
(vijon nga numri i kaluar)
Shtrirja territoriale
Në saje të rrethanave politike e shoqërore Ulqini dhe rrethina e tij pas vitit 1880, nën administrimin e Malit të Zi, u formua një përcaktim territorial i veçantë, i panjohur deri në atë kohë. Kështu kësaj here shtrirja e tillë territoriale përfshin qytetin e Ulqinit, pjesën e bregdetit nga vendbanimi i Krruçit e deri në grykëderdhje të Bunës, duke përfshirë edhe ujdhesën Ada dhe vazhduar në lindje përmes lumit Buna, deri te Shëngjergji, përkatësisht te vija ujore e derdhjes së liqenit të Shasit, anën bregore të liqenit të Shasit, duke vijuar me rrjedhën e Sheut dhe vendbanimin e Klleznës së Sipërme, ku si kufi ndarës ishte lumi, përkatësisht sheu i Megjureçit, deri tek Ura e Mërkotit, duke vazhduar drejt perëndimit në drejtim të Krruçit me dalje në bregdet.
Vendbanimet
Në kudër të kësaj shtrirjeje territoriale, sipas dokumentit arkivor ishin të pranishëm 17 vendbanime. Çështje të veçantë paraqet shtrirja territoriale e vendbanimeve të tilla, sepse me kalimin e kohës janë paraqitur ndryshime të kësaj natyre. Fjala është për vendbanimin e Shtojit, sepse në vitin 1888 na del i shënuar si Shtoj-Shënkoll, pra i bashkëngjitur, ndërsa më vonë dalin si vendbanime të veçanta. Pse në këtë vit dalin në këtë formë, duke qenë i vetmi në këtë territor, mbetet çështje për diskutim dhe meriton një trajtim të veçantë.
Po ashtu hetohet se në kuadër të vendbanimeve të Ulqinit bën pjesë edhe Garana, vendbanim në VP të Ulqinit, që në të ardhmen pas ndryshimeve shoqërore e politike do t’i bashkëngjitet Tivarit, përkatësisht komunës me të njëjtin emër, e si e tillë është edhe sot.
Qyteti i Ulqinit
Në këtë regjistrim, sa i përket vendbanimeve kemi një të dhënë të veçantë. Fjala është për qytetin e Ulqinit, i cili na prezantohet jo si një njësi e vendbanimit por me pesë njësi përbërëse, përkatësisht lagje, të njohura në këtë mjedis si mëhallë. Kështu na paraqiten pesë (5) mëhalla: Mëhalla e re, Kalaja, Rana, Meterizi dhe Meraja. Nuk ka të dhëna se cili ka qenë shkaku i një evidentimi të tillë, por mund të kuptohet se si shkas duhet të ketë qenë evidenca më e lehtë e qytetarëve për të paguar taksën (haraçin) për pushtetin e kohës.
Popullsia
Në lidhje me numrin e përgjithshëm të popullsisë sipas vendbanimeve, dokumenti nga viti 1888 jep të dhëna me interes nga vetë fakti se është i pari nga administrata e qeverisë malazeze për këtë regjion. Nga të dhënat e prezantuara del se Ulqini me rrethinën e tij ka pasur gjithsej 1240 shtëpi, nga të cilat 1 124 shqiptare dhe 116 malazeze. Nëse këto të dhëna i paraqesim me përqindje del se 90.64% ishin shqiptare, ndërsa 9.35% malazeze.
Duke marrë parasysh se deri në vitin 1880 në Ulqin nuk ka pasur asnjë shtëpi malazeze, sipas të dhënave nga ky dokument në vitin 1888, në kuadër të qytetit, në pesë lagjet e tij janë vendosur 112 shtëpi nga gjithsej 116. Këto 112 shtëpi kanë paraqitur (96.5%) të tyre, ndërsa 4 shtëpi (3.5%) janë vendosur në një fshat, në Shënkoll, që ishin anëtarët e familjes që ishin vendosur në doganën e Shënkollit në breg të Bunës më 7. 12. 1880.
Ndonëse nuk kemi të dhëna në lidhje me numrin e banorëve në tërësi, sipas një analize aproksimative, duke vlerësuar se për një shtëpi mesatarisht ka pasur 6 anëtarë, del se në këtë vit në Ulqin ka pasur 7 440 banorë. Ndonëse një e dhënë e tillë mbetet të argumentohet edhe me burime të tjera, sepse për kohën shtëpitë kanë qenë të mëdha, se në kuadër të tyre kanë jetuar disa familje, andaj ky numër duhet të merret si minimumi i tyre në atë kohë.
Në lidhje me këtë çështje cekim se një vit para këtij informacioni, pra në vitin 1887, Ulqini me rrethinë ka pasur 1 409 shtëpi me 6 407 banorë, nga të cilat në qytet 800 shtëpi me 3 362 banorë (Djoko Pejović, Naseljavanje okoline Bara i Ulcinja i način regulisanja odnosa na zemlji, I. Zapisi, br. 3-4, Titograd, 1970, f. 318). Ndërsa për vitin 1896 kemi të dhëna për popullsinë e disa qyteteve në Mal të Zi, ku për Ulqinin ceket se kishte 5005 banorë (Kurt Hasert, Crna Gora I, Putopisi, Podgorica-Cetinje, 1995, f. 354).
Kolonizimi i Ulqinit
me popullsi sllave
Me aneksimin e Ulqinit, pushteti i Malit të Zi si çështje parësore të politikës shtetërore kishte vendosur ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë në këtë mjedis, i cili dominohej absolutisht nga shqiptarët. Me urdhër të Simo Popoviqit, i cili ishte guvernatori i parë në Ulqin, organet e pushtetit malazias filluan punën në regjistrimin dhe matjen e sipërfaqes tokësore që duhej të kolonizohej (Djoko Pejović, Naseljavanje okoline Bara i Ulcinja i način regulisanja odnosa na zemlji, I. Zapisi, br. 3-4, Titograd, 1970, f. 314). Në lidhje me këtë çështje, në mënyrë transparente na dëshmon letra e vojvodë Simo Popoviqit që ia dërgonte ministrit të Punëve të Jashtme, ku thuhet se: ”Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj. Të gjithë këtu janë turq (shqiptarë të konfesionit islam N.D.) dhe malësorë. Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve, duhet të jetë që banorët vendas t’i asimilojmë dhe atë sa më parë në dy mënyra: me anë të kolonizimit, duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze, dhe me anë të hapjes së shkollave. Kolonizimi duhet të arrihet kur të shpërngulen malësorët nga ky vend. Kur të realizohet ky projekt, atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi. Derisa të mos realizohet ky qëllim, nuk kemi se çka të gëzohemi”. (MID 1884, dok. 263 (1,2,3,4,5), botuar edhe në “Ulqini në dokumente malazeze…”, f. 180).
Një përmbajtje e tillë nuk meriton të analizohet, sepse çdo gjë është transparente, por mbetej të realizohej në praktikë kolonizimi i një territori të ri i aneksuar, ku si qëllim final ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë me të gjitha mjetet.
Në lidhje me këtë veprimtari deri në fillim të vitit 1888 janë ndarë 4 000 rrallë tokë dhe janë vendosur 160 familje kolonistësh malazezë, ndërsa deri në fund të vitit 1890 numri i familjeve koloniste ka arritur në 200. Se pushteti i kohës kësaj çështjeje i është përkushtuar me shumë kujdes dëshmon e dhëna së për tre vitet vijuese, pra deri në vitin 1893, këtu janë vendosur mbi 300 familje malazeze. Në përgjithësi këtu janë vendosur 400 familje kolonistësh, të cilave u janë ndarë 5000 rrallë tokë, nga del se për një ekonomi shtëpiake janë ndarë nga 12.5 rrallë tokë. (Dr Žarko Bulajić, Agrarni odnosi u Crnoj Gori (1878-1912), Titograd, 1959, f. 132).
Nga të dhënat del se kolonizimi ka përfunduar në mesin e muajit 1893. Përveç në qytet, ku janë vendosur më herët, kolonistët në zonën rurale janë vendosur nga Mozhuri e deri në Bunë në faza të ndryshme. Ata ishin nga vise të ndryshme në Mal të Zi, kryesisht nga Kuçi, Piperi, Nahija e Rijekës, Leshanit, Katunit, Cërmnica, Vasojeviqi etj.
Se në saje të kolonizimit në këtë mjedis ndryshoi në mënyrë mekanike struktura kombëtare e popullsisë, duke dekompozuar homogjenitetin e popullsisë shqiptare, dëshmohet edhe nga të dhënat e vitit 1899. Kemi të bëjmë me të dhënat zyrtare të regjistrimit të popullsisë për qytetin e Ulqinit. Sipas këtij dokumenti (DACG, MUD 1899,VII-11 (1899)) Ulqini numëronte 934 shtëpi me gjithsej 4306 banorë, prej të cilave 263 shtëpi ose 28.15% ishin malazeze, ndërsa 671 ose 71.84% shqiptare, ndërkaq struktura e popullsisë ishte 70.79% shqiptarë dhe 29.21% malazeze. Nga këto të dhëna del qartë se politika shtetërore malazeze për të kolonizuar këtë mjedis ia ka arritur qëllimit, sepse ata u bënë rreth 30% e popullsisë së përgjithshme në këtë mjedis të dominuar me shqiptarë.
Përfundim
Nga ajo që u tha më sipër del qartë se për vendbanimet dhe popullsinë e Ulqinit dhe rrethinës së tij nga një dokument arkivor prezantohen të dhëna me interes për këtë mjedis. Edhe pse të dhënat e tilla nuk janë nga një regjistrim zyrtar i popullsisë, por siç duket për interesa të brendshme qeveritare, dëshmojnë realitetin demografik të kohës. Këto të dhëna përveçse dëshmojnë për numrin e përgjithshëm të popullsisë, po ashtu kemi të dhëna edhe për strukturën kombëtare të popullsisë sipas vendbanimeve. Nga të dhënat del qartë se popullsia sllave e vendosur këtu pas vitit 1880 kur Ulqini kaloi nën administrimin e Malit të Zi, më së shumti ka qenë e vendosur në brendësi të qytetit e më pak në zonën rurale.
Edhe pse në këtë periudhë kohore njëzetvjeçare (1880-1900) struktura kombëtare e popullsisë ndryshoi dukshëm në saje të angazhimit të qeverisë malazeze me procesin e kolonizimit të saj me popullsi sllave si dhe të emigrimit të shqiptarëve në Shkodër, Durrës e gjetiu në Shqipëri, si refuzim ndaj pushtetit të ri malazias, megjithatë popullsia shqiptare mbeti dominuese në këtë kohë dhe më pas deri në ditët tona.
Të dhënat e prezantuara në këtë kumtesë nuk duhet trajtuar vetëm në saje të një burimi arkivor, sepse për çështjet demografike në këtë mjedis ekzistojnë edhe të dhëna të tjera, nga autorë dhe botime të ndryshme. Një analizë e tillë krahasuese ofron të dhëna optimale dhe të qëndrueshme në lidhje me temën e trajtuar. Vetëm në këtë mënyrë mund të nxjerrim përfundime të pranueshme për këtë çështje interesante, që mbetet çështje e hapur dhe duhet të kompletohet në të ardhmen. (Fund)
(Kumtesa është paraqitur në Konferencën V Mbarëkombëtare të Arkivistikës në Tuz, më 5 qershor 2021)
