
Numizmatika është veprimtari shkencore që merret me studimin e medaljeve dhe monedhave si të kohës së vjetër ashtu edhe asaj moderne. Me anë të numizmatikës përpunohen të dhëna që na shërbejnë si burim ku mësojmë për historinë politike dhe ekonomike, kronologjinë epigrafike, gjuhësinë, heraldikën dhe historinë e artit të një vendi . Në fillim nuk kishte monedha dhe mallërat shkëmbeheshin mes vete. Kështu monedha e parë mendohet se është “Stateri i Lydies” i prodhuar në vitet 650-600 p.e.r. Kjo monedhë përbëhej prej një përzierjeje të argjendit dhe arit.
Qarkullimi i monedhave si mjete pagese në territorin e Ulqinit dhe komplet rajonit rreth e rrotull, është shumë i lashtë dhe gjurmët të çojnë deri në antikitetin e hershëm. Në Ulqin kanë qarkulluar monedha argjendi që i përkasin qyteteve ilire të Dyrrahut dhe Apolonisë (shek. V-IV p.e.r.). Përveç tyre janë gjetur edhe monedha që i përkasin periudhës së mbretit Filip të Maqedonisë por edhe të Aleksandrit të Madh. Gjithashtu, duke qenë afër Shkodrës, këtu janë gjetur edhe monedha me kokën e Zeusit dhe anijen ilire Liburna, ku më e njohura është ajo me mbishkrimin Scodri Non. Gjurmët ilire janë të shumta si në toponime, patronime dhe si kuriozitet mund të përmendim edhe monedhën ilire të mbretit Bala-ios, mbret ky i cili në pushtet erdhi me vdekjen e Mbretëreshës Teuta.
Ulqini si qytet bregdetar me lidhje të mira detare me të gjitha qytetete e Detit Adriatik, por edhe të Mesdheut vërteton se qarkullimi tregtar mes këtij qyteti dhe qendrave të rëndësishme antike ka qenë shumë i dendur. Kjo tregti ka vazhduar edhe në periudhën e pushtimit romak ku nga kjo periudhë gjejmë monedha të prera nga kjo perandori e vazhdojmë me monedha bizantine, pastaj prerje të sunduesve të ndryshëm si serbë, venedikas, osman e deri në ditët e sotme.
Në periudhën e mesjetës, Ulqini si qendër e rëndësishme tregtare, nga sunduesit e saj gëzonte një lloj autonomie. Kështu në fillim të sundimit Venedikas (1420-1571), Ulqini si qytet kishte edhe Satutin e vet. Për periudhën antike të Ulqinit nuk kemi të dhëna se a janë prerë monedha mirëpo në mesjetë, para periudhës veneciane, padyshim se kemi gjetë disa lloje prerje monedhash të Ulqinit.
Prerja e monedhave në Ulqin fillon nga periudha e sundimit të Stefan Uroshit V (1355-1371) dhe pasojnë me Balshajt (1362-1421). Nga kjo periudhë kemi tri monedha kryesore të prera me dallime të vogla, por numizmatika i njeh këto ndryshime andaj vijmë deri në numrin prej 6-7 lloje monedhash.
Më e njohura prej këtyre monedhave është ajo me mbishkrimin AGNUS DEI-DULCI NO e që në avers ka të paraqitur simbolin krishterë “Qingjin e Zotit”, kurse në revers “Shën Marinë me Jezu Krishtin në prehër”. Këtë lloj prerje e gjejmë në shtatë variante me dallime të vogla e që supozojmë se do të jenë bërë në periudha të ndryshme kohore.
Një ndër prerjet më të rralla të monedhës së Ulqinit është ajo e cila në avers ka Kalanë me tri kulla, kurse në revers Shën Marinë me Jezusin në prehër. Kjo monedhë është shumë e rrallë madje edhe këtë e hasim në dy variante. Në njërën, Shën Marinë e kemi në amfas, kurse në verzionin tjetër në profil. Kjo monedhë në avers përveç tri kullave ka mbishkrimin CIVITAS DULCINI dhe para portës së madhe ka një pemë. Meqenëse ka ngjashmëri me monedhën e Drishtit (Drivastum) si dhe disa elemente të ngjashme me monedhat e Shkodrës dhe Tivarit, supozojmë se i takon prerjeve të monedhave të periudhës së Balshajve. Shkenca numizmatike fillimin e prerjes së monedhave për qytetin e Ulqinit e vendos në periudhën e rënies së mbretërisë së Rashkës, kurse përfudon me rënien nën administrimin e Venedikut. Këto prerje monedhash janë të tipeve Follar dhe janë nga bakri.
Pas disa tentimesh në një periudhë kohore prej 15 vitesh, më në fund më 21.12.2022 në Ulqin erdhi monedha e Ulqinit, monedhë kjo që ende i mungon Muzeut të qytetit. Pas pothuaj 700 vitesh monedha shumë e rrallë e Ulqinit me Kalanë e portën u bë pjesë e koleksionit privat të Atelier Çitaku, ku shumë shpejtë do të organizohet edhe një aktivitet promovues. Ardhja e kësaj monedhe në Ulqin u mundësua falë ndihmës materiale të Organizatës Turistike të Ulqinit, drejtorit të kësaj organizate, Qazim Hoxhës dhe kompanive ulqinake Cungu&Co dhe Agris. Andaj përkushtimi shumëvjeçar i autorit të këtij teksti, u kurorëzua me sjelljen e kësaj monedhe, pas afro 700 vitesh në vendlindjen e vet. Sipas zotimit të dashamirëve të trashëgimisë kulturore, u premtua se shumë shpejtë do të bëhet edhe sigurimi i prerjeve tjera të Ulqinit, si dhe ajo e Shasit që është shumë e rrallë. Andaj falënderojmë donatorët e lartpërmendur dhe nxisim të tjerët që t’i dalin në ndihmë plotësimit të koleksionit të monedhave të Ulqinit.
