Nevoja për kthesë të re historike

Atë Gjergj Fishta ka ndërruar jetë më 30 dhjetor 1940. Disa entuziastë të Poetit Kombëtar e kishin shpallur (privatisht) vitin 2020 si “Viti i Fishtës”, duke shpresuar (më kot) se entet zyrtare, akademitë e shkencave të dy shteteve shqiptare, në Shqipëri dhe Kosovë do të bënin një gjë të tillë për të kujtuar njeriun e madh të letrave shqipe – por që nuk e bënë

Për Koha Javore: Frank Shkreli

(vijon nga numri i kaluar)
“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar Fishta dhe vazhdon se nëse duam të shohim se “Çfarë rreziku mund ti kërcënohet atdheut nga s’përmbrendi…simbas parimeve të etikës së popujve të qytetnuem” duhet të shohim, “natyrën e pëmbrendshme të autoritetit dhe rregullat simbas të cilave duhe përdorue financat e shtetit, e mandej të ndajmë elementin ma të rrezikshëm për autoritetin dhe financat…”
Fishta i shikon ata që i quan “sundimtarë” të shtetit, qofshin ata “princë, bajraktarë, pashë a beg”, jo si të preferuarit e shoqërisë me privilegje, të drejta e pasuri, në krahasim me njerëzit e thjeshtë, por si të barabartë me të gjithë të tjerët, sepse “gjaku i gjithë njerëzve ashtë një.” Si rrjedhim, ai paralajmëron në artikullin e “Hyllit të Dritës” se, “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnjë të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…”
“Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”, paralajmëron Gjergj Fishta dhe pohon se “ Elementi ma i rrezikshëm a, ma mirë me thanë, rreziku ma i madh i Shqypnisë janë vagabondat: njata shqyptarë që, pa mujtë me përfitue kurrë nji mendim të shëndoshë në mendje të vet, s’janë të zotët me i rreshtue dy shkrola bashkë pa gabim; që për atdhe filluen me u kapë së parit, a m’atëherë kur banë rrush e kumlla gjanë e të parëve të vet e ma s’u mbet asnji dysh…Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm, që gjithë jetën e vet s’qenë të zotët me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pakrye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni.
“…Qe, pra, se kush janë rreziku ma i madh i Shqypnisë: vagabondat, sallahanat, rrugaçat. Por, megjithkëte, këta njerëz, këta mikrobe të kombit, jo veç se po kanë sy e faqe me lypë, por edhe po munden sot me shpresue të hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar. Po a përnjimend se, për me ushqye e me majtë këta njerëz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugajave e të sokaqeve, bulku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vështira? E po ku jemi na, o Zot? A përnjimend se edhe kuptimi i burrënisë asht harrue në këte dhe, që njerëzve kaq të poshtër po u delka me u ushqye me djersë – me gjak – të kombit shqyptar…?
“Shqyptarë! A vagabondat jashta pune e jashta Shqypnie, ase ndryshe kemi sharrue me t’egër e me të butë”, përfundon porosinë dhe paralajmërimin At Gjergj Fishta, në vitin 1921.
Fatkeqësisht, paralajmërimi i Fishtës nuk u mor parasysh as në kohën e tij, as më vonë. Por ia vlen që sot, pothuaj 100-vjet më vonë, kjo kambanë kushtrimi, kujdes rrezikun e përbrendshëm” të dëgjohet nga “sundimtarët” e sotëm, por edhe nga të gjithë shqitarët, anembanë trojeve shqiptare para se të jetë tepër vonë. Kjo është një thirrje për bashkim me qëllim për të mënjanuar përsëritjen e historisë përçarëse të 100-viteve të kaluara të shqiptarëve, që siç e ka thënë At Gjergj Fishta, asaj “lëngatës” të rrezikut të brendshëm, t’i bëhet ballë që në fillim, para se të jetë tepër vonë.
Kombi shqiptar ka nevojë për një këthesë të re historike, me njerëz të rinj dhe me përfaqësues ndryshe!

(Fund)

Të fundit

më të lexuarat