
Sidoqoftë, kjo mbeti kryesisht vetëm ide, dhe gjuhëtarët gjithmonë kanë theksuar rolin e madh që ka luajtur transmetimi horizontal në zhvillimin e gjuhës. Shën Augustini (shek. V) supozoi që secili nga pasardhësit e Noes themeloi një komb dhe secilit komb i ishte dhënë një gjuhë – Augustini identifikoi 72 kombe, themelues fisnorë dhe gjuhë. Konfuzioni dhe shpërndarja ndodhën në kohën e Pelegut që ishte biri i Heberit, ky bir i Semit, dhe ky bir i Noes. Augustini pastaj paraqiti një hipotezë, jo ndryshe nga ato të gjuhëtarëve historikë të mëvonshëm, se familja e Heberit e ruajti atë gjuhë që besohej se ishte gjuha e përbashkët. Që nga ajo kohë gjuha mori emrin e Heberit ose Hebraisht. Shën Augustini e zgjidhi këtë problem duke supozuar se Heberi, i cili jetoi 430 vjet, ishte ende gjallë kur Zoti caktoi gjuhën e parajsës që flitej nga Adami dhe Eva në kopshtin e Edenit. Hipoteza e Shën Augustinit qëndroi për më shumë se një mijë vjet. Pastaj, në vitin 1684, duke shprehur skepticizëm në lidhje me besimet, veçanërisht biblike, eruditi britanik Tomas Braun shkroi:
“Megjithëse toka ishte shumë e populluar para përmbytjes është për të dyshuar, nëse, pas një shpërndarjeje të madhe njerëzit mbajtën një gjuhë kaq uniforme.”
Deri në atë kohë, zbulimi i Botës së Re dhe eksplorimi i Lindjes së Largët kishte sjellë njohuri të gjuhëve të reja përtej 72 të llogaritura nga Shën Augustini. Braun sugjeroi që ngatërrimi i gjuhëve në fillim ra vetëm mbi ata që ishin të pranishëm në punimet e Kullës së Babilonit. Për të tjerët rreth rrëzës së kodrave, ku ndodhej arka, gjuha me kalimin e kohës u degëzua në disa pjesë të Evropës dhe Azisë. Sipas pikëpamjes së Braun, thjeshtimi i gjuhës nga një gjuhë më e madhe mund të llogaritet për ndryshimet e shumta në gjuhë. Ai sugjeroi kinezishten e lashtë, nga e cila gjuhët e tjera erdhën nga “konfuzioni, përzierja dhe ndikimi”.
Braun flet mbi një numër aktivitetesh rindërtuese të gjuhëve; se një dialog mund të hartohet në saksonisht, vetëm me fjalë që mund të nxirren nga greqishtja; ose se anglishtja dhe holandishtja kishin të njëjtën prejardhje; apo gjuha e skitëve kalonte nëpër kombet e Evropës. Konfuzioni në Kullën e Babilonit u hoq si pengesë. Përpjekjet për të gjetur ngjashmëri në të gjitha gjuhët rezultuan në zbulimin gradual të një gjuhe master antike nga e cila rrjedhin të gjitha gjuhët e tjera.
Në fund të viteve 1600, Xhejms Houell botoi “Epistolae Ho-Elianae”, letra pothuajse imagjinare për persona të ndryshëm të rëndësishëm në fushën që përmbanin informacione të vlefshme historike. Këtu ai sjell për herë të parë metaforën e një peme gjuhësh. “Unë tani do të ngre vela drejt Holandës, gjuha e së cilës është e njëjtë me anglishten, të dyja rrjedhin nga holandishtja e lashtë: Danishtja gjithashtu është degë e së njëjtës peme. Gjuha e Lashtë Holandeze ose Teutonikia, është një nga Gjuhët Amtare në Evropë; gjuha e Gotëve dhe Vandalëve vazhdon akoma në pjesën më të madhe të Polonisë dhe Hungarisë, të cilët kanë një Dialekt për gjuhën e të folurit të masave (vulgare). Disa nga shkrimtarët e saj do ta bënin këtë botë të besonte se ajo ishte gjuha që flitej në parajsë”.
Kërkimi për “gjuhën e parajsës” përfshiu të gjithë gjuhëtarët. Ata që shkruanin në latinisht e quanin lingua prima, lingua primaeva ose lingua primigenia. Në anglisht ishte gjuha Adamike; në gjermanisht, Ursprache. Hendeku midis familjeve gjerësisht divergjente të gjuhëve mbeti i pa mbyllur.
Indo-evropianistët e parë mendonin se atdheu i indo-evropianëve ishte Kazakistani Perëndimor. Ata veçuan 7 grupe që u ndanë nga gjuha mëmë proto-indo-evropiane dhe krijuan degët e tyre:
E para ishte Anatolian, rreth 4000 p.e.s.
Tokarian e ndoqi në vitet 3500 p.e.s.
Pas pak, rreth vitit 3250, Proto-Italo-Celtic u nda, duke u bërë Proto-Italic dhe Proto-Celtic rreth viteve 2500 p.e.s. Rreth vitit 3000, Proto-Albano-Gjermanik u nda, dhe u bënë Proto Shqipe dhe Proto-Gjermanike rreth vitit 2000 p.e.s.
Rreth viteve 3000 p.e.s Proto-Greko-Armene u nda, duke u bërë Proto-Grek dhe Proto-Armene në vitet 1800 p.e.s. Balto-Sllavishtja u shfaq rreth viteve 2500, duke u ndarë në Proto-Baltike dhe Proto-Slavike rreth viteve 1000 p.e.s.
Më 2 Shkurt 1786, Uilliam Xhons mbajti Diskursin në Shoqatën Aziatike si president i saj me temën e Hindusëve. Në të ai aplikoi logjikën e modelit të pemës në tri gjuhë: greke, latine dhe sanskrite, duke vërejtur “një prirje në rrënjët e foljeve dhe gramatikave që e kishin burimin nga një gjuhë e përbashkët, e cila, mbase, nuk ekziston më.”
Xhons nuk e zhvilloi më tej idenë, por ajo u mor nga gjuhëtarët e kohës. Në vitet 1813-1814, Tomas Jang botoi një përmbledhje të librit të Johan Khristof Adelung, “Mithridates, ose një histori e përgjithshme e gjuhëve”. Vepra e Adelungut përshkruan rreth 500 gjuhë dhe dialekte dhe shtron idenë e një prejardhje nga gjuha e parajsës, e vendosur në Kashmir, ku lloji monosilabik është më antik dhe primitiv, dhe flitet në Azi, në lindje të Edenit. Pastaj ai ofron një emër, “Indoeuropean”, që është përdorimi i parë gjuhësor i njohur i fjalës, por jo përdorimi i saj i parë i njohur. Kompania britanike e Indisë Lindore po përdorte “tregtinë indo-evropiane” për të nënkuptuar tregtinë e mallrave midis Indisë dhe Evropës. Të gjitha dëshmitë që citon Jang për grupin e stërgjyshërve janë fjalët më të ngjashme: mëma, ati, etj.
Jang nuk ndan entuziazmin e Adelungut për gjuhën e parajsës dhe e cilëson atë si spekulative. Dhe propozime të tjera dolën midis 1810 dhe 1867: indo-germanique (Konrad Malte-Brun, 1810); japetisk (Rasmus Kristian Rask, 1815); indo-germanisch (Julius Klaproth, 1823); indisch-teutsch (F. Shmitener, 1826); sanskritis (Uilhelm von Humboldt, 1827); indokeltisch (AF Pot, 1840); arioeuropeo (Graciadio Isaia Askoli; 1854), Arian (Maks Myller, 1861); dhe aryaque (H. Çave, 1867). Këta burra ishin të gjithë poliglot. Klaproth, autori i idesë Indo-Germanisch, i cili kritikoi Xhonsin për metodën e tij, dinte kinezisht, japonisht, tibetianisht dhe një numër gjuhësh të tjera. Koncepti i një gjuhe Biblike i pëlqente imagjinatës së tyre. Ndërsa shpresa për ta gjetur vdiq gradualisht. Dhe vendin e zunë Neogramarianët që iu rikthyen idesë së Uilliam Xhonsit, Franc Bop dhe August Shleisher. Koncepti i prejardhjes së gjuhëve nuk ishte aspak i ri. Tomas Xheferson, edhe vetë një gjuhëtar i devotshëm, kishte propozuar që nevoja e vazhdueshme për neologjizma nënkupton që gjuhët duhet të përparojnë. Më vonë, Jozef Harold Grinberg, në një seri eseshë më 1950, i dha metaforës së pemës një kuptim të ri, duke e quajtur pemë filogjenetike, ku gjuhët dhe dialektet janë si speciet dhe varietetet, gjithmonë në ndryshim.
