Në vend të librit, bibliotekave dhe sallave të leximit – kafene, bastore dhe injorantë

Kultura e kafeneve është e njohur për ne. Vendi ku fëmijët më së shumti i shohin mësuesit e tyre, janë kafenetë. Aty bëhet takimi i trekëndëshit edukativ: prind, nxënës, mësimdhënës. Shembulli më i keq i edukatës që mund të jepet, përthithet nga viti në vit, derisa fëmija ynë, nxënësi ynë, e nesërmja jonë, merr veset tona

Mark Pashku – Lucgjonaj

Libri dhe leximi janë kulturë e cila krijohet e ushqehet prej mësimdhënësve, prindërve dhe institucioneve edukativo-arsimore. Nisur nga kjo, fillimisht janë prindërit ata që fëmijës së vet i japin kulturën e të dëgjuarit të leximit nga libri fizik. Në fëmijërinë e hershme, leximi i përrallave para gjumit është hapi i parë i mbjelljes së farës së kulturës së leximit, shoqëruar me praninë e një këndi në shtëpi, ku domosdo duhet të qëndrojnë disa libra. Por, krahas leximit të përrallave në mbrëmje, fëmijëve duhet t’u lexojmë edhe në natyrë, kur të dalim me ta në piknikë të ndryshëm, në plazhe apo kudo që të zgjedhim për të kaluar kohën me fëmijët tanë. E kur ata të jenë duke luajtur, duhet të mësohen që të na shohin edhe ne me libër në dorë. Pra, nëse duam që fëmija ynë të edukohet në një drejtim të caktuar, shembulli i parë duhet të jemi ne. Nëse fëmija është mësuar që ta dëgjojë librin teksa i lexohet, ta shohë e ta prekë librin kudo nëpër shtëpi, në veturë e në të gjitha hapësirat ku ai qëndron, atëherë do të jemi në rrugë të duhur për të ndërtuar një personalitet njeriu i cili jetën e bazon te leximi dhe që beson te libri.

Realisht, problemi kryesor, sidomos vitet e fundit, është mungesa e leximit nga ana e vetë mësuesve, të cilët, përveç literaturës për fakultet (edhe ajo me mangësi), nuk kanë lexuar e as nuk lexojnë për vete. Kjo vërtetohet shumë lehtë, pasi në shumë raste të rralla, minimale, fëmijët i shohin mësimdhënësit e tyre me një libër në dorë, qoftë në shkollë, qoftë në vende të ndryshme ku ata mund të takohen bashkë


Pas hapave të parë, themelit të leximit, janë mësuesit e arsimit fillor ata të cilët duhet ta inspirojnë dhe ta rrisin dëshirën për lexim, duke bërë që fëmijët leximin ta kenë si lojë, si ushqim e jo si detyrë. Inspirimi për lexim në pesë klasat e para bëhet përmes mënyrave të ndryshme e aspak të komplikuara, që nuk kërkojnë pajisje e as ndonjë teknologji të avancuar, përveç dy elementeve: dashurisë për librin dhe mësimdhënien, dhe normalisht, vetë librit. Nëse një nxënës e kryen shkollën pesëvjeçare pa lexuar përrallat e Ezopit, Andersenit, vëllezërve Grim, përralla shqiptare popullore, poezi shqipe nga poetë për fëmijë, “Udhëtimi i Pëllumbit” nga Odhise Grillo, “Balona me yje” nga Dritëro Agolli, tregime nga Sterjo Spasse, “Lulin e vocërr”, “Zemra e Nënës”, përralla edukative atdhetare, “Beni ecën vetë”, detyra e mësuesit nuk është bërë siç duhet. Por, realisht, problemi kryesor, sidomos vitet e fundit, është mungesa e leximit nga ana e vetë mësuesve, të cilët, përveç literaturës për fakultet (edhe ajo me mangësi), nuk kanë lexuar e as nuk lexojnë për vete.
Kjo vërtetohet shumë lehtë, pasi në shumë raste të rralla, minimale, fëmijët i shohin mësimdhënësit e tyre me një libër në dorë, qoftë në shkollë, qoftë në vende të ndryshme ku ata mund të takohen bashkë. Kultura e kafeneve është e njohur për ne. Vendi ku fëmijët më së shumti i shohin mësuesit e tyre, janë kafenetë. Aty bëhet takimi i trekëndëshit edukativ: prind, nxënës, mësimdhënës. Shembulli më i keq i edukatës që mund të jepet, përthithet nga viti në vit, derisa fëmija ynë, nxënësi ynë, e nesërmja jonë, merr veset tona. Kështu ishte koha e shkuar, kur jetën tonë e kishin në dorë “Ligjet e Kanunit”. Hakmarrja, vrasja, burrëria e përgjakur, hasmëritë, izolimi etj., ishin mënyrë e të jetuarit. Arsyeja e vetme pse kjo vazhdoi gjatë e gjatë, dhe akoma vazhdon në disa vende në Shqipërinë e Veriut, por edhe gjetiu ndër shqiptarë, është se “sheh rrushi rrushin e piqet”. Pra, fëmijët tanë bëhen ashtu siç jemi ne.
Që këta nxënës të pajisen me diploma (e padituri), fillimisht u ul kriteri, e më pas u hapën fakultetet private, ku ata që shkuan në to (sot madje është fat nëse kanë shkuar ndonjë ditë) i përfunduan, duke mos marrë asnjë dituri, përveç kulturës së kafeneve dhe Kanunit të Korrupsionit. Pas kësaj, diplomat filluan të vijnë me postë, natën. Pra, këto qenie me diploma, sot janë kudo në institucionet edukative, në spitale, në aeroporte, në Akademi të Shkencave e deri në sallat e gjyqeve. Kultura e kafeneve vetëm se u përforcua, madje u bë institucion, ku mbahen takimet e të gjitha natyrave, madje edhe religjioze.
Rezultati i gjithë kësaj është më se evident. Në gjithë Malin e Zi ka njëzet biblioteka të regjistruara publike. Vetëm në Tuz, që është njëra prej qendrave më të vogla në Mal të Zi, ka mbi njëzet bastore, përfshirë edhe të ashtuquajturat “Zlatnik”, të cilat është më se normale, të gjitha kanë klientelë të rregullt, të të gjitha moshave. Kurse numri i kafeneve është dyfish më i madh, ndoshta edhe më shumë se aq.
Pyetja kryesore që lind prej kësaj analize, krejt natyrshëm më vjen: për ku është nisur shoqëria jonë?
Të gjithë do të përgjigjeshim njëjtë: drejt Bashkimit Evropian!
Po mos vallë ky është Bashkimi Evropian?
Besoj se tashmë e kemi kuptuar se përpjekjet e institucioneve të BE-së për të na ndërgjegjësuar e për të na bërë “evropianë” janë të shumta. Por me kë duan të bashkëpunojnë përfaqësuesit e BE-së për të ndërtuar një demokraci të shëndoshë, ligje e zbatim të tyre që çojnë drejt zhvillimit, ligje e institucione që kanë kritere për të zhvilluar meritokracinë, institucione të cilat nuk do të jenë të kapura nga grupacione të ndryshme, të cilat nuk duan të njohin asgjë që i vjen era rregull e ligj. Normale është që ne të jemi zorrë qorre, të jemi akoma me frymën e inateve e përçarjeve nacionale, të varfër, të pazhvilluar, me spitale, shkolla, zjarrfikës, ushtri e polici leckamanësh. Normale që jemi duke u manipuluar nga të gjitha strukturat që vijnë nga jashtë, qofshin shtete të ndryshme, organizata e shoqata të cilat e kanë të lehtë të na marrin, të na fusin nën kontroll, të na bëjnë mish për top, sepse jemi të paformuar.
Se kush po na mban kështu, e kush na do kështu, po ia lë lexuesit ta vlerësojë vetë!

Të fundit

më të lexuarat