
Pas rrëzimit të Qeverisë së 43-të të Malit të Zi, të kryeministrit Dritan Abazoviq, është thelluar edhe më tepër kriza politike në vend. Ngërçi politik i krijuar i ngjan lëmshit të ngatërruar që vështirë t’ia gjesh fillin. Është krijuar një mosbesim i madh ndërmjet të gjitha forcave politike, të cilat bëjnë çdo përpjekje, duke goditur njëra-tjetrën, vetëm për të qëndruar në pushtet dhe mbijetuar në skenën politike. Në këtë luftë politike ka shumë veprime joparimore.
Ngërçi politik i krijuar mund të zgjidhet vetëm me zgjedhje të reja parlamentare, si zgjidhja më e drejtë dhe më demokratike për daljen nga kriza ekzistuese. Jam i vetëdijshëm se as zgjedhjet e reja nuk do të sillnin ndonjë ndryshim të madh në raportin e forcave politike, por të paktën shumica e re që do të krijohej do të gëzonte legjitimitet politik
Brenda dy vitesh, ne kemi pasur dy qeveri eksperimentale, të cilat i kanë kushtuar shumë Malit të Zi në aspektin politik, ekonomik etj. Nisma për formimin e qeverisë së re me shumicën e vjetër, është një manovër politike e radhës, e pamenduar mirë. Ajo nuk do të zgjidhte gjë, por vetëm se do ta vazhdonte dhe zgjatonte krizën politike. Prandaj edhe një qeveri e tretë eksperimentale do të ishte vetëm humbje kohe.
Iniciativa për shkarkimin e Presidentit Millo Gjukanoviq është një hakmarrje politike ndaj tij. Votimi për shkarkimin e Gjukanoviqit në Kuvendin e Malit të Zi nuk do ta zgjidhte, por do ta thellonte krizën institucionale. Për këtë janë të vetëdijshëm përfaqësuesit e forcave politike që kanë firmosur nismën për shkarkimin e tij. Edhe në rast të votimit për shkarkimin e Gjukanoviqit në Kuvendin e Malit të Zi, nevojitet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ai e ka shkelur Kushtetutën, gjë që në rrethanat ekzistuese është e parealizueshme për shkak se organi më i lartë i drejtësisë është jofunksional, me vetëm tre anëtarë nga shtatë sa ka gjithsej. Në anën tjetër, Presidenti Gjukanoviq ka shfrytëzuar rastin që të bllokojë zgjedhjen e qeverisë së re për shkak të mosunifikimit të shumicës së dalë nga zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020, duke propozuar shkurtimin e mandatit të Kuvendit. Kjo lojë pingpongu institucional vetëm e zvarrit arritjen e një zgjidhjeje politike të pranueshme nga të gjitha palët.
Iniciativa për shkarkimin e Presidentit Millo Gjukanoviq është një hakmarrje politike ndaj tij… Në anën tjetër, Presidenti Gjukanoviq ka shfrytëzuar rastin që të bllokojë zgjedhjen e qeverisë së re për shkak të mosunifikimit të shumicës së dalë nga zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020, duke propozuar shkurtimin e mandatit të Kuvendit. Kjo lojë pingpongu institucional vetëm e zvarrit arritjen e një zgjidhjeje politike të pranueshme nga të gjitha palët
Të gjitha forcat politike në Mal të Zi, pa dallim, kanë dëshmuar se janë në gjendje të bëjnë çdo gjë vetëm për të qëndruar në pushtet. Veprimi i tyre politik tregon se dëshira për pushtet është më e madhe sesa interesi shtetëror dhe i qytetarëve, në emër të të cilëve flasin (betohen) për çdo ditë.
Ngërçi politik i krijuar mund të zgjidhet vetëm me zgjedhje të reja parlamentare, si zgjidhja më e drejtë dhe më demokratike për daljen nga kriza ekzistuese. Jam i vetëdijshëm se as zgjedhjet e reja nuk do të sillnin ndonjë ndryshim të madh në raportin e forcave politike, por të paktën shumica e re që do të krijohej do të gëzonte legjitimitet politik.
