
Teknologjia digjitale, me të gjithë komponentët e saj, po zhvillohet dhe evoluon me ritme të shpejta, duke e bërë funksionimin e shoqërisë më të lehtë dhe duke ofruar më shumë mundësi për të përmbushur nevojat jetësore. Bota është adaptuar shpejt me këto ndryshime të avancuara. Sot, interneti, telefonat e mençur dhe rrjetet sociale na mundësojnë të komunikojmë lehtësisht dhe me shpejtësi. Ato na lejojnë të ndërveprojmë virtualisht, të shkëmbejmë biseda familjare apo profesionale, të ndajmë përvoja dhe shumë më tepër, pa qenë e nevojshme të takohemi fizikisht.
Por, a është kjo mënyra e vetme dhe e duhur e komunikimit? A na bën kjo të ndihemi vërtet të përmbushur dhe të lidhur me njëri-tjetrin?
Humbja e kontaktit fizik dhe pasojat e tij
Fatkeqësisht, në jetën e përditshme vërejmë se gjithnjë e më tepër njerëzit shmangin përshëndetjet apo shtrëngimin e duarve. Jo rrallë, kur ndodhen përballë në një trotuar të qytetit, ata ndryshojnë kahje ose shmangen, vetëm për të mos u takuar. Ndoshta kjo vjen nga fakti që sot shumë miqësi janë virtuale dhe konsiderohen të mjaftueshme në atë formë.
Pra, a ka sjellë teknologjia digjitale, krahas përparësive, edhe pasoja negative? Kjo mbetet një çështje për diskutim.
Këtë realitet e përkeqësoi më tej izolimi i detyrueshëm gjatë pandemisë COVID-19. Distancimi social i detyruar la pasoja të dukshme, ndërsa digjitalizimi i shoqërisë po i përforcon me një shpejtësi të frikshme këto ndryshime në mënyrën e jetesës.
Asgjë më nuk është siç ishte në të kaluarën. Por a mund të konsiderohet kjo një revolucion për të mirë apo për të keq? Kjo është një pyetje që kërkon analizë dhe debat të thelluar.
Ndikimi i teknologjisë në kulturë dhe lexim
Një fakt është i pamohueshëm: teknologjia digjitale po e transformon shoqërinë. Rrjetet sociale, lajmet gjithnjë e më sensacionale, emisionet e showbizit dhe platformat e ndryshme të komunikimit po e ndryshojnë mënyrën se si njerëzit informohen dhe ndërveprojnë.
Arti, kultura dhe shkenca po pësojnë një zhvendosje drejt botës digjitale. Po kështu edhe leximi i librave dhe gazetave. Platformat e ndryshme të leximit online kanë sjellë një dimension të ri, por njëkohësisht kanë ndikuar në “zhdukjen” e përvojës tradicionale të leximit fizik.
Libri, si një mjet kryesor i përhapjes së dijes, i formimit të mendimit kritik dhe i ruajtjes së kulturës e gjithashtu edhe i historisë, ka humbur dukshëm rolin e tij në këtë aspekt. Sot, rrallëherë shohim të rinj me një libër klasik në duar, qoftë në parqe, stacione autobusi kafene apo gjetkë. Në vend të kësaj, shohim njerëz të përkulur mbi ekranet e telefonave, të zhytur në botën e tyre virtuale.
A është koha për një rishikim të prioriteteve?
Edhe takimet mes miqve nuk janë më si dikur. Në të kaluarën, njerëzit i kushtonin vëmendje njëri-tjetrit gjatë bisedave. Sot, sapo ulen në një kafene, ata nxjerrin telefonat mbi tavolinë dhe secili zhytet në botën e tij virtuale, duke e humbur interesimin me personin që ka përballë.
Ajo që është edhe më shqetësuese është ekspozimi i vazhdueshëm ndaj një përmbytjeje informacioni shpesh të pavlerë – emisione argëtuese boshe, lajme të rreme, përmbajtje që shpërqendrojnë dhe krijojnë konfuzion.
Prandaj, është koha që të mësojmë të dallojmë mes të dobishmes dhe të padobishmes, mes asaj që na pasuron intelektualisht dhe asaj që na shpërqendron e na çorodit.
Si të ruajmë ekuilibrin mes tradicionales dhe modernes?
Digjitalizimi ka sjellë shumë lehtësira, por kjo nuk duhet të na pengojë të ruajmë dhe vlerësojmë librin fizik. Leximi duhet të bëhet pjesë e përditshmërisë sonë, ashtu si në shumë vende të zhvilluara si Japonia, Gjermania, Italia dhe Spanja, etj., ku kultura e librave fizikë mbetet parësore dhe libraritë janë shumë të frekuentuara. Në këto vende, njerëzit vazhdojnë të lexojnë në ambiente publike, në metro, në kafene apo në parqe – një praktikë që, fatkeqësisht, e has shumë rrallë në shoqërinë tonë.
Në këtë kontekst, ne si shoqëri duhet të përpiqemi të mos krijojmë një varësi të tepruar nga bota virtuale, por të jetojmë më shumë në realitet. Ne duhet të ndajmë më shumë kohë me librin dhe me njëri-tjetrin, sesa të harxhojmë orë të tëra duke ndjekur jetën e të tjerëve në rrjetet sociale, se çfarë bëri filani nëpër instagram dhe fejsbuk, se ku e kaloi kohën, çfarë drekoi e darkoi, dhe çfarë komentesh u thurën për të në rrjete.
Në fund duhet theksuar se secili nga ne, me përkushtim dhe këmbëngulje mund të kontribuojë për të ndërtuar një shoqëri më të shëndetshme dhe më të ndërgjegjshme.
Këtë artikull po e përmbyll me fjalët e shkrimtarit të madh italian Italo Calvino: “Një libër klasik është ai që nuk e ka mbaruar kurrë së thëni atë që ka për të thënë.”