
Në këtë periudhë vere, veçanërisht në gusht, shumëkush zgjedh të pushojë në det, pranë lumit Cem apo në bjeshkë. Për shumëkënd, kjo e fundit është ndër zgjedhjet më të dashura, sidomos për mërgimtarët që ndiejnë lidhje të fortë me natyrën dhe bjeshkët e Malësisë.
Ndër vendet që herë pas here, sidomos në këtë kohë vere, vizitohet dhe admirohet me dashuri e mall, është bjeshka e largët e Koritës. Një zonë e bukur që me kalimin e viteve ka parë shtim të shtëpive, por jo edhe të investimeve që do t’i jepnin gjallëri dhe zhvillim të mirëfilltë turizmit dhe ekonomisë malore.
Ndryshe nga shumë zona të tjera malore në veri të vendit, ku turizmi po njeh zhvillim të dukshëm, Korita mbetet një potencial ende i paprekur. Kjo ngre pyetjen thelbësore: a mund të shndërrohet Korita në një destinacion të mirëfilltë turistik?
Për t’iu përgjigjur kësaj, duhet vëmendja e ekspertëve dhe institucioneve, të cilët duhet marrë hapa konkretë për valorizimin e kësaj zone. E gjithë përkushtimi që qytetarët dhe mërgimtarët kanë treguar për ta ruajtur dhe vizituar këtë vend nuk mjafton pa një strategji zhvillimi.
Shpesh u bëhet thirrje turistëve, banorëve dhe bashkatdhetarëve: vizitoni viset tuaja, shijoni viset tuaja, duajini viset tuaja. Dhe këtë, pa dyshim, e ka bërë secili nga ne, sot e përherë. Por përtej kësaj dashurie, lind pyetja: Çfarë na pret atje? Kur shkojmë në Koritë, shkojmë sepse e ndiejmë si tonën, sepse është vendi ynë dhe jo për atë çka ofron realisht si destinacion turistik.
Në të vërtetë, kjo bjeshkë ka shumë për të ofruar. Pozitë të favorshme gjeografike, klimë të freskët verës dhe me borë të bollshme dimrit. Elemente të përshtatshme për zhvillim të qëndrueshëm turistik. Por këto cilësi natyrore, sado të çmuara, nuk mjaftojnë pa vizion të qartë, përkushtim institucional dhe mbështetje financiare.
Veç kësaj, Korita ndodhet vetëm disa kilometra larg kryeqytetit, çka e bën lehtësisht të arritshme për çdo vizitor, vendas apo i huaj. Kjo afërsi me qendrën do të duhej të kishte qenë një arsye më shumë për të investuar në këtë perlë natyrore, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur.
Infrastruktura rrugore që çon në Koritë është përmirësuar, por zhvillimi është lënë spontan, i bazuar kryesisht në vizita të rastësishme, fundjavore ose nga mërgimtarët gjatë verës.
Ky vend që ka potencial për të qenë simbol i turizmit malor dhe natyror të Malësisë deri më tani nuk ka gëzuar vëmendje, me mungesë përkujdesjeje dhe qasjeje serioze për ta kthyer në atraksion turistik.
Sot, në vend që të flasim për zhvillim dhe atraksione turistike, flasim për ajrin e pastër, pyjet dhe natyrën që na i ka falur Zoti. Dhe kjo është gjithçka që i ofrohet vizitorit. Sepse përtej disa lokaleve private ku mund të hash dhe të pish, Koritës i mungojnë thuajse të gjitha mundësitë që do ta bënin një vend ku vizitorët të dëshironin të ktheheshin sërish.
Nuk ka një park të organizuar, vende pushimi e qëndrimi për familjarë, aktivitete argëtuese për të gjitha moshat, pista ecjeje apo biçikletash, hapësira për kamping apo sporte dimërore.
Megjithatë, një ngjarje e përvitshme e cila vazhdon ta mbajë gjallë frymën e kësaj bjeshke është “Logu i bjeshkëve”, që organizohet më 3 gusht të çdo viti, tash e mbi dy dekada.
Ky aktivitet tradicional mbledh rreth vetes vendës e mërgimtarë, ruan dhe promovon trashëgiminë kulturore dhe i jep këtij vendi gjallëri.
Por pyetja që shtrohet sërish është: A mjafton kjo për të shpëtuar një potencial kaq të madh nga harresa?
Sepse, vitet e fundit është vënë re një rritje e numrit të vizitorëve të huaj që ndalen në këtë zonë. Por prapëseprapë, nuk ka se çfarë t’u ofrohet përtej natyrës.
Ata që presin më shumë sesa ajrin e pastër dhe qetësinë që ofron natyra, mund të mbeten me përshtypjen se diçka mungon. Korita ka mundësi për të qenë një destinacion i plotë malor, por për ta realizuar këtë, nevojitet më shumë përkushtim, investim dhe vizion zhvillimi.
Kjo nuk është përgjegjësi e natyrës. Është mungesë vullneti dhe vizioni. Është mungesë angazhimi nga ata që kanë në dorë politikat zhvillimore, planifikimin hapësinor dhe menaxhimin e resurseve natyrore.
Prandaj, nuk mund të bëjmë thirrje për të vizituar Koritën, nëse nuk kemi pasur vullnetin ta bëjmë atë vend të vizitueshëm. Nuk mund të krenohemi me ajrin dhe gjelbërimin që na është dhuruar, ndërsa vetë nuk kemi bërë as më të voglën përpjekje për ta zhvilluar.
Ky vend ka potencial, por ai nuk zhvillohet me fjalë. Ai zhvillohet me plane konkrete, përkushtim institucional dhe investime të qëndrueshme.
Duhet të dimë ta ruajmë, ta zhvillojmë dhe t’ua lëmë brezave që vijnë jo vetëm të bukur, por të vlefshëm.
