
Në përmbyllje të një viti, shumë njerëz bëjnë planet për vitin që vjen. T’i vendosësh vetes qëllime të caktuara, mund të jetë hapi fillestar drejt realizimit të tyre. Bazuar në sjelljen e njerëzve në këtë aspekt, mund t’i ndajmë në: në ata që çdo gjë ia lënë rastit dhe kohës dhe në ata që janë shumë të organizuar, ku për të arritur gjërat që duan planifikojnë deri në detaje.
Të rrëmbyer nga ritmi i shpejtë i së përditshmes, ndihmuar nga 1001 mënyra për ta shpenzuar kohën e lirë, mund të bëjë që leximi i librave, të mbesë i fundit në listë. Por, kjo nuk ndodh për të pasionuarit ndaj fjalës së shkruar. Nga vrojtimet e shumta në internet, kam parë disa të cilat tregojnë që përgjatë një viti, kanë lexuar deri në 400 libra. Kjo ishte arritur duke ndjekur me ngulm objektivin, të cilin ia kishin paracaktuar vetes një vit më parë.
Falë zhvillimeve teknologjike, libra mund të lexojmë që nga smartfoni, tableti apo kompjuteri ynë, pa pasur nevojë të shkojmë në bibliotekë, apo për t’i blerë në librari. Shumica e këtyre lexuesve që thyejnë rekorde me veten apo shoqërinë, janë “e-readers”. Si për shumëçka tjetër që na vijnë në ndihmë, këto mjete teknologjike bëjnë që të kemi edhe një bibliotekë virtuale, përveç asaj fizike.
Gjithashtu, vitet e fundit ka një interes të shtuar për ta dëgjuar tekstin e një libri, në vend të leximit të tij. Pa diskutim kjo ndodhë ngaqë është më praktike. Shumë persona, çdo ditë bëjnë orë të gjata udhëtimi për në punë, dhe ka prej atyre që përveç dëgjimit të muzikës a lajmeve në radio, preferojnë t’u lexohet një libër, nga aplikacionet që e ofrojnë këtë. Deri më tani, kjo mundësi ekziston vetëm në disa gjuhë kryesore. Në gjuhën shqipe, ende nuk ka alternativa të tilla.
Leximi në vetvete, për persona të ndryshëm, mbart qëllime të ndryshme. Fatkeqësisht, disa shpenzojnë orë të tëra leximi, vetëm për të arritur rekorde apo për t’u mburrur, pa u ndalur një moment për të reflektuar mbi atë libër, por pasi kalon pak kohë, nuk kujtojnë asgjë në lidhje me të. Më fatkeqësi është që ka kaq njerëz, të cilët nuk e gjejnë kohën përgjatë gjithë vitit, për të lexuar qoftë edhe një libër të vetëm.
Të lexosh, nuk do të thotë ‘‘të heqësh qafe’’ diçka. Të lexosh, do të thotë të mësosh prej tij. Eksperienca jonë me historinë e një libri duhet të jetë parësore dhe jo numri i tyre që kemi lexuar. Nësë pjesë të kohës sonë të lirë kemi bërë një libër, ne duhet ta shijojmë atë, duke e lexuar me kuptimin e plotë të fjalës. Sa e trishtë është të mendosh gjatë gjithë kohës ‘‘a jam gati ta përfundoj këtë libër?’’. Më mirë t’ia dhurojmë dikujt tjetër, që mund ta lexojë gjithë kënaqësi e do t’i vlejë shumë, sepse do të dijë të nxjerrë një mesazh prej tij.
Objektivi për ta bërë veten lexues të rregullt, duke pasur si qëllim pasurimin e njohurive në një fushë të caktuar, për të zgjeruar horizontin, apo edhe vetëm për ta shfrytëzuar më mirë kohën e lirë, të bësh plane për leximet e vitit të ardhshëm, duket me vend. Por, sa duhet të lexojmë? Për shembull, nëse duam të lexojmë çdo ditë nga një libër, sado pak faqe që të përmbajë, përsëri është tepër. Edhe të lexosh vetëm një libër në vit, është shumë pak.
Jo të gjithë kanë të njëjtën kohë të lirë, por e mira është që çdo minutë ta shtytëzojmë në maksimum, duke mos ia falur të gjitha rrjeteve sociale. Të lexojmë aq sa të mundemi, jo vetëm që të themi se kemi lexuar kaq libra, por që të themi bindshëm se ‘‘jam mahnitur’’ apo ‘‘kam ëndërruar’’ me këtë libër.
