Në cilën kohë po jetojmë?

Haxhi Zeneli

Po jetojmë në një trend të ri ku për një periudhë të shkurtër kanë ndryshuar shumë gjëra nga jeta dhe mënyra e të jetuarit. Pas shumë të tjerash, ne po jetojmë në një kohë ku shumica e rinisë kërkon famë duke mos konsideruar aftësi. E duan atë me çdo kusht, iu është imponuar dhe bëjnë të pa mundurën për ta arritur atë. Për ta bërë këtë sot është më lehtë se asnjëherë. Na e ofron teknologjia një mjet që e shtërngojmë në duart tona dhe nuk e lëshojmë për asnjë minutë, pra një mjet që sot quhet ”sëmundja e shekullit”, që ka infektuar miliona njerëz duke ua ka shtuar zilinë për famë, sa më shumë të dukesh “cool” ajo të bë të dalësh edhe më lakuriq para popullit. Vendet e varfra kopijojnë emisione të ndryshme nga vendet me standarte të larta që janë shumë më të avancuara. Janë duke ua imponuar qytetarëve të vet një standard jashtë realitetit dhe vlerave të tyre, vetëm që të ua tërheqin vëmendjen. Kjo po ndodhë në çdo skaj, duke u imponuar ndjekësve të tyre ”hero” të rrejshëm, personazhe që populli i merr si të vërtetë, duke injoruar faktin e “show business-it” që nuk kanë për qëllim ngritje vlerash. Në fakt ato tallen me normalitetin, sepse ideja është që të bëhesh sa më shumë pjesë e komenteve dhe qendër e vëmendjes së një dite, një jave apo edhe një muaji, por jo më shumë se aq, sepse asgjë nuk jeton gjatë. Tashti ke një konkurrencë të madhe nga të tjerët që mundohen të bëjnë të njëjtën gjë. Ky është trendi i sotëm që e duan shumica, është një kohë e ”likes dhe klikes”, që po e vuajnë shumë të rinjtë të kohës. Por kësaj gracke nuk i shpëtojnë as disa mosha të shtyra me super ego, që nuk janë askush por duan të bëhen dikush. Nuk janë vetëm individët, janë edhe mediat institucionale që duan të bëhen promotore të antivlerës vetëm për të bërë emër. Disa media apo portale për të tërhequr sa më shumë ”klikime” kanë angazhuar gazetarë vetëm për të prodhuar emisione ”thashethemesh” pa asnjë vlerë dhe nga aty nxjerrin tituj sa më tërheqës në ballina, të shkëputur apo të formuluar jashtë kontekstit, tituj të pavërtetë, dezinformues, mashtrues, denigrues, amoral,vetëm që të ia tërheqin vëmendjen publikut. Luajnë me fatin e njerëzve, i përdorin dhe në fund të shtrydhur si limoj i qesin në mbeturina, vetëm për ”klikime”. Nuk e kanë aspak gajlen se i poshtërojnë njerëzit, i njollosin, shkatërrojnë familje, rrezikojnë jetën e dikujt. Kjo fare nuk u bën përshtypje.
Një pikëpyetje e madhe se për çfarë jetojnë njerëzit sot, ku është baza dhe motivi i tyre?
Ku është motivimi për punën, për kreativitetin, për idenë, për planifikimin ekonomik të mirëqenies, për planifikimin familjar në të mirën e shoqërisë, të atdheut, ku janë këto? Përse duhet të ndjekim mediat televizive me aq kuriozitet dhe pasion të çmendur ndaj personazheve të imponuar nga mediat që e kanë për sa më shumë shikueshmëri dhe ”klikime”?
Kjo pyetje është e vështirë, bile shpeshherë nuk marrim përgjigje as nga ata të fushave të specializuara që merren me këto probleme. Standardet kanë ndryshuar dhe për ata që janë në frymën e fundit të mbajtjeve të traditave vendore, kamerat e fshehta u kanë hyrë edhe në dhomat e gjumit. Iku koha kur njerëzit mundoheshin të ruanin “fytyrën” para komshiut, lagjes, fshatit, qytetit apo edhe mbarë kombit të tyre. Kjo është zbehur dhe është drejt avullimit.
Sot ta kërkosh këtë nga gjeneratat e reja, apo më mirë të themi nga pasardhësit tanë, ti quhesh i prapambetur dhe njeri me fobi, bile të kundërvihen me pyetjen: “Ku jeton ti?”, ose të thonë: “Të paska ngelur ora?!
Ka hyrë në modë që sa më i ndryshëm të jesh me pikëpamje dhe mendime, me një fjalë sa më i çoroditur, ti bëhesh më i famshëm. Sa më shumë sekrete nxjerr nga jeta personale, bëhësh më i klikuar. Sa më kontrovers që je, aq më i kërkuar bëhesh për mediat.
Andaj kjo është ajo koha që ne po e jetojmë, ju pëlqen apo jo. Zilia ndaj abnormalitetit e zhveshi lakuriq shumicën e atyre që deri më tani kanë jetuar jetë normale. Sot sa më normal të jesh, nuk ta var kush, jemi të ndarë. Për një pjesë kjo është “vlerë”, kurse për një pjesë tjetër e pa vlerë.

Të fundit

më të lexuarat