “qëllime të sigurisë kombëtare”! Falë sakrificës së Snouden-it, qeveria amerikane u detyrua të anulonte shumicën e këtyre programeve.
Por, nuk janë të paktë njerëzit e niveleve të ndryshme të cilët, situatën në të cilën gjendemi, e kanë kuptuar si një provë të radhës për realizimin e idesë së Skiner-it. Madje edhe sot, kur gjendja duket se po shkon drejt “normalizimit”, ata e konsiderojnë si një qetësi para stuhie, që është reagim i egër kundër çdo kundërshtari të mundshëm që përpiqet t’ua prishë planet “të mëdhenjve”. Dhe është e natyrshme që njerëzit të dyshojnë për çështjet që nuk janë të qartësuara, enigmatike, të ndërlikuara, të pashpjeguara si duhet, prandaj të marrësh një anë “pro” ose “kundër” pa pasur njohuri për të, është e gabuar. Ata mundohen dhe kanë tendencё tё merren me “parashikimin” e sё ardhmes, një nga kurthet e zakonshme që të inkurajon të humbasësh kontaktin me tё tashmen, me atë që i ka gjërat më të thjeshta, mё tё vogla dhe mё tё zgjidhshme. Atyre nuk u bën përshtypje arsyetimi i anës së shumicës, sepse jo një herë ka ngjarë në histori që pakica të ketë të drejtë kundrejt shumicës. Sa shkencëtarë u dogjën në turra drush për pikëpamjet e tyre të cilat koha i dëshmoi se ishin të vërteta?!
Psikiatrja e famshme amerikane, Dr. Kelli Bogdan, e cila u bë e famshme me botimin e librit “A Mind of Your Own” [Nju Jork 2018], është kthyer në një mohuese të virusit dhe ka dhënë paralajmërime të ashpra për një “agjendë globale” të një “krize të prodhuar”, që ka ushqyer përkrahësit e teorive të konspiracionit. Personalitete të tillë të tjerë kanë ndikuar në zgjerimin e ideve të tilla! Një sondazh i bërë në Universitetin Erfurt të Gjermanisë, ka gjetur rreth 17% të gjermanëve që besojnë në mundësinë e teorive të ndryshme se Covid-19 “është shpikur nga qarqe apo njerëz të caktuar, për qëllime të caktuara”.
Ngjashëm me znj. Bogdan është edhe Dr. Endrju Kaufman, një mjek që është larguar nga profesioni dhe që jeton në Nju Jork, mohon të ketë një virus të tillë dhe drejton demonstratat publike duke u thënë njerëzve: “Gjithçka që ata dinë për mjekësinë është e gabuar”. Ai i ka quajtur izolimet si një formë të “arrestit shtëpiak” përmes “ligjeve ushtarake” për t’u hequr njerëzve të drejtën e tubimeve në praktikat fetare. Ka pohuar gjithashtu se vaksinat janë “shiringa të helmatisura”, kurse maskat janë të vogla për të parandaluar virusin, por të mëdha për të reduktuar ndjeshëm furnizimin tuaj me oksigjen. Maskat, thotë ai “janë për njerëzit e pandershëm, për ata që fshehin diçka, për ata që ushtrojnë profesionin e hajdutit”. Ai u pajtua plotësisht me të ftuarin e tij, Dejvid Icke, i cili beson se pas gjithë kësaj po qëndrojnë “alienët zvarranikë, hibridë njerëzorë të cilët po drejtojnë fshehurazi botën”!
(vijon)

Të fundit

më të lexuarat