Nevoja e ndërgjegjësimit të adoleshentëve për rreziqet nga interneti dhe rrjetet sociale

Pa dyshim, ndër faktorët që ndikojnë në delikuencën e nxënësve janë interneti dhe rrjetet sociale. Janë të shpeshta ankesat e profesorëve për mungesën e përqendrimit të nxënësve në mësim për shkak të përdorimit të telefonave

Për Koha Javore: Lejla Kajoshaj

(vijon nga numri i kaluar)
Për të kuptuar më mirë ndikimin e rrjeteve sociale tek adoleshentët, formimin dhe sjelljen e tyre, qoftë në botën virtuale apo atë reale, u realizua një anketë me nxënësit e Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz, ku në vitin shkollor 2021/2022, mësimin e rregullt e vijonin 320 nxënës, ndër të cilët u shpërndanë 100 pyetësorë, duke mbuluar pothuajse një të tretën e totalit të nxënësve.
Ndonëse nuk ishte objekt i studimit të dallimeve në moshë apo gjini, një vëmendje e veçantë iu kushtua ndarjes së pyetësorit në të gjitha klasat mes vajzave dhe djemve.
Pyetësori përmbante pyetje të fokusuara rreth përdorimit të internetit dhe rrjeteve sociale si dhe rreth sjelljes në ambientet shkollore dhe socializimit në përgjithësi.
Rezultatet treguan se kur bëhet fjalë për qëndrimin e adoleshentëve në internet dhe rrjetet sociale, 74% e të anketuarve e pranojnë që qëndrojnë në internet më gjatë sesa planifikojnë. 18% vazhdimisht shpenzojnë më shumë se katër orë në internet gjatë ditës, prandaj nuk është për t’u habitur që 46% të tyre u ndodhë që të mungojnë orën e parë të mësimit. Por, edhe nëse janë të rregullt në vijueshmëri, 62% e tyre pranojnë se e kanë të vështirë të përqendrohen në mësim gjatë orëve të para. Kjo përputhet me problemin e pagjumësisë, ku 58% deklarojnë se për shkak të qëndrimit më të gjatë në internet flenë dukshëm më pak sesa është e nevojshme për ta. Edhe pse ka shumë faktorë që ndikojnë në suksesin e nxënësve, pikërisht janë 36% e tyre që mendojnë se koha e tepërt që shpenzojnë në rrjetet sociale ndikon negativisht në suksesin e tyre.
Domethënës është numri i atyre që mendojnë se interneti ua mundëson të shmangen nga problemet e përditshme, pra të ikin nga bota reale në atë virtuale, ku mendojnë se do të gjejnë qetësi. 25% herë pas here prehjen e gjejnë në internet, 17% deklarojnë që relativisht shpesh kanë nevojë për internetin që t’u ikin problemeve reale dhe janë 13% të tyre që vazhdimisht kyçen në internet për shpëtim. Edhe pse në pamje të parë duket e vogël, kjo përqindje është shqetësuese sepse ky grup është më i pambrojtur për të qenë i varur nga interneti.

Shqetësuese është edhe gjuha që përdoret online, ku shpesh ajo është gjuhë urrejtjeje, konfliktuale, diskriminuese dhe bullizuese. Përqindja më e madhe është te debatet konfliktuale ndërnacionale, ku 34% deklarojnë se ndodh që nganjëherë apo edhe shpeshherë të marrin pjesë në debate online konfliktuale ndërnacionalem kurse 37% marrin pjesë në debate online ku dikush bullizohet. Kështu duke përdorur jo vetëm fjalë urryese, por edhe banale përgjatë debateve online, adoleshentët gjithnjë e më pak do të jenë të kujdesshëm në fjalorin e tyre në jetën e përditshme


Stresi i cili shkaktohet nga mosplotësimi i pritshmërive të përdoruesve të internetit dhe rrjeteve sociale është gjithashtu shqetësues. 54% e të anketuarve me padurim i hapin llogaritë e tyre online disa herë gjatë ditës duke pritur gjëra të reja, 65% shqetësohen kur shpejtësia e internetit është e ngadaltë, kurse 72% stresohen kur rrjeti i internetit shkëputet për disa orë. Janë 38% që pranojnë se nganjëherë nevrikosen gjatë debateve online dhe 13% që kjo u ndodhë shpesh. Dhe jo çdoherë konflikti online ngel aty. 41% deklarojnë që nganjëherë u ndodhë që konfliktet online t’i kalojnë në botën reale, kurse 6% u ndodhë shpeshherë. Rrjedhimisht 37% deklarojnë që kanë qenë pjesë e konfliktit fizik.
Gjithashtu shqetësuese është edhe gjuha që përdoret online, ku shpesh ajo është gjuhë urrejtjeje, konfliktuale, diskriminuese dhe bullizuese. Përqindja më e madhe është te debatet konfliktuale ndërnacionale, ku 34% deklarojnë se ndodh që nganjëherë apo edhe shpeshherë të marrin pjesë në debate online konfliktuale ndërnacionale, kurse 37% marrin pjesë në debate online ku dikush bullizohet. Kështu duke përdorur jo vetëm fjalë urryese, por edhe banale përgjatë debateve online, adoleshentët gjithnjë e më pak do të jenë të kujdesshëm në fjalorin e tyre në jetën e përditshme.
Sjelljet delikuente, nga ato më të voglat deri te më të rëndat, zakonisht paraqiten shkallë-shkallë. Askush nuk lind kriminel, por njeriu bëhet kriminel gjatë rrugëtimit të tij në jetë. Prandaj aty ku do gjejmë format e lehta të delikuencës adoleshente, pritshmëria do të jetë reale edhe për aktet delikuente më të rënda. Pyetësori shfaq një realitet të zymtë, ku 31% deklarojnë që shoqërohen me persona për të cilët e dinë që konsumojnë substanca narkotike, dhe janë 13% që e pranojnë se vetë ata janë konsumues të këtyre substancave. 29% të tyre e pranojnë që konsumojnë pije alkoolike dhe 21% konsumojnë duhanin, kurse 17% luajnë lojëra të fatit dhe baste online.
Pa dyshim, ndër faktorët që ndikojnë në delikuencën e nxënësve janë interneti dhe rrjetet sociale. Janë të shpeshta ankesat e profesorëve për mungesën e përqendrimit të nxënësve në mësim për shkak të përdorimit të telefonave.
Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë informative po e bën botën një hapësirë të vogël ku gjithçka që dikur ishte në distancë të largët dhe e paarritshme, sot është shumë pranë nesh, në përgjithësi i njohur si fshati global. Të rinjtë, si persona në proces zhvillimi, gjatë rritjes, zhvillimit, socializimit dhe edukimit të tyre janë shumë të ndjeshëm ndaj mediave dhe ndikimeve të tyre. Sikur në shumicën e vendeve të botës, ashtu edhe te ne, është e paimagjinueshme përditshmëria pa internet dhe rrjetet sociale, qoftë në shërbim të edukimit, rekreacionit apo biznesit.
Sot, adoleshentët u drejtohen teknologjive të reja, mediave, rrjeteve sociale, në të cilat gjejnë përgjigje për shumë pyetje, mënyra të reja alternative komunikimi me bashkëmoshatarët, por edhe thjesht për të marrë informacionin e nevojshëm.
Vërtet që përveç argëtimit dhe kohës së lirë, të rinjtë e përdorin internetin dhe rrjetet sociale edhe për të mësuar dhe përfitimi nga interneti dhe rrjetet sociale është më se i dobishëm, por gjithashtu ka edhe anët negative si: koha e gjatë dhe e tepërt e përdorimit të tyre, informacionet jo të sakta janë të vështira për t’u verifikuar, pastaj edhe dhuna dhe krimi shumë lehtë i arritshëm për t’u shikuar. Këto pa dyshim paraqesin rrezik të madh në shtimin e delikuencës tek adoleshentët.
E përbashkëta e personave të varur nga interneti është se ata më shpesh merren me aplikacione interaktive në internet, përpiqen të kenë shumë komunikime sociale online dhe në të njëjtën kohë u bie vetëbesimi në jetën reale dhe rritet izolimi dhe ankthi social.
Është i nevojshëm ndërgjegjësimi i adoleshentëve për çdo lloj rreziku që mund të shfaqet duke përdorur internetin dhe rrjetet sociale. Realiteti sot është i zymtë, të rinjtë nuk i kushtojnë rëndësi të mjaftueshme kësaj çështjeje, prandaj edhe sjelljet delikuente janë gjithnjë e në rritje.
(Fund)
(Autorja është studente e Programit të studimit Master në Psikologji klinike në Universitetin e Tetovës)

Të fundit

më të lexuarat