Një dramë e heshtur që vazhdon të na përndjekë

Lumturia nuk matet me sytë e të tjerëve. Ajo lind kur kemi guximin të jemi vetvetja. Sepse vetëm atëherë, kur lirohemi nga frika dhe nga pritshmëritë e të tjerëve, jeta merr kuptim të vërtetë. Por për këtë, duhet të çlirohemi nga mendimi i gabuar: “Çfarë do të thonë për ne?”

Haxhi Zeneli

A e kemi ndalur ndonjëherë vërtet veten për të menduar se pse veprojmë siç veprojmë? A janë zgjedhjet tona me të vërtetë tonat, apo janë produkt i frikës nga “çfarë do të thonë të tjerët”?
Në një shoqëri ku mendimi i të tjerëve peshon më shumë se dëshira personale, shumë prej nesh nuk jetojnë për veten, por për të ruajtur një imazh në rrethin ku ndodhemi – një imazh që të tjerët e aprovojnë për ne. Kjo është drama e heshtur që na ka përndjekur dhe vazhdon të na përndjekë çdo ditë.
Fjalia e zakonshme “Po çfarë do të thonë njerëzit?”, ka marrë një fuqi të frikshme në jetën tonë. Është një mendësi e rrënjosur thellë, e cila shpesh udhëheq zgjedhjet tona më shumë sesa vlerat, dëshirat apo nevojat reale. Edhe kur përpiqemi ta sfidojmë këtë presion, duke i thënë vetes ”nuk më intereson çfarë thonë të tjerët”, në fund prapëseprapë sillemi sipas një kodi të padukshëm – një kod i heshtur, por jashtëzakonisht i fuqishëm, i trashëguar brez pas brezi.
Jetojmë me një konflikt të përhershëm mes asaj që dëshirojmë të jemi dhe asaj që na kërkohet të jemi. Dhe për të mos dalë nga ”rreshti”, shpesh e dorëzojmë lirinë tonë mendore dhe emocionale.
Në komunitetet e vogla, ku çdo gjë shihet, komentohet dhe krahasohet, opinioni publik bëhet pjesë e pandashme e përditshmërisë. Ai e përcakton si duhet të vishemi, si të flasim, si të sillemi, me kë pimë kafe, kë të ftojmë në dasma, si t’i rrisim fëmijët tanë, madje edhe me kë të martohemi. Rregullat nuk janë të shkruara, por kanë fuqinë e një gjykimi moral që të merr frymën.
Prindërit i rrisin fëmijët me këshilla të trashëguara, si: ”Mos na turpëro!”, ”Mos fol për problemet jashtë shtëpisë!”, “Mos thuaj çfarë mendon!”, ”Shiko si dukesh, mos u bën si filani!”. Dikur këto këshilla kishin efektin e vet në ruajtjen e kodeve familjare, por sot ato shpesh kthehen në burim konfliktesh, sepse edhe një fëmijë i sotëm e kupton botën më ndryshe se prindërit e tij.
Qëllimi për të ruajtur nderin dhe rendin në shoqëri ka ndryshuar në formë dhe përmbajtje. Brezat më të vjetër përpiqen ta ruajnë këtë “kod moral” përmes traditave, por shpesh duke angazhuar edhe fenë, nëpërmes shkollave të organizuara për fëmijët e tyre etj. Por në shumicën e rasteve, këto përpjekje janë më shumë për të gjetur qetësi për veten e tyre si prind, sepse edhe ata vetë janë rritur në një realitet ku liria mendore ishte e ndaluar. Dhe tani, shpesh pa e kuptuar, mundohen këtë kufizim ta trashëgojnë te fëmijët e tyre, në të vërtetë jo për dëshirën e fëmijës por për dëshirën personale.
Mjafton të shikojmë dasmat tona sot, të cilat kanë ndryshuar rrënjësisht në koncept. Ato nuk përputhen as me realitetin ekonomik, as me realitetin emocional të shumicës së familjeve. Por presioni nga rrethi është i madh. Shpesh dasmat organizohen me bujë dhe shpenzime të ekzagjeruara, jo për gëzimin e çiftit, por për të ruajtur statusin e tyre që mendojnë se e kanë.
Ka familje që sakrifikojnë të ardhmen, shkollimin e fëmijëve, investimet më të nevojshme, vetëm për të realizuar një dasmë që “mos të duket më keq se e tjetrit”. Ironikisht, shumë prej këtyre dasmave harrohen pas një jave, sepse menjëherë vjen tjetra, e njëjtë në formë, ndryshe vetëm në emra. Presioni nuk ndalet vetëm tek organizatorët. Edhe të ftuarit ndihen nën trysni, veçanërisht gratë, të cilat shpesh ndërrojnë disa fustane brenda natës, sikur të ishin në një sfilatë mode. Kjo sjellje, përveç stresit për të “dalë mirë”, sjell edhe kosto të konsiderueshme financiare, shpesh përtej mundësive reale të një familjeje.
Edhe dhuratat kanë marrë një formë tjetër presioni. Zarfi me para, i huazuar nga dasmat kapitaliste, është kthyer në normë. Shumë njerëz nuk ftohen për të festuar, por për të “paguar pjesën e tyre”. Dhe në fund, organizatori mund të mburret: “i kam nxjerrë shpenzimet”, ndërsa të ftuarit ndoshta kanë hequr dorë nga nevoja ushqimore vetëm për të mos u dukur keq, në përpjekje për të ruajtur një imazh të jashtëm, duke e lënë vetveten keq.
Frika nga gjykimi është aq e thellë, sa shumë njerëz nuk jetojnë sipas vetes. Nuk flasin për ndjenjat, nuk i ndjekin pasionet, nuk guxojnë të bëjnë zgjedhje të ndryshme, sepse kanë frikë nga thashethemet dhe nga prishja e imazhit që mendojnë se e kanë krijuar në rrethin e tyre.
Jeta kalon. Dhe nëse nuk zgjohemi, kalon pa kuptuar ndonjëherë se çfarë do të thotë të jesh vërtet i lirë. Vijmë në këtë botë pa e ditur kush jemi dhe, nëse nuk marrim guximin të jetojmë për veten, ikim po ashtu, duke ndjekur rregulla që nuk i kemi zgjedhur vetë.
Lumturia nuk matet me sytë e të tjerëve. Ajo lind kur kemi guximin të jemi vetvetja. Sepse vetëm atëherë, kur lirohemi nga frika dhe nga pritshmëritë e të tjerëve, jeta merr kuptim të vërtetë. Por për këtë, duhet të çlirohemi nga mendimi i gabuar: “Çfarë do të thonë për ne?”
Atëherë duhet t’i drejtohemi vetes: Po të tjerët, a shpenzojnë ndonjë gjë për të përmirësuar mirëqenien tënde? A i mbulojnë faturat tona, shqetësimet, ankthin? Me siguri që jo.
Jeta nuk jetohet për t‘u aprovuar nga të tjerët, ajo është për t’u jetuar. Dhe në fund, ajo matet me paqen që ke me veten, jo me përshtypjen nga ”Çfarë do të thonë të tjerët”.

Të fundit

më të lexuarat