![](https://kohajavore.me/wp-content/uploads/2016/11/nail-draga.jpg)
Ndonëse në Kosovë fushata zgjedhore ka filluar më herët, ajo zyrtarisht ka filluar më 11 janar, ku partitë politike për katër javë kanë shpalosur programet para votuesve të tyre. Subjektet politike nuk kanë heshtur, sepse ato kanë organizuar tubime me qytetarë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke nënvizuar përparësitë e tyre në zgjedhje, si pozita ashtu dhe opozita. Por, ajo që bie në sy gjatë kësaj fushate është se kemi pasur një gjuhë polarizuese, ku nuk janë kursyer jo vetëm individët e as partitë politike, ku më e arsyeshme ka qenë që partitë politike të fokusohen në programet ekonomike në katër vitet e ardhshme si kudo në vendet demokratike.
Votimet e para të rregullta
Votimet e shkurtit janë zgjedhjet e para të rregullta që prej shpalljes së Pavarësisë dhe do të zhvillohen bazuar në Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, i cili sjell ndryshime në procesin zgjedhor. I miratuar në verën e vitit 2023, ky ligj parashikon ndryshime në mënyrën e votimit, numërimin e votave, votimin e diasporës dhe menaxhimin e fushatës. Ndërsa risi është në rritjen e numrit të kandidatëve për deputetë, për të cilët qytetarët mund të votojnë.
Qytetari mund të votojë për dhjetë deputetë
Një prej ndryshimeve kryesore që i parasheh Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës është se çdo votues do të mund të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë të një partie politike, ndryshe prej pesë sa ishin në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Në lidhje me këtë çështje, analistët e ndryshëm vlerësojnë se kjo mënyrë e votimit hap mundësi për manipulim të elektoratit. Fjala është se mund të ndodhë që nga pakujdesia votuesi mos të rrumbullakojë të dhjetë kandidatët, duke lënë mundësi që në rast të tillë anëtarët e komisioneve zgjedhore të ndërhyjnë sipas shijes së tyre.
Nga ana tjetër, votuesit i mundësohet të zgjedhë më shumë kandidatë për deputetë sipas preferencave të tyre profesionale duke rritur cilësinë e përfaqësimit politik.
Votohet edhe në diasporë
Të drejtën për t’i zgjedhur kandidatët për deputetë do ta kenë edhe qytetarët në diasporë. Deri më 24 dhjetor 2024, KQZ-ja ka pranuar rreth 70 mijë kërkesa nga diaspora për regjistrim si votues. Por ndryshe nga zgjedhësit në Kosovë, ata para kutive të votimit do të dalin më 8 shkurt 2025.
Mërgata e Kosovës ka mundësi të votojë përmes pranisë fizike apo votës së dërguar me postë në përfaqësitë diplomatike (ambasada e konsullata) në 22 vende të botës, ndryshe nga më herët kur u është dashur të udhëtojnë në Kosovë apo që votën ta dërgojnë me postë. Një veprim i tillë nuk do të thotë se e eliminon mundësinë e ardhjes së mërgimtarëve për të votuar drejtpërdrejt në vendbanimet dhe vendvotimet e tyre në Kosovë. Madje, praktika e zgjedhjeve të fundit dëshmon për gatishmërinë e tyre për të qenë pjesëmarrës si votues në vendlindje, çështje e cila është ekskluzive personale.
Dy procese numërimi
Teksa vota e mërgimtarëve do të numërohet pas mbërritjes së saj në Kosovë, ndryshe do të veprohet me atë të qytetarëve rezidentë. Për ta, numërimi do të ndahet në dy procese. Në ditën e zgjedhjeve, nëpër vendvotime do të numërohet fillimisht vota për subjektin politik e një ditë më vonë dhe në qendra komunale të numërimit, ajo për deputetë.
Mundësia që numërimi i votave të kandidatëve nëpër qendra komunale nuk ka dilemë se do ta përshpejtojë certifikimin përfundimtar të votave, që është në favor të transparencës, sepse kandidati për deputet do të mund ta mësojë rezultatin që të nesërmen e ditës së zgjedhjeve. Bëhet me dije se në favor të transparencës do të jetë i hapur portali i KQZ-së, ku do të plasohen të gjitha rezultatet, formularët e po ashtu edhe rezultatet që numërohen në qendra komunale të numërimit.
Ndryshime në procesin e votimit
Njoftohet se ndryshime ka edhe në procesin e votimit me kusht, i cili do të lejohet veç në një vendvotim në secilën prej komunave. E për votimin e asistuar do të kërkohet arsyetim i bazuar mirë. Po ashtu zgjedhjet e përgjithshme do të monitorohen për herë të parë edhe nga kamerat, xhirimet e të cilave do të vihen në dispozicion të institucioneve me qëllim të zbardhjes së keqpërdorimit.
Mbi dy milionë votues
Nga ana e KQZ-së kanë njoftuar se janë gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa numri i të rinjve që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës është llogaritur të jetë afër 210 mijë. Në zgjedhje do të marrin pjesë 27 subjekte politike e 1232 kandidatë për deputetë në Kuvend. Bëhet me dije se KQZ ka akredituar 18 mijë e 163 vëzhgues nga 21 subjekte të ndryshme politike, të cilat janë të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Sondazhet favorizojnë Vetëvendosjen
Si më parë, por edhe gjatë fushatës zgjedhore, nuk ka munguar publikimi i sondazheve të ndryshme për partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Të gjitha sondazhet e publikuara nuk e vënë në dyshim se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e para, por çështja është se sa do të jetë në përqindje ajo mbështetje nga qytetarët. Kështu, sipas një sondazhi të publikuar më 31 janar 2025 nga PolitPro del se për LVV-në do të votojnë 52% e votuesve, për PDK-në 19%, LDK-në 15%, AAK-NISMA 8%, ndërsa për subjektet e tjera nga 1 deri në 3%. Ndërsa nëse këto të dhëna i krahasojmë me votimet e mbajtura me 14 shkurt 2021, këto subjekte politike kanë rritje: LVV +1.7%, PDK +2%, LDK +2.3% dhe AAK +1.0%.
Theksojmë se në këto sondazhe nuk është llogaritur votimi nga diaspora, që do të ndikojë ndjeshëm në rezultatin përfundimtar të subjekteve politike.
Çështja e Veriut favorizon LVV-në
Një mbështetje e tillë për LVV-në, përkatësisht Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti në vitin 2024 vlerësohet se ka vendosur sovranitetin edhe në Veri të Kosovës mbi bazën e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjeve të saj demokratike, sepse e ndaloi korrupsionin, e legjitimoi euron valutë shtetërore të Kosovës dhe e ndaloi dinarin serb, i zëvendësoi targat e automjeteve të serbëve me targa RKS, konvertoi patentë shoferët në RKS, e ndaloi kontrabandën serbe në Veri të Kosovës, e zmbrapsi agresionin terrorist serb te Manastiri Ortodoks Serb në Banjskë të Zveçanit, të udhëhequr nga kryeterroristi Millan Radojçiq, e konfiskoi tërë atë arsenal të madh të armëve, ia konfiskoi pasuritë e patundshme Radojçiqit, i mbylli institucionet e strukturave paralele ilegale serbe, i mbylli filialet bankare ilegale serbe, i dëboi terroristët dhe kontrabandistët ilegalë serbë nga Veriu i Kosovës dhe miratoi Ligjin për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, riktheu nën kontroll liqenin e Ujmanit, filloi ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në Veri, rikthimin e pronave të shqiptarëve në Veri etj..
Zgjedhjet si referendum
Të dhënat e mësipërme janë transparente dhe të njohura për qytetarët e Kosovës, ndërsa çdo minimizim apo politizim i tyre nga opozita aktuale apo individë të ndryshëm e vlerësojmë si pjesë e retorikës së fushatës zgjedhore. Pavarësisht prej sondazheve dhe disponimit të qytetarëve në fushatën zgjedhore, fitohet përshtypja se kemi të bëjmë me referendum e jo zgjedhje të rregullta parlamentare, ku fjala e fundit iu takon qytetarëve të cilët do të marrin pjesë në votimet e 9 shkurtit, sepse do të votohet për stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.