Në kujtim të prijësit Dedë Gjo’ Luli

6 prilli i vitit 1911 është përvjetori i ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Heroi i kombit, Ded Gjo’ Luli, për herë të parë në pothuaj 500-vjet të pushtimit Osman në trojet shqiptare. Ngritjes së Flamurit Kombëtar të Shqiptarëve i pat parapri Kryengritja e Malësisë së Madhe, një kryengritje kjo që mund të thuhet se nuk kishte ndodhur më parë në trojet shqiptare, që nga prej koha e Gjergj Kastriotit-Skënderbe

Për Koha Javore: Frank Shkreli

Në këngën e 28 të Lahutës së Malësisë, epopesë sonë kombëtare, i madhi i letrave, At Gjergj Fishta i këndon trimërisë së Ded Gjo’ Lulit dhe malësorëve të tij, ndërsa shpjegohet në parathënien e kësaj kënge se Deda me një grusht malësorësh niset për në Rapshë të Hotit, për t’u takuar me plakun Marash Ucin, të cilin e njofton, me qëllim që të merrte edhe pëlqimin e tij, për kryengritjen –sepse me djemtë që kishte me vetin, kishte vendosur t’i binte Turkut para afatit të caktuar nga paria e maleve. Deda ngarkon Marash Ucin me detyrën që të lajmërojë, për këtë nismë, fiset Shkrel e Kastrat, pasi ushtarët e tij ishin vetëm 20 — me shtatë pushkë e një allti. Kryengritësit malësorë marrin nën kontroll postet e mbretit dhe zunë robër 60 ushtarë anadollakë, të cilëve u marrin armët dhe i nisin për Shkodër. Luftimet pëlcasin aty- këtu, ndërsa Fishta përshkruan me zotësinë e tij prej poeti, se si rojet turke bien e dorëzohen anembanë Malësisë. Me të marrë vesh për luftën e malësorëve, Sulltani dërgon në Shkodër 70-taborre, nën komandën e Turgut Pashës, por malësorët nuk dorëzohen. Paria e maleve mblidhet me Luigj Gurakuqin në krye dhe vendosin t’i përgjigjen Pashës me barut. Mësynë Turkun me furi, e pret Malësia me trimëri, këndon At Gjergj Fishta në vjershën 28 të Lahutës së Malësisë. Vendi kallet flakë: gjëmojnë male e kodra, ushtojnë gryka e humnera, fishkëllejnë plumba e gjyle topash. Et’hem Pasha mësynë Kelmendin nga ana e Gucisë dhe malësorët tashti gjenden mes dy zjarreve, por nuk ligështohen. Forcat dërmuese anadollake fitojnë, por toka lahet në gjak dhe shtrohet pëllëmbë për pëllëmbë me ushtarë të vdekur anadollakë. Evropa habitet nga trimëria e malësorëve dhe më në fund e sheh vendosmërinë e shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta, pas pushtimit Osman prej 500-vjetësh, interpreton Fishta.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “810” të revistës Koha Javore

Të fundit

më të lexuarat