
Vetëm katër komuna në Mal të Zi kanë pasur shtim natyror pozitiv për nëntë muaj të këtij viti(Podgoricë, Budvë, Rozhajë e Tuz), ndërsa me atë negativ veçohen Nikshiqi (-316) dhe Plevla (-308). Ndërsa në nivel të vendit është shënuar shtimi natyror negativ, sepse kanë vdekur 1.526 njerëz më shumë sesa kanë lindur.
Kemi të bëjmë me shtimin natyror negativ, i cili për të parën herë pas Luftës së Dytë Botërore në Mal të Zi është shënuar vitin e kaluar. Mediat kanë informuar se në vitin 2020 që ishte viti i pandemisë Covid-19, kanë lindur 7.082 fëmijë, ndërsa kanë vdekur 7.278 njerëz. Kemi të bëjmë me të dhëna statistikore, ku nuk duhet të anashkalohet ndikimi i pandemisë, e cila në Mal të Zi ka ndikuar në nivelin e vdekshmërisë së qytetarëve të këtij mjedisi. Shtimi natyror pozitiv në vitin 2020 është shënuar vetëm në shtatë komuna(Tivar,Budvë, Plavë, Podgoricë, Rozhajë, Tivat e Tuz), ndërsa ky numër për nëntë muaj të këtij viti ka rënë në katër komuna.
Nga këto katër komunat me shtim natyror pozitiv për nëntë muaj të vitit 2021 veçohet Podgorica me 1.911 të lindur, ndërsa kanë vdekur 1.655 njerëz, me shtim natyror (+256), ndërsa vijon Budva me 289 të lindur e 213 të vdekur (+76), Rozhaja me 196 të lindur e 168 të vdekur(+27) dhe Tuzi, me 119 të lindur dhe 110 të vdekur(+10).
Shtimin natyror negativ më të lartë e kanë pasur Nikshiqi ku kanë lindur 492 fëmijë, ndërsa kanë vdekur 808 njerëz, me bilanci negativ(-316) dhe pastaj vijon Plevla, ku kanë lindur 111 fëmijë, ndërsa kanë vdekur 419 banorë(-308).
Tivari dhe Ulqini me trendin negativ të popullsisë
Nëse analizojmë të dhënat për komunat bregdetare, shtimin natyror negativ më të lartë e kanë Tivari, me 330 fëmijë të lindur, ndërsa të vdekur 463 qytetarë (-143), Ulqini me 161 të lindur dhe 303 të vdekur (-142) dhe Herceg Novi, të lindur 236 fëmijë ndërsa të vdekur 347 qytetarë (-111).
Trendi negativ i shtimit të popullsisë është i pranishëm edhe në këto komuna: Bijello Pole (-148), Berane (-145), Cetinë (-104), Andrijevicë (-40), Mojkovc (-82), Danilovgrad (-50), Guci(-26), Kolashin (-50), Kotor (-76), Petnjicë (-20), Plavë (-20), Pluzhinë(-26), Shavnik (-22), Tivat (-22) dhe Zhablak(-44).
Ndërsa më së paku fëmijë për këto nëntë muaj kanë lindur në komunat: Shavnik(13), Pluzhinë (16), Zhablak(22), Andrijevicë (24), Guci(25), Mojkovc (35) dhe Petnjicë (36), që paraqesin komunat me numër më të vogël të popullsisë në Mal të Zi.
Popullsia migron në drejtim të kryeqytet dhe bregdetit
Të dhënat sipas Monstat-it për nëntë muaj dëshmojnë se numri i banorëve në Podgoricë, në sajë të ndryshimit të imigrimit dhe emigrimit, është rritur për 678, ndërsa për të njëjtën periudhë Plevla ka mbetur pa 482 banorë, Biellopola 344.
Ndërsa përveç Podgoricës rritje të banorëve kanë pasur edhe Budva për 178 banorë, Tivari 158, H.Novi 44, Tivati 45, Ulqini 42, Danilovgradi për 42, Petnjica 39, Kotori 29 dhe Gucia për 24 banorë.
Nga të dhënat e prezantuara del se përveç kryeqytetit, Podgoricës, popullsia ka imigruar edhe në bregdet, nga del se lëvizjët migruese të popullsisë në Mal të Zi do të vazhdojnë trendin në këto dy drejtime.
Diferencime në të punësuar dhe në paga
Nga të dhënat e prezantuara në lidhje me të punësuarit del qartë se rreth gjysma e të punësuarave janë në Podgoricë, ndërsa Tivati dhe Plevla prijnë me paga. Pothuaj gjysma e të punësuarave nga numri i përgjithshëm në fund të muajit tetor kanë punuar në Podgoricë-93.618, që është për rreth 15.000 më shumë së në janar të këtij viti. Ndërsa në pjesën tjetër të Malit të Zi janë të punësuar 109.363 persona. Kështu sipas të dhënave në Nikshiq kanë punuar rreth 15000 individë, në Budvë mbi 15.600, Tivari rreth 13.000, H.Novi 10.388, B.Pole 8.800, Kotorr mbi 7000, etj.
Ulqini me pagën më të ultë në vend
Sipas të dhënave të publikuara del se pagën mesatare ma të lartë në Mal të Zi e kanë të punësuarit në Tivat me 633 euro, Plevle me 566 euro, në Podgoricë më 562 euro. Ndërsa pagën nën 500 euro e kanë tetë komuna: Andrijevica, Bijello Polja, Danillovgradi, Herceg Novi, Petnjica, Rozhaja, Shavniku dhe i fundit Ulqini. Madje duhet cekur se paga mesatare me e ulët në Mal të Zi është gjithnjë në Ulqin prej 427 euro.
Përfundim
Ndonëse dukuria e murtajës së bardhë ka vite që është bërë pothuaj trend bashkëkohor, edhe në Mal të Zi, deri më tash nuk kemi pasur rast të dëgjojmë ndonjë reagim nga strukturat qeveritare. Nga një qëndrim i tillë joserioz del se kemi të bëjmë me një çështje e cila iu është lënë familjeve si çështje e tyre autonome. Por, duke pasur parasysh rrethanat shoqërore, ekonomike e sociale të pavolitshme të pjesa ma e madhe e popullsisë, formimi i familjeve të reja paraqet sfidë për çdo të ri. Në lidhje me këtë çështje nuk ka dilemë se iu takon institucioneve qeveritare të angazhohen në këtë drejtim për të dhënë propozime konkrete siç do të ishin ofertat ndaj çiftëve të reja, që do të ishte në favor të natalitetit dhe zvogëlimit të migrimit dhe emigrimit të popullsisë së re.
Për këto tre vite(2019-2021) murtaja e bardhë në Mal të Zi është avancuar, sepse në vitin 2019 nga 18 komuna të dhënat për nëntë muaj të këtij viti(2021) dëshmojnë se i ka përfshi 20 komuna, çështje e cila duhet të jetë shqetësim shtetëror. Ndërsa nëse vazhdohet me heshtje sikurse është vepruar deri më tash rënia e shtimit të popullsisë do të jetë plagë shoqërore me pasoja të përgjithshme në këtë mjedis.
