
Sa bukur në gegnisht “mos u ngutni!” të jep mundësinë e të kuptuarit “mos u nxitoni!”, si për mirë ashtu dhe për keq. Ky titull, i cili u gjet në mesin e debateve mbi konkursin e zhvilluar në Ulqin rreth monumentit të Skënderbeut. Ai më pëlqeu pa kufi, u huazua prej të shprehurit të skulptorit të mirënjohur shkodran Ferid Kola.
Ky tekst u lind mes dhjetëra debatesh, të cilët i kam ndjekur me vëmendje mbi atë se çfarë po ndodh së fundmi, në trojet shqiptare me artin e skulpturës monumentale. Ai është një art domethënës e social politik, jeton në kohëgjatësi dhe i përballet vëzhgimit dhe shijeve të brezave. Cilësia e mirë, ose jo e tillë, e skulpturës monumentale, e realizuar ditëve të sotme mes shprehive të kamufluara të realizmit socialist në imazhin figurativ realist ose modernist, kalimet apo kapërcimet e krijimeve nga një sistem vlerash tek tjetri, ende shkaktojnë një gjendje amullie figurative në sytë e publikut apo të njerëzve të jetës së përditshme. Edhe pse janë krijime të kohës së sotme ose më konkretisht të kryera gjatë gjysmës së parë të shekullit XXI, shihet se ende është e vështirë të dallohet e të kapërdihet cilësia dhe tipologjia e skulpturës monumentale në ditët tona. Situata më e fundit është ajo e krijuar rreth boceteve të propozuara për monumentin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili do të vendoset në Ulqin të Malit të Zi.
Siç e do rasti u zhvillua një konkurs, ku morën pjesë 17 bocete skulpturore. Një numër i shumë i paktë ky për rëndësinë e një subjekti të tillë. Vendet e nderit u përcaktuan nga gjykimi i anëtarëve të komisionit, të ngritur nga bashkia e qytetit. Vendin e parë e zuri propozimi i një kompozimi të llojit kompleks figural, i ndarë në dy grupe, heroi Gjergj përballë trimave malësorë të Ulqinit i skulptorit Sabri Behramaj. Vendin e dytë e zuri propozimi i një kompozimi ekuestër të Gjergj Kastriotit mbi kalë, i cili ecën qetësisht dhe fitimtar, i skulptorit Vasil Rakaj. Vendin e tretë e zuri propozimi i një kompozimi të gjinisë së shtatores së heroit, me qëndrim vertikal, i skulptorit Agron Ujkashi. Të tre fituesit sollën tri atmosfera të ndryshme figurative. Deri më tani, ato në aspektin kompozicional të zhvillimit të formave skulpturore rezultojnë të njohura, të trajtuara dhe të ekspozuara në mjediset ndërkombëtare dhe kombëtare.
Kompozimi skulpturor, që ka zënë vendin e parë, ka prej disa ditësh që ndodhet nën trysninë e gjykimeve negative, shpeshherë fyese dhe, herë refuzuese dhe mohuese. Dhe në pak raste pranohet si një vepër e konceptuar ndryshe dhe që i përket formave të artit modern. Dhënia e mendimeve është ndarë në dy grupe të mëdha, ku masa më e rëndë anon nga mospranimi i kompozimit skulpturor të përzgjedhur si vendi i parë prej komisionit të profesionistëve të kohës. Nën një vëzhgim të veçantë mbi opinionet e asaj popullsie shqiptare, që ka marrë pjesë në debatet publike e në rrjetet sociale, dallon se tri bocetet skulpturorë të propozuar duken sikur përcaktojnë qartë dhe mirë nivelin njohës dhe kulturor, dijet mbi monumentalizmin, shijet dhe dëshirat për formën figurative të heroit. Dhe kjo është e natyrshme.
Ka dhjetëra arsye pse ndodh që publiku i sotëm, në të përditshmen e vet, arrin të shprehë ide të shumëllojshme mbi imazhin monumental figurativ të heroit kombëtar. Ai, kur vihet përballë propozimeve figurative të artistëve skulptorë, shqetësohet rreth asaj çka nesër, e çdo ditë do të duhet të vështrojë dhe admirojë. Nëse analizojmë mendimet e shprehura në publik arrijmë të zbulojmë jo vetëm nivelin ideo-kulturor të dëshirave të tyre, por edhe pamjen e stadit të sotëm dhe të nivelit të deritanishëm të skulpturës monumentale, të propozuar e të krijuar nga artistët shqiptarë.
Një nga opinionet më të zakonshme të publikut është se duan ta shohin e ta rishohin heroin mbi kalë ose siç njihet në gjuhën e artit, në formën ekuestër. Arsyeja pse më e shumta e mendimeve të publikut shqiptar e dëshiron ende ta shohë heroin kombëtar mbi kalë, pra të formës ekuestër, është thuajse qindravjeçare e më shumë se kaq. Ajo lidhet më parë me kulturën figurative të artit ndërkombëtar, e cila heroin mbretëror, perandorak dhe mesjetar apo prijësin e një ushtrie e ka parë të realizuar më së shumti në formën e ekuestrit të vendosur në sheshe qendrore të shteteve evropiane dhe më gjerë se kaq.
Historia e artit e daton, si një ndër ekuestrat më të hershëm, monumentin e Marcus Aurelius mbi kalë, derdhur në bronz më 173-176 pas K., i cili gjendet në Romë. Po në në qytetin e famshëm të Romës nis edhe historia e ekuestrave të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Skulptori Romano Romanelli (1882-1969) e realizoi veprën më 1938, e cila u vendos në vitin 1940 në sheshin “Albania” në Romë. Ndërsa, portreti bust i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, realizuar në bronz nga Odhise Paskali (1903-1985) ishte vendosur në vitin 1939 në Kukës. Pamja e këtij portreti u bë burim frymëzimi dhe ndikimi tek shumë skulptorë të viteve të komunizmit dhe ende ka ndikim mbi dhjetëra skulptorë të pas viteve ‘90.
Shembuj të ekuestreve nëpër botë ka shumë. Ata ndikuan në zgjidhjet kompozicionale të ekuestreve që kanë realizuar artistët shqiptarë gjatë shekullit XX e në fillim të atij XXI e që sot ndodhen në sheshet e qyteteve Krujë, Tiranë, Prishtinë, Shkup, Detroit. Ekzistenca e tyre e realizmit figurativ, me pamjen e heroit mbi kalë para ushtrisë së tij, tërheq vëmendjen dhe nxit të mos pranohen lehtësisht zgjidhjet e tjera kompozicionale. Kjo nxitje shkaktohet edhe pse historiografia e periudhës komuniste e trajtoi Gjergj Kastriotin si një hero lufte dhe lider të bashkimit kombëtar, duke ia anashkaluar disi cilësitë e tjera si: politike, diplomatike, sociale dhe fetare. Këto cilësi, të faktuara në ditët e sotme nga burime arkivore, e pasurojnë dijen mbi figurën komplekse të kryetrimit mesjetar shqiptar, por në të njëjtën kohë kanë krijuar edhe rezistencë për t’i pranuar, duke shkaktuar tek një pjesë e popullsisë një mendësi të ngurtë e të ashpër, e cila dëshiron ta trashëgojë figurën e kryetrimit të himnizuar e madhështore. Madje në skulpturën monumentale vetëm të vendosur mbi kalin e tij, si dhe mundësisht të mos lejohen trajtime të tjera figurative dhe kategorikisht të përjashtohen trajtimet e formave moderne. Gjithsesi, asgjë nuk absolutizohet. Kërkimet figurative në artet pamore e kanë trajtuar figurën e kryeheroit me shprehi emocionale të disa llojeve dhe në pozicione të ndryshme.
Por mendësia ekuestrale në popull lidhet ngushtësisht me ekzistencën e qëndrueshme ekuestrale artistike, e cila e ka përmbushur më së miri qëllimin estetik dhe vijoi të funksionojë dhe në konkursin e fundit të Ulqinit. Boceti i ekuestrit Skënderbe, i skulptorit Vasil Rakaj u vlerësua me çmimin e dytë. Në këtë mënyrë shihet se bëhen bashkë dijet monumentale te tre segmenteve: popull, artist dhe anëtarë profesionistë të komisionit vlerësues. Por komisioni nuk i dha vendin e parë edhe pse jam e bindur që e ka njohur mjaft mirë situatën populiste të parapëlqimit të një ekuestri për Skënderbeun. Në trojet ku jetojnë shqiptarë ndodhen dy ekuestër të tij në Shqipëri, si një në Krujë me autor Janaq Pacon dhe një në Tiranë me autorë: Janaq Pacon, Odhise Paskalin dhe Andrea Manon. Një tjetër në Prishtinë, replikë e ekuestrit të Krujës, dhe një në Shkup me autor Thoma Thomai Dhamo.
Boceti i çmimit të tretë tregoi se kërkesa e artistit ishte të shkëputej prej ekuestrit dhe të pasqyronte një shtatore monumentale, ku psiku dhe fiziku tors i heroit të qëndrojnë drejt, me shpatën vertikalisht para e të mbërthyer me të dy duart. Një trajtim i tillë tashmë është shumë i përhapur në skulpturat e statujave që i përkasin dëshmisë së figurës së mbretit, klerikut reformator ose figurës metaforike “Drejtësia”, në gjykatat e larta. Disa prej tyre janë si: ajo e mbretit viking Alfredi i Madh që jetoi në shekullin IX dhe objekti kryesor i tij është shpata. Statuja e reformatorit Ulrich Zwingli në Zvicër, që mban përpara biblën dhe shpatën, si dhe statuja alegorike “Drejtësia”, që mban para trupit shpatën dhe ndodhet në hyrje të fasadës qendrore të gjykatës supreme të Londrës. Tek boceti i çmimit të tretë shpata është objekti simbolik kryesor. Ai kryen dy funksione – atë të mjetit luftarak dhe atë të kryqit si shenjë e një luftëtari të mesjetës, qëllimi i të cilit ishte jo vetëm të bashkonte shqiptarët, por edhe të mbronte Perëndimin e krishterë ndaj vërshimit të pushtimeve të lindjes osmane, një dëshmi kjo e njohur dhe e folur vetëm pas viteve ‘90. Ndërsa simbolet e metaforave figurative e qarkojnë këtë bocet në mënyrë tregimtare, ku evidentohet imazhi i shqiponjës në kraharorin e heroit. Natyrisht një gjetje e tillë kompozicionale e shtatores së heroit udhëheqës e luftëtar është e njohur në skulpturën e krijimeve të artistëve shqiptarë, duke nisur me statujën e Skënderbeut, me shpatën të ngulur në tokë, të realizuar nga Odhise Paskali. Ndërsa, komisioni ka vlerësuar drejt kërkesën monumentale të skulptorit Agron Ujkashi, e cila shkoi deri aty sa ta shohë heroin si një individ të veçantë, që nëse do të ishte fitues do të bëhej vetëm shprehi e faktit statik të ekzistencës së heroit përmes një trajtimi realist e i plotësuar me simbolika objektesh tregimtarë.
(vijon)
