
Në fund të këtij viti që vërtetë duhej të ishte shpallur zyrtarisht si “Viti i At Gjergj Fishtës”, por që nuk ndodhi dhe në fillim të Vitit të Ri, në prag të të cilit kombi shqiptar, si Shqipëria ashtu edhe Kosova duket se do të përballen me sfidat më serioze të 30-viteve post-komunizëm, në liri dhe demokraci dhe pavarësi për Kosovën. Jo se këto sfida dhe rreziqe me të cilat po përballet kombi janë shkaktuar nga të huajt – megjithëse edhe ata, sidomos, fqinjtë e shqiptarëve kanë punuar dhe punojnë që shqiptarëve t’u shkojnë punët si është më keq, sidomos midis njëri tjetrit. Por rreziqet dhe problemet e mëdha me të cilat përballen sot Shqipëria dhe Kosova dhe të gjithë shqiptarët, janë pasojë të atij që At Gjergj Fishta e kishte quajtur dikur si “Rreziku i përbrendëhëm”. Kosova dhe Shqipëria do të zhvillojnë zgjedhje parlamentare në fillim të Vitit të Ri, në të cilat do të marrin pjesë me dyzina parti politike, të udhëhequr nga individë, që i kanë hyrë politikës duke “shpresue të hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar”, dhe jo për të mirën dhe përparimin e kombit. Njerëz të tillë të politikës shqiptare edhe sot përbejnë, si askush tjetër përfshirë armiqtë e jashtëm të kombit -rrezikun më të madh për Shqipërinë dhe për Kosovën. Prandaj në prag të zgjedhjeve të Vitit të Ri, shqiptarët kanë nevojë për një “Parti Shqiptare”, përfaqësuesit e të cilës do të kenë si qëllim interesat madhore të kombit dhe mirëqenjen e të gjithë shqiptarëve, pasi “gjaku i të gjithë shqiptarëve ashtë nji” (Fishta), ashtuqë ata të mos detyrohen të zbrazin trojet shqiptare nga keq-qeverisja dhe nga “vagabondat, sallahanat, rrugaçat…këta njerëz, këta mikrobe të kombit” (Fishta).
Fatkeqësisht, në prag të zgjedhjeve të reja në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk kemi vërtetë një parti shqiptare që vetëm lufton për interesat shqiptare dhe pasi nuk kemi as edhe një Fishtë të dytë që të na paralajmërojë për rreziqet e përbrendshme që paraqesin partitë aktuale kryesore në trojet shqiptare – mendova se ia vlen që në fund të vitit 2020 ”Viti i At Gjergj Fishtës”, që nuk ishte shpallur dhe me rastin e 80-vjetorit të vdekjes së Poetit të Madh të kombit – të kujtojmë paralajmërimin prej profetit të Gjergj Fishtës mbi “rrezikun e përbrendshëm” , fjalë tepër aktuale edhe për ditët e sotme, për ata që duan t’i lexojnë e t’i dëgjojnë, para se të jetë tepër vonë – botuar dy vjet më parë.
Paralajmërimin për rrezikun e brendshëm, At Gjergj Fishta e ka bërë me shkrimin e titulluar “Rreziku i Përbrendshëm” në revistën e famshme françeskane në fillim shekullit të kaluar, “Hylli i Dritës”, numër 1 i vitit 1921. Megjithëse artikulli është shkruar para 100 viteve, aktualiteti i fjalëve dhe paralajmërimi i At Gjergj Fishtës drejtuar klasës së atëhershme politike mbi rrezikun e brendshëm që i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarëve, fatkeqësisht, tingëllon aktual, si një kambanë kushtrimi që bie edhe sot për shqiptarët dhe autoritetet politike të dy shteteve – Shqipëri e Kosovë, një shekull më vonë. At Gjergj Fishta e njihte mirë fizionominë e shqiptarit. Ai nuk i kursente fjalët dhe nuk shkruante për të siguruar mbështetje politike nga autoritete qeveritare dhe shtetërore të rastit ose të kohës, as për interesa personale ose politike dhe as nuk kishte për qëllim që me shkrimet e tij të argëtonte “Damat e kalorësit e oborreve princore”, siç është shprehur dikur në një shënim At Viktor Volaj, një mësim ky edhe për median e sotme shqiptare, bashkëpunëtore të kësaj klase të papërgjegjshme politike.
Fishta konsideronte se “rreziku i brendshëm” i vinte kombit jo nga “armiqtë e brendshëm”, siç i cilësonte regjimi komunist kundërshtarët e vet politikë. Jo, për At Gjergj Fishtën, rreziku i brendshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët ishin, “vagabondat, sallahanat, rrugaçat…këta njerëz, këta mikrobe të kombit”, siç i cilësonte ai, të cilët “po munden sot me shpresue se hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar”. Mbi të gjitha, me këtë paralajmërim si edhe me të gjitha shkrimet e tij, pa marrë parasysh se ç’mendojnë për të dhe për veprën e tij pseudo-historianët shqiptarë dhe nostalgjikët e sotëm të Enverit, At Gjergj Fishta synonte gjithmonë mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar dhe të avancimit të imazhit dhe të shpirtit të tij heroik e fisnik, në botë. Frati i maleve paralajmëronte shqiptarët për ato që ai i konsideronte si rreziqe që i kanoseshin kombit shqiptar nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Megjithëse për shqiptarët “modernë” dhe për klasën e sotme politike, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, At Gjergj Fishta mund të konsiderohet shumë i largët dhe pa konsekuenca për historinë dhe aktualitetin e sotëm shqiptar, unë u them se e kini gabim. Në sytë e vëzhguesve të paanshëm, mendimet dhe paralajmërimet e Fishtës janë aq aktuale sot, sa ishin pothuaj edhe një shekull më parë, pasi duket sikur fatkeqësisht një shekull më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë pikëpamje. Sidomos kur të merret parasysh gjendja aktuale në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë grindjet politike dhe luftën për pushtet, korrupsionin, drogën, trafiqet e lloj-llojshme, mbrojtjen e interesave personale dhe familjare në punët e shtetit dhe të bizneseve nga ana e pushtetarëve e të tjera që, historikisht, nuk e paraqet klasën e sotme politike shqiptare në dritën më të mirë që mund të jetë në botë – qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Fatkeqësisht, shqiptarët nuk kanë mësuar aspak nga gabimet e së kaluarës, përfshirë periudhën historike dhe hallet për të cilat ka shkruar Gjergj Fishta, një shekull më parë.
Interesat personale dhe partiake sot po shkatërrojnë harmoninë e brendshme shoqërore të botës shqiptare dhe po nxisin armiqtë e kombit që të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare kurdo që shohin një rast të volitshëm dhe derën e hapur për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore kundër interesave shqiptare. Gjendja politike aktuale në Shqipëri, sidomos në prag të zgjedhjeve dhe situata e brishtë e brendshme dhe e jashtme e Kosovës, kërkon prej atyre që ia duan të mirën kombit shqiptar e sidomos, nga ata që sot kanë në dorë “timonin” e kombit, që t’i vihet vesh paralajmërimit shekullor të At Gjergj Fishtës: “Kujdes nga rreziku i brendshëm!” Dallimet e theksuara shoqërore në fushën politike dhe ekonomike, ku një segment i vogël i shoqërisë që kontrollon politikën dhe ekonominë, favorizohet mbi të tjerët, sidomos në një shoqëri të varfër siç është bota shqiptare – përbëjnë një rrezik për të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por edhe në marrëdhënie me të tjerët. Por, me një harmoni të brendshme politike dhe ekonomike, kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, sado serioze qofshin ato, do të mund të përballeshin më lehtë me bashkimin e shqiptarëve rreth një platforme të përbashkët interesash kombëtare që duhet të qëndrojnë mbi të gjitha interesat e tjera politike dhe ekonomike. Në paralajmërimin për rrezikun e brendshëm nga At Gjergj Fishta në revistën e famshme françeskane “Hylli i Dritës”, të vitit 1921, Poeti i Kombit, me një perspektivë historike të tij, shkruan se nëse para fitimit të pavarësisë, shqiptarët ishin “Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, deri shpresën e kishin bjerrë shqyptarët, se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë, kur u thamë se kishte Shqypni. Por, qe, sot koha na dha arsye. Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, a ma tepër ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia ashtë, e se ashtë e lirë dhe e pamvarun”.
Fishta shkruante se “Ideali ynë përsa i përket pamvarsisë dhe lirisë së kombit shqyptar u realizue”, duke shtuar se “Shteti shqyptar leu”, por njëkohësisht shtron pyetjen: “Po mirë: por a jeton? A rritet kombi shqiptar? Ai shprehet se, aty për aty, nuk dukej të kishte ndonjë kërcënim të menjëhershëm nga jashtë ndaj Shqipërisë së re të pavarur, por paralajmëron se për të shuar jetën e re të pavarësisë së shtetit të ri shqiptar, nuk ishte e nevojshme që rreziku të vijë, patjetër, nga jashtë. “Shumë herë ai rrezik vjen tue u pjekë e tue u nugë shi përbrenda tejzave mbi të cilat bulon jeta. Njato mikrobe të helmatosuna, qi vërvisin përbrenda gjakut të nji limfatiku, janë nji për nji të rrezikshëm për jetë të njeriut sa nji zhigjetë a nji plumb që të përshkohet nëpër trup të tij…” Prandaj, Fishta bën thirrje se, “Duhet pra që na, si edhe të gjithë njata që kanë për zemër Shqypninë edhe dijnë çka asht liria e vërtetë, çka asht atdheu, t’i mbledhin mendtë tok mbi nji çashtje kaq me randësi e mos të përkundena në nji optimizëm të pa arsyeshëm, tue mahitë vendin e popullin me fjalë entuziazmi. Kombi s’do rrejtë; asht mëkat me e rrejtë kombin! Kombit i duhen çilë sytë e i duhen çilë sytë me kohë, kur të shifet se jeta e tij ashtë në rrezik, kështu që me kohë të mund të marrë ato masa që vendi e mendoret t’ia këshillojnë me i përdorue për të shpëtue jetën e vet.” Fishta paralajmëron siç shprehet, me fjalën e të moçmit se, “lëngatës i do ba ballë që në fillim, pse vonë e vonë mandej ka për t’iu gjetë bari”.
(vazhdon)
