
Duke hapur ceremoninë e inaugurimit të “Bibliotekës Ernest Koliqi”, fjalën përshëndetëse dhe mirëseardhëse për të pranishmit e kumtoi Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, duke e cilësuar Bibliotekën Ernest Koliqi si, “një vend për të kujtuar të kaluarën dhe për të kultivuar të ardhmen tonë”. Të pranishëm ishin pjesëtarë të familjes së gjerë të Ernest Koliqit të ardhur nga Shkodra e Tirana, si dhe shumë personalitete të jetës së artit, shkencës e letërsisë, përfaqësues të klerit por edhe personalitete të politikës. Një ndër personalitete e larta ishte Kryetari i Bashkisë Prishtinë, Z. Përparim Rama i cili e kujtoi Ernest Koliqin me këto fjalë: “Shkodrani Ernest Koliqi, shkrimtari i madh i letërsisë ishte siç e dini edhe Ministër i Arsimit në Tiranë që, në kohën e Luftës së dytë Botërore, pruri mbi 200-mësimdhenës shqiptarë me hap shkollat shqipe anë e mbanë viseve të Kosovës. Përndjekja e tij dhe ndalimi i veprës së tij nga Shqipëria komuniste e për-rrjedhoi nga Kosova që aso kohe thjeshtë irritonte shtetin amë – nuk i kanë bërë aspak nder Kombit tonë. Prandaj përzgjedhja, pikërisht, e emrit të kolosit Ernest Koliqi për bibliotekën tuja dhe inaugurimi i saj, pikërisht, në ditëlindjen e tij nderojnë jo veç këtë bibliotekë, as veç Ipeshkvinë, por gjithë kryeqytetin tonë dhe gjithë Kombin tonë shqiptar. Kur jemi te shkrimtarët dikur të ndaluar uroj që kjo bibliotekë të forcojë sa më shumë lidhjet me bibliotekën e Françeskanëve të Shkodrës të cilët me rënien e komunizmit po i ribotojnë me përkushtim të madh veprat e kolosëve të ndaluar katolikë të letrave shqipe, që nga ajo e Shtjefën Gjeçovit, Gjergj Fishtës, Anton Harapit, Donald Kurtit, Vinçenc Prenushit, Bernardin Palaj e deri tek ajo e At Zef Pllumit. Të anatemuar padrejtësisht nga diktatura komuniste, vepra e këtyre kolosëve është në fakt më e shëndosha e letërsisë kombëtare e për më shumë është një opus që bibliotekën e Ipeshkvisë e pasuron dhe e nderon. Bibliotekës i uroj fond gjithmonë e më të pasur librash, lexues gjithmonë e më të shumtë dhe me që ambienti i bibliotekës qenka jashtëzakonisht i këndshëm, uroj sa më shumë organizime eventesh kulturore e letrare të këtij ambienti…Urime për Bibliotekën e re “Ernest Koliqi”. Kryebashkiaku i Prishtinës falënderoi Ipeshkvin e Kosovës për krijimin e kushteve — për studentët dhe për gjithë kulturën në qytetin tonë që të shkojmë përpara – kushte që ai i cilësoi si, “fenomenale, fantastike”, duke premtuar se edhe ai vetë, do kalojë shumë kohë në këtë bibliotekë.
Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Z. Minxhozi e cilësoi ceremoninë e inaugurimit të Bibliotekës “Ernest Koliqi, si një ngjarje të jashtëzakonshme dhe shumë të veçantë. “Duke pasë përball këtë korife të madh të historisë dhe kulturës shqiptare, Ernest Koliqin, me veprën e tij tregoi dhe i tregon botës, pavarësisht sistemeve, pavarësisht represionit, e drejta, arti dhe kultura që i shërbejnë popullit, nuk shuhet kurrë. Politika është momentale, ndërsa veprat e kolosëve tanë janë të pavdekshme.” Ambasadori i Shqipërisë e cilësoi bibliotekën si shumë interesante dhe krejt të veçantë në llojin e vet. “Shumë, shumë e bukur, me një arkitekt fantastik që e ka bërë këtë”, por shtoi ai , “Ajo që e mbush më tepër, “Është vepra e të Madhit Ernest Koliqi”. Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, duke falënderuar ata që kishin ardhur nga Shkodra dhe Tirana për të marrë pjesë në inaugurimin, tha se Ernest Koliqi, “ishte shkodran, mbetet shkodran, ishte shqiptar, mbetet shqiptar dhe shumë i madh.” Me shumë kënaqësi uroj që edhe brezat e ri do të përcjellin veprën e tij të pavdekshme, përfundoi fjalën ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Z. Qemal Minxhozi.
Ndërkaq, kumtesën kryesore e mbajti Prof. Xhavit Beqiri i Universitetit të Prishtinës, i cili tha se, “Ernest Koliqi është guri i këndit në themelin e shkollës shqipe në Kosovë. Në një mjedis të shkretë arsimor e kulturor, ai e hodhi i pari farën e sinapit, nga e cila mbiu dhe hodhi shtat trungu i të gjithë sistemit edukativ, arsimor e kulturor në këtë pjesë të etnisë. Përtej figurës: shkollën shqipe në Kosovë dhe në hapësirat e tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë e krijuan gjatë viteve ’40 të shekullit XX, afërsisht 200 mësues normalistë, të cilët me misionin e shenjtë të përhapjes së shkronjës shqipe u ngarkuan nga vetë Ernest Koliqi, asokohe ministër i Arsimit. Për mua, Koliqi është profeti, ndërsa ata normalistë të zgjedhur prej tij, janë apostujt e shkollës shqipe në këto treva”, u tha, ndër të tjera, të pranishmeve Prof. Xhavit Beqiri i Universitetit të Prishtinës. Prof. Beqiri theksoi se, “Poeti, publicisti e studiuesi Ernest Koliqi, përveç epitetit të themeluesit të shkollës shqipe në Kosovë, mori edhe epitetin e nismëtarit të prozës moderne shqipe”.
Me inaugurimin e Bibliotekës “Ernest Koliqi, Kosova po ia lanë një borxh të madh këtij burri të madh të Kombit shqiptar. Amanetin e tij 50-vjet më parë — që, të “mos harrohen auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…” — Kosova e çoi në vend me inaugurimin e Bibliotekës me emrin e tij në Prishtinë, “në kujtim të së kaluarës dhe për kultivimin e të ardhmes” tonë, siç u shpreh Imzot Dodë Gjergji.
Duke mos dashur të jem kritik ndaj disave – sidomos në këtë ditë shumë të lumtur të inaugurimit të Bibliotekës Ernest Koliqi në Prishtinë — më duket se ka ardhur koha që Tirana zyrtare politike dhe akademiko-historike, të heq dorë një herë e mirë nga denigrimi e përjashtimi nga historia shqiptare e burrave të Kombit siç është Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe shumë të tjerë. Mjaft është mjaft! Nga çfarë kini frikë? Merrni shembull Kosovën. Fatbardhësisht, në rastin e Ernest Koliqit dhe të Gjergj Fishtës, sa më fort që të urrehen këto figura dhe të tjera si këto të Kombit, nga Tirana zyrtare dhe nga nostalgjikët e komunizmit sllavo-aziatik, madje edhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — aq më shumë ata adhurohen në Prishtinë, në Kosovë dhe në anembanë trojeve shqiptare.
