Një vit plot sfida

Viti 2025 ishte një vit plot sfida për Ulqinin – sfida institucionale, ekonomike, mjedisore dhe shoqërore. Megjithatë, përkundër të gjitha vështirësive, qyteti tregoi se ka ende forcë, vetëdije dhe solidaritet. Ulqini qëndroi i fortë, mbrojti interesin e tij dhe vazhdon rrugën përpara, me shpresën se e ardhmja do të ndërtohet mbi zhvillim të qëndrueshëm, respekt për pasuritë natyrore dhe mirëqenie për brezat e rinj

Besart Hoxha

Ulqini ndër vite ka pasur periudha më të mira dhe më të vështira, mirëpo viti 2025 do të veçohet gjithmonë si një vit sfidues për këtë komunë. Që në fillim të vitit, Ulqini u përball me një sërë problemesh serioze që krijuan një klimë pasigurie dhe mosbesimi për të ardhmen.
Viti nisi me zhgënjim që në hartimin e buxhetit të Malit të Zi, ku Ulqini u la pas dore pothuajse tërësisht, duke mos u trajtuar sipas nevojave reale dhe potencialit të tij. Kjo ishte një shenjë e qartë se vëmendja institucionale ndaj kësaj komune vazhdon të mbetet e pamjaftueshme.
Muaji mars shënoi një nga momentet më të rënda për qytetin. Një investitor i huaj, në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi, shprehu synimin për të blerë dhe privatizuar “perlën” e Ulqinit – Plazhin e Madh, me gjatësi rreth 13 kilometra. Ky projekt parashikonte ndërtime masive dhe ndryshime të pakthyeshme në një pasuri natyrore që i përket të gjithë qytetarëve. Fatmirësisht, ky skenar nuk u realizua falë solidarizimit të gjerë të qytetarëve të Ulqinit, shoqërisë civile dhe aktorëve lokalë, të cilët u bashkuan kundër një dukurie jashtëzakonisht të dëmshme për identitetin, mjedisin dhe të ardhmen e qytetit.
Problemet nuk përfunduan me kaq. Të Mirat Detare u shoqëruan me vonesa të mëdha në shpalljen e tenderëve, duke bërë që shumë pronarë plazhesh të mos arrijnë në kohë të sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm për të operuar normalisht gjatë sezonit turistik. Kjo krijoi pasiguri ekonomike dhe ndikoi drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit.

Muaji mars shënoi një nga momentet më të rënda për qytetin. Një investitor i huaj, në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi, shprehu synimin për të blerë dhe privatizuar “perlën” e Ulqinit – Plazhin e Madh, me gjatësi rreth 13 kilometra. Ky projekt parashikonte ndërtime masive dhe ndryshime të pakthyeshme në një pasuri natyrore që i përket të gjithë qytetarëve. Fatmirësisht, ky skenar nuk u realizua falë solidarizimit të gjerë të qytetarëve të Ulqinit, shoqërisë civile dhe aktorëve lokalë, të cilët u bashkuan kundër një dukurie jashtëzakonisht të dëmshme për identitetin, mjedisin dhe të ardhmen e qytetit


Gjendja e infrastrukturës mbeti një tjetër plagë e hapur. Rrugët e dëmtuara, që nga hyrja e Malit të Zi deri në Ulqin, infrastruktura e dobët urbane dhe mungesa e investimeve kapitale e përkeqësuan përvojën e vizitorëve dhe jetën e përditshme të banorëve. Ndërkohë, ndërtimet masive të banesave për shitje, pa një planifikim të qartë urban, vazhduan të ndryshojnë fizionominë e qytetit, pa reflektuar domosdoshmërisht interesin publik.
Një nga çështjet më shqetësuese ishte problemi i ujit të pijshëm. Uji i papijshëm dhe deklaratat e institucioneve shëndetësore se uji në Ulqin paraqet rrezik për konsum, krijuan panik dhe dëm serioz në imazhin turistik të qytetit. Kjo situatë ndikoi drejtpërdrejt në sezonin turistik, i cili, sipas vlerësimeve, rezultoi rreth 30 për qind më i dobët krahasuar me vitin paraprak.
Viti 2025 ishte një vit plot sfida për Ulqinin – sfida institucionale, ekonomike, mjedisore dhe shoqërore. Megjithatë, përkundër të gjitha vështirësive, qyteti tregoi se ka ende forcë, vetëdije dhe solidaritet. Ulqini qëndroi i fortë, mbrojti interesin e tij dhe vazhdon rrugën përpara, me shpresën se e ardhmja do të ndërtohet mbi zhvillim të qëndrueshëm, respekt për pasuritë natyrore dhe mirëqenie për brezat e rinj.

(Autori është këshilltar i Lëvizjes Qytetare URA në Kuvendin e Komunës së Ulqinit)

Të fundit

më të lexuarat