Njerëz me “kravatë”

Sikur t’i dëgjonit fjalimet e tyre, do mendonit se jetoni në një botë ideale, botë në të cilën secili ka të drejtë jo vetëm të ëndërrojë por dhe të jetojë ëndrrën e vet, të jetojë i lirë dhe pa frikë, ndërsa e vërteta fshihet pas asaj skene, atje ku po ata njerëz me “kravatë” i kanë duart e përlyera me gjakun e njerëzve të pafajshëm, po ata njerëz kanë shembur ëndrrat fëmijënore të të vegjëlve…

Sara Iljazi

Çdo ditë e më tepër shoh njerëz të veshur me “kravatë” që flasin e “luftojnë” për paqe, liri e demokraci. E hidhura e kësaj është se atë e bëjnë vetëm në prani të mediave dhe se të gjitha ato vetëm fjalë mbesin.
Sikur t’i dëgjonit fjalimet e tyre, do mendonit se jetoni në një botë ideale, botë në të cilën secili ka të drejtë jo vetëm të ëndërrojë por dhe të jetojë ëndrrën e vet, të jetojë i lirë dhe pa frikë, ndërsa e vërteta fshihet pas asaj skene, atje ku po ata njerëz me “kravatë” i kanë duart e përlyera me gjakun e njerëzve të pafajshëm, po ata njerëz kanë shembur ëndrrat fëmijënore të të vegjëlve, të cilët tani edhe pse të pafajshëm ëndërrojnë të gëzojnë lirinë e të ndiejnë së paku edhe një herë ngrohtësinë e votrës, ta shohin dhe një herë të ëmën e qeshur e babanë e lumtur, të ndiejnë dhe një herë harmoninë e dashurisë së tyre. Të drejtën për atë ngrohtësi e lumturi ia vodhën njerëzit me “kravatë”. Vallë kjo demokraci a ekziston, apo është shfaqur në ndonjë formë “moderne”, që vetëm ata me “kravatë” e kuptojnë?…
E shëmtuara është se që të gjithë e dinë të vërtetën e hidhur, por sikur nuk e shohin, sikur janë të verbër e memecë e këtë akt çnjerëzor e arsyetojnë duke thënë: “Sa më larg ‘sherrit’, derisa familja ime është mirë, të tjerat nuk më interesojnë”. Po as që mendojnë se nesër duart e njerëzve “të mëdhenj, të shquar e me kravatë” mund t’ia rrëmbejnë familjen, lirinë e të gjitha që tash gëzojnë; nesër ata mund të jetojnë makthin në të cilin janë përmbysur ata të pafajshmit anembanë botës ku NE jetojmë, të njëjtin ajër ndajmë, një diell na ngroh, por asnjërit nuk i “takon” të përzihet, sepse ka frikëq “sherrin”, por atë me “kravatë”…
Gjaku i derdhur tashmë përkëdhel tokën sikur dora e nënës fëmijën që tashmë vdekja ia mori, lotët po bien mbi tokën e thatë e plot pluhur, po ujisin “lulen e shpresës” e cila ngadalë, por sigurt po vyshket e ne akoma jemi të verbër e memecë. Harrova! Ne jetojmë në kohë moderne ku që të gjitha ranë viktimë e modernizmit, kështu dhe demokracia u bë “moderne” dhe “kravata” u bë “ngjyrë gjaku”…

Të fundit

më të lexuarat