Një keqinterpretim i rrezikshëm ose kur historia gjykohet me syzet e ideologjisë

Bogdani ishte prelat i periudhës së barokut, i formuar në mjediset intelektuale katolike të Italisë, ndërsa kryevepra e tij “Çeta e Profetëve” pasqyron gjuhë tipike të diskursit dhe teologjisë së kohës. Nuk e përjashtoj se mund të ketë përdorur shprehje polemike ndaj hebrenjve ose të tjerëve, por kjo s’ka asnjë lidhje me antisemitizmin ideologjik modern, i cili është racor, pra biologjik. Përndryshe, me standardet e tilla, antisemit i bie të jetë edhe Shën Pali dhe apostuj të tjerë që ishin etnikisht hebrenj, por edhe elita e kohës në fjalë brenda Evropës

Albert Bikaj

Rrjetet sociale e kanë “demokratizuar” dimensionin e medias, e kanë ndryshuar mënyrën e komunikimit, qarkullimit dhe pasqyrimit të [dez]informacioneve dhe ideve. Njëkohësisht edhe e kanë polarizuar. Pasi praktikisht, si i dituri, i padituri apo gjysmë i dituri, mund të ketë qasje në Facebook dhe të lexojë, të shkruajë çfarë t’i ketë qejfi. E nëse ndokush synon aktivizmin politik, kjo formë mediatike është ideale për të përhapur narrativën e preferuar. Sidomos kur audienca është interaktive, krijon ndjesinë e analistit, kritikut shoqëror, bile edhe personazhit publik. Nga ana tjetër, rrjeti është global, të globalizuara janë edhe trendet, qofshin për mirë apo jo. Konkretisht, do të veçoja polarizimin, që realisht është banalizim i dy ideologjive; dy rrymat kryesore, jo domosdoshmërisht monolite, si populizmi dhe uokizmi (eng. wokism – që bazohet në teoritë kritike postkolonialiste dhe aktivizmin social që gjykon historinë anakronikisht).
Duke i pasur parasysh të gjitha këto, nuk është çudi të lexosh analiza me prapavija të tilla. Duke filluar nga postimet dualiste (por shumë kreative), ku rryma populiste shfaqet në trajtën e pseudohistorianëve, deri tek ato ku thuajse çdo gjë analizohet dhe klasifikohet si fobi, eurocentrizëm, racizëm, fashizëm e ku ta di unë.
Kategoria e parë lëvrohet dhe njihet mirë ndër ne (e kam fjalën për pseudohistorianët), ndërsa kategoria e dytë është relativisht rrymë e re, madje shitet si prestigjioze dhe përdoret në qarqe intelektuale dhe mediatike perëndimore. Kohëve të fundit, edhe ndër ne më ndodh shpesh që të lexoj statuse, artikuj, bile edhe disertacione me qasje të tilla. Kjo është një ndër arsyet pse po shkruaj.
Para disa netësh, teksa po hapja Facebook-un, hasa në një status të detajuar ku, ndër të tjera, thuhej se Pjetër Bogdani (1627-1689), Marin Bici (1565-1625) dhe disa personalitete të tjera shqiptare na paskan qenë antisemitë! Autori nuk ishte dokushdo, por i mirarsimuar dhe aktivist i së majtës opozitare, të mos i jap emër. Fillimisht u shtanga, pastaj thashë më vete – çudi që nuk e paska vazhduar akuzën më tej? Bogdanin dhe Bicin mund t’i akuzonte fare lehtë edhe për racizëm, seksizëm, homofobi, islamofobi, antiliberalizëm, shovinizëm, radikalizëm të djathtë eurocentrik dhe për kundërshtim të multikulturalizmit. Por kjo do ta bënte krejtësisht absurde argumentin, apo jo?
Thua se këta dy klerikë të shekullit XVI, respektivisht XVII, që me mundim të madh ushtronin detyrat e tyre, në luftë për ekzistencë nën represionin osman, na paskan pasur luksin të tejkalojnë paragjykimet e shekujve!?
Më vjen keq që shprehem kështu, por jam i bindur se nuk e kishte aspak gabim George Orwell-i kur thoshte se vetëm intelektualët mund të besojnë disa ide absurde.
Siç e përmenda më parë, i tillë është rasti me këtë kategori intelektualësh të obsesionuar me teorinë kritike, të bindur se analizat e shkrimeve të vjetra mund të bëhen anakronikisht, pa kontekst, pa metodologji, por thjesht si kritikë sociale, por edhe “virtue signaling”, ose thjesht oportunizëm: ndjekje trendesh ideologjike.
Për t’iu rikthyer “antisemitizmit”, që është goxha akuzë e rëndë, thuajse çdo historian dhe njohës i mirëfilltë i letërsisë e di se përgjatë mesjetës, natyrisht edhe në shekullin XVII, qoftë në shkrimet teologjike, qoftë në polemika, përdorimi i gjuhës së ashpër ndaj paganëve, të krishterëve, hebrenjve, myslimanëve apo heretikëve ishte pjesë e diskursit të kohës; varet thjesht nga vendi. Për më tepër, dihet fare mirë se nuk bëhej fjalë për ideologji raciste, por për gjuhë polemike të zakonshme brenda debateve teologjike, pasi ideja e racizmit është e re dhe i takon periudhës moderne. Prandaj, të marrësh kategori moderne dhe postmoderne si “antisemitizmi”, “homofobia”, “multikulturalizmi” e t’i trajtosh në shekullin XVII është jo vetëm metodologjikisht e gabuar, por propagandë e thellë ideologjike. Madje është ideale për… gjueti shtrigash!
Por çështja është se faktet janë kryeneçe, nuk ndryshojnë. Bogdani, p.sh., ishte prelat i periudhës së barokut, i formuar në mjediset intelektuale katolike të Italisë, ndërsa kryevepra e tij “Çeta e Profetëve” pasqyron gjuhë tipike të diskursit dhe teologjisë së kohës. Nuk e përjashtoj se mund të ketë përdorur shprehje polemike ndaj hebrenjve ose të tjerëve, por kjo s’ka asnjë lidhje me antisemitizmin ideologjik modern, i cili është racor, pra biologjik. Përndryshe, me standardet e tilla, antisemit i bie të jetë edhe Shën Pali dhe apostuj të tjerë që ishin etnikisht hebrenj, por edhe elita e kohës në fjalë brenda Evropës. Madje, për qarqet intelektuale në Perëndim edhe mund të trajtohen me nuancë, pasi disa prej tyre ishin të afërt me pushtetin, në kohëra kur përndjekjet e hebrenjve nuk ishin të rralla. Sidoqoftë, gjyqet e tilla anakronike më kujtojnë një ngjarje të kobshme të historisë: gjykimi famëkeq i papa Formozit (816-896), të cilin kundërshtarët e zhvarrosën, gjykuan për diçka që nuk ishte fajtor dhe më pas ia përdhosën trupin. Prandaj, në kontekstin tonë paramodern-ballkanas është absurde të mendohet një gjë e tillë, pasi kleri katolik shqiptar nën Perandorinë Osmane jo vetëm që nuk kishte pushtet, por shpesh përndiqej dhe i mohoheshin liritë minimale. Për më tepër, dihet se Bodganit iu dhunua varri dhe përdhos trupi nga osmanët, ndërsa tani po tentohet t’i përdhoset edhe emri.
Prandaj, “analizat” e tilla shabllonike nuk janë thjesht lajthitje absurde statusesh polarizuese në rrjetet sociale, por përbaltosje figure, shtrembërim faktesh dhe instrumentalizim i historisë për hir të qëllimeve ideologjike, duke e kthyer atë në mjet propagandistik, njësoj si në regjimet totalitare. Mbi këtë strategji ishte i ndërgjegjshëm shkrimtari i madh çek Milan Kundera, i cili paralajmëronte te romani i tij “Libri i së qeshurës dhe harresës” se për të likuiduar një popull fillimisht i duhet fshirë kujtesa për t’u zëvëndësuar me libra të rinj, kulturë të re, histori të re. Kështu, së shpejti ky komb do të fillojë të harrojë se çfarë është dhe çfarë ka qenë.
Ky mund të mos ketë qënë qëllimi i akuzuesit të Bogdanit, por [keq]interpretimet e tilla në rrugë të tilla shpien.

Të fundit

më të lexuarat