
Çfarë ndjesie më krijoi kjo fotografi e listës Evropa Tani?! Po ju them se mendimi i parë që më ra në kokë nga lista zgjedhore Evropa Tani në Ulqin nuk e di përse, ose e di përse, është një poezi e poetit Ali Asllani i cili jetoi në prag të okupimit fashist nga Italia në vitin 1939. Kjo më kujtoi një përputhje si sot kur po pushtohemi nga “Bota serbe”. Me këta që po shihen këta ulqinakë, ishin dje dhe janë edhe sot haptas kundër Kosovës që të pranohej/t si shtet. Këta në mënyrë intuitive po më kujtojnë vargjet e Ali Asllanit që janë aktuale edhe sot për karakterin tonë: “Dallavera nëpër zyra/ dallavera në Pazar/ dallavera me të huaj/ dallavera me shqiptarë.
Roxher Skruton, profesor i estetikës dhe filozofisë në Kolegjin Berkbeg në Londër, në vitin 1990 shkruante se si sot kombi është në rrezik nga korporatat globale të institucioneve mbikombëtare si BE-ja dhe OBT-ja (Organizata Botërore e Tregtisë). Gjithashtu, disa me një mendësi gobaliste, shoh se si përbuzin me një anakronizëm përçarës dhe të manipuluar, gjoja në emër të një liberalizmi global, i cili në fakt as që nuk ekziston, sepse një gjë dihet, nëse korporatat e huaja dominojnë ligjërisht po themi vetëm potencialin e ofertës turistike për shembull në Mal të Zi, ose më konkretisht Ulqinin, atëherë doemos se do të na ngjajë ajo thënia: “Peshku i madh e han peshkun e vogël”?! Ata në emër të konkurrencës reale do të kërkojnë nga qeveritë këtu në Ulqin që ulqinakët të mos u bëjnë konkurrencë turistike me sektorin individual – që janë mbi 100 mijë shtretër. Për shembull shpejt do të na thuhet nga Kuvendi i Ulqinit që nëse oferta në sektorin individual nuk hynë në kategorinë “me pesë yje”, për llogari te të huajve të shuajmë ofertën tonë për të cilët do të thirren këta të Evropa Tani…?!
Kjo do të ngjajë që në momentin kur kredimarrësit ulqinakë të kenë shlyer të gjitha detyrimet ndaj bankave të marra me kamata të larta e pasi të na kenë rrjepur deri në lekun e fundit. Atëherë kuptohet se si Evropa Tani, ose ndonjë Evropë tjetër do të i mbyll të gjitha bankat e tilla duke na ulë në emër të ligjit interesin nga 7% në 2% gjoja si në tërë botën – pra paguaj e mos druaj. Këto prapaskena janë agjendë e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Ismail Kadare: Populli që nuk guxon të dënojë tradhtinë e tij, nuk meriton të jetojë i lirë.
Nëse Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve që është i zgjedhur në mënyrë indirekte, nuk ngrit një trup punues si puna e Forumit Demokratik Shqiptar të Gjergj Gjokës, dhe i cili do të kishte për detyrë të ndërtonte strategjinë zhvillimore politike dhe ekonomike në zonat ku banojnë shqiptarët, atëherë korporatat e mëdha të huaja do të vënë dorë mbi të gjitha resurset tona duke blerë politikën tonë me fare pak pare duke i kaluar në Kuvend. Në këto situata, mendojmë se do të duhej që kapitali i diasporës shqiptare të formojë një bankë me kapital shqiptaro-amerikan, të cilët do të administronin me ne në Ulqin. Këto lëvizje pazaresh kanë nisur që moti. Ja një projekt i këtillë i cili kaloi në Kuvendin e Ulqinit për rregullimin Ranës. Projekt i cili kur të përfundojë, do ta mbysë turizmin e qytetit, sepse Plazhi i Vogël, siç e shihni nga fotot, është lejuar të menaxhohet nga korporatat e huaja.
Ja se si do të duket Plazhi i Vogël… Projekt për të cilin votuan të gjitha partitë shqiptare…?!
Nga këto pamje të plazhit të qytetit, nuk shohim më se do të ketë dhoma te plazhi me 10 euro shtrati. Nuk thonë kot në Ulqin: Kush ta bani?! – Vetja more, vetja.
