
Ne arkitektëve na bën përshtypje shpesh arkitektura e një ndërtese. Pra, na bën përshtypje se si një ndërtesë do të duket, çfarë pamjeje do të ketë dhe çfarë pozite do të ketë në kontekstin hapësinor dhe morfologjik të vendndodhjes. Në fund të fundit, pamja e një ndërtese e ndërton vetë pamjen e një lagjeje dhe të qytetit. Ajo bëhet pjesë integrale e vendit, ku fasada e ndërtesës bëhet pjesë e përditshmërisë së banorëve, por edhe e vizitorëve. Prandaj, përkushtimi profesional dhe etik është domosdoshmërisht i pashmangshëm dhe kërkon një trajtim të veçantë.
Megjithatë, përpos pamjes së jashtme, ekziston edhe ajo e brendshmja, ajo që nuk duket nga jashtë, por përjetohet nëpërmjet shfrytëzimit. Në këtë rast, rëndësia e projektimit, gjegjësisht dizajnimit të hapësirës së brendshme të një ndërtese, është përkushtim i formimit estetik të trajtimit arkitektonik. Pra, pamja e brendshme, rregullimi i hapësirave, kompozicioni i planimetrisë luan rol të drejtpërdrejtë në ndjenjat psikologjike të njeriut. Një ambient i zymtë, ka gjasë që ta zymtësojë edhe perceptimin e punës gjatë ditës. Ndërsa, një ambient njëngjyrësh apo shumëngjyrësh, do të ketë shumë gjasë që ta zbukurojë edhe ditën. Së paku, do të ketë gjasë t’i ngacmojë sadopak receptorët e ndjenjave pozitive. Edhe arkitekti, por edhe investitori në këtë rast janë të kënaqur.
Kur, për shembull, arkitekti nuk është i kënaqur me arkitekturën e tij?
Janë disa raste të tilla. Investitori i tregon arkitektit kërkesat dhe i tregon kushtet e parapëlqyera për ndërtesën të cilën e investon. Dhe, gjatë bisedës me arkitektin, investitori nga parakushte kalon në kushte. Dhe, nga kushtet kalon në kushtëzime. Ndërsa, nga kushtëzimet, pra papritur dhe pa kujtuar, si me magji vesh petkun e arkitektit dhe fillon t’i mbajë ligjërata arkitekture arkitektit. Për çudi, merr shembuj të pashembullt dhe bën krahasime që në të vërtetë nuk do të duhej të bëheshin. Pavarësisht insistimit të arkitektit të projektimit dhe zbatimit profesional të arkitekturës, investitori i vetëshpallur “kryearkitekt”, këmbëngul në ligjshmërinë e tij. Është si të shkohet te mjeku për vizitë shëndetësore dhe t’i tregohet mjekut se çfarë barnash duhet t’i shkruajë. Si t’i flitet mullisit për rrjedhën e ujit, e t’i shesësh bostanxhisë bostan! Në fund të këtij tregimi, pasi që projekti përfundon së zbatuari, investitori del i pakënaqur dhe faji i mbetet arkitektit “dëgjues” dhe “jokëmbëngulës”.
E kundërta ndodh kur arkitekti mban qëndrimin e tij dhe ndërhyn me vepra profesionale. Në këtë rast, dëshira e tij, ashtu si e çdo profesionisti tjetër që punën e tij dëshiron ta bëjë sa më mirë, sa më me përkushtim, sa më me vullnet. Por, vullneti shpeshherë prehet me gërshërët e “kryemjeshtrit” të vetëshpallur. Do të lejohej kjo fjalë, pra “kryemjeshtër”, sepse i tillë është arkitekti i zbërthyer etimologjikisht nga greqishtja: “arkhitektōn” nga “arkhi” – ‘shef, udhëheqës, krye-‘ dhe “tekton” – ndërtues. Por, qëndrueshmëria e arkitektit të vërtetë është mburojë nga çeliku, prandaj edhe vendosmëria i bën ballë shigjetave të hedhura dosido në drejtim të tij. Kënaqësia dhe pakënaqësia në këtë rast janë në përpjesëtim të drejtë, sepse arkitektura mund të quhet e përfunduar profesionalisht, ndërsa përshtypja e parë e klientit, deri tek bindja e saktë, është në nivelin notues drejt pajtimit.
Është interesante të studiohet apo të trajtohet çështja e arkitekturëbërjes te popullata pa informata profesionale. Janë dy raste të tilla. E para, kur joarkitekti merret me arkitekturë dhe jep leksione profesionale, që në fund vetërënia në kurthin e ngritur prej tij është e pashmangshme. Qyteti ynë ka shumë persona të tillë, arkitektë të vetëshpallur. Sidomos, gjithologë! Liria me të cilën flasin për arkitekturën është me të vërtetë e habitshme! Guximi me të cilin flasin për arkitekturën është me të vërtetë i pamarramendshëm!
Janë situata që kërkojnë shpeshherë edhe trajtime të studimit të mendësisë. Më së miri, për studim antropologjik të njeriut përballë arkitekturës. Është interesante të studiohet apo të trajtohet çështja e arkitekturëbërjes te popullata pa informata profesionale. Janë dy raste të tilla. E para, kur joarkitekti merret me arkitekturë dhe jep leksione profesionale, që në fund vetërënia në kurthin e ngritur prej tij është e pashmangshme. Qyteti ynë ka shumë persona të tillë, arkitektë të vetëshpallur. Sidomos, gjithologë! Liria me të cilën flasin për arkitekturën është me të vërtetë e habitshme! Guximi me të cilin flasin për arkitekturën është me të vërtetë i pamarramendshëm! E njëjta gjë ndodh edhe me profesionet tjera, por le të merren të tjerët me zanatet e tyre.
E dyta, më interesante, është vetëdija kolektive mbi ndërtimin. Për këtë do të duhej të bëhej një shpërfaqje e njohurive mendësore. Shtëpitë në të kaluarën gjithmonë u ndërtuan nga popullata vendase, prandaj edhe sot definohet si arkitekturë popullore, e dalë nga populli apo vernakulare. Në këtë rast kur e mbërrin një popullaritet të caktuar dhe një traditë të mirëdefinuar, ajo definohet si tradicionale. Pra, tradicionalisht populli ka ndërtuar arkitekturë tradicionale. Kjo lloj arkitekture ka ndodhur t’i përshtatet kohës dhe kushteve ekonomike, si dhe teknologjisë së ndërtimit, si faktor i pashmangshëm në ndërtim.
Kur dikush donte të ndërtonte shtëpi në të kaluarën, kryemjeshtri dhe mjeshtri ndërtues ishin të pranishëm aty në shtëpi ose në lagje, ose në fshat, ose në qytet. Punëtorët ndihmës ishin nga shtëpia apo nga rrethina. Pra, shtëpitë u ndërtuan në njëfarë mënyre nga vetë banorët kush kishte nevojë për një shtëpi të tillë. Dhe, vetëdija planifikuese ishte përbërës i rëndësishëm në mendjen e veprimtarit. Për këtë arsye, nuk ishte nevoja për arkitektin që të ndërtojë një shtëpi. Por, as arkitekti në të kaluarën nuk është që ishte fort i pranishëm në trojet tona.
Komunikimi profesional dhe kërkues bëhej ndërmjet pronarit të shtëpisë, pra atij që investonte për ndërtimin e shtëpisë dhe mjeshtrit që merrte përsipër ndërtimin e një shtëpie dhe udhëheqjen e saj. Kushtet ishin të thjeshta nga kërkuesi i shtëpisë, ndërsa mjeshtri e bënte shtëpinë sipas një ligji të paracaktuar në arkitekturën popullore. Rezultati ishte zakonisht i pritshëm sipas perceptimit që kishte investitori. Modat e reja dhe trendet e reja ishin shumë të rralla, por vetëm ndonjë element i veçantë arkitektonik dhe stilistik mund të ishte i veçantë. Dhe, kjo varej nga kërkesa, nevoja dhe gjendja ekonomike e investitorit. Prandaj një mendësi e tillë që bashkallëku të ndërtojë shtëpi, thjesht me një pëlqim të anëtarëve të familjes, bëhej pjesë e pandarë e procesit të jetesës. Një gjë të tillë, që shtëpia të marrë një status kaq të rëndësishëm dhe të veçantë, tregojnë edhe ritualet dhe ceremonitë shpesh të shpjeguara me anë të mitologjisë dhe bestytnisë.
Prandaj sot, si mund të shpjegohet ndryshe një “bashkëpunim” i tillë ndërmjet investitorit dhe kryemjeshtrit? Bashkëpunimi shpeshherë kalon edhe suazat e togfjalëshit etik, saqë hyn në sfidën e “ndërhyrjeve” të domosdoshme, duke krijuar kështu një gjendje të sikletshme ndërmjet arkitektit dhe klientit. Duke u bazuar në traditën e ndërtimit sipas vetëndërtimit popullor, arkitektura bëhet shprehje e konceptit popullor mbi filozofinë e ndërtimit. Besimi apo mosbesimi në arkitektin është çështje që kërkon emancipim kulturor dhe edukativ mbi rolin dhe rëndësinë e arkitektit. Mund të thotë dikush që ndonjëherë vetë arkitekti është shkatërrues përmes ndërtimit. E vërtetë. Por, vetë arkitekti është edhe ndërtues i së ardhmes. Koncepti, filozofia, trajtimi, përjetimi, masa, psikologjia, pamja, perceptimi, ritmi, karakteri janë të gjitha forma trajtimi që arkitekti i merr parasysh ose do të duhej së paku t’i merrte parasysh. Premisat dhe silogjizmat e arkitektit mbështeten, në këtë mënyrë, në mirëqenien e banorit të një ndërtese, në këtë rast, të vendbanimit.
Thënia e Goethes është shumë e pranishme në këtë rast, që “janë tri gjëra që do të duhej t’i vihen re një ndërtese: që qëndron në vendin e duhur; që qëndron mbi themele të sigurta; që është e realizuar suksesshëm.” Se sa janë të pranishme këto tri kushte të poetit, kompozitorit, novelistit, shkencëtarit, burrështetasit, regjisorit dhe kritikut më të njohur gjerman, barrën etike dhe morale të tyre i mban mbi supe Kryemjeshtri.