
Asociacioni i komunave serbe në Kosovë është një çështje që po rëndon jo vetëm mbi supet e qytetarëve të Kosovës, por edhe të çdo shqiptari kudo që jeton e vepron, sidomos të atyre që ishin nën sundimin jugosllav për shumë dekada. Mosmarrëveshjet në mes Qeverisë së Kosovës dhe opozitës e bëjnë këtë çështje edhe më të komplikuar. Rënduese është edhe qasja ndryshe e Tiranës zyrtare për mënyrën e themelimit dhe kompetencat e asociacionit njëetnik të serbëve në Kosovë.
Numri i serbëve sot në Kosovë mund të jetë i përafërt me numrin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke mos llogaritur një numër bukur të madh të shqiptarëve që jetojnë në Beograd apo gjetiu në Serbi. Megjithatë, pozita juridike dhe politike shqiptarëve etnikë në Serbi në krahasim me pozitën e serbëve në Kosovë është në disfavor të madh të shqiptarëve. Ky disfavor ekziston edhe në mes shqiptarëve etnikë në Mal të Zi dhe popullsisë sllave në këtë shtet.
Çka është në të vërtetë Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë?
Siç parashikohet me draftin e propozuar nga Gjermania dhe Franca Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të komunave me popullsi (shumicë) serbe në Kosovë, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe zhvillimit ekonomik. Sipas këtij drafti Asociacioni do të ketë qasje të plotë në fushat e përmendura. Mendohet se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, por është vështirë të besohet sepse fjalët “qasje të plotë” i japin Asociacionit atribut fuqiplotë për vendosje në fushat e përmendura të jetës së përditshme. Sipas kësaj, për shembull institucionet e arsimit do të vendosin në planprogramet shkollore njësinë mësimore për Drazho Mihajlloviqin apo “kasapin e Ballkanit” Sllobodan Millosheviqin, ndërsa nuk do të ketë asnjë njësi mësimore për Adem Jasharin. Aktivitetet e UÇK-së do të quhen terroriste, ndërsa shteti i Kosovës në librat e tyre do të jetë “i ashtuquajturi” apo “i vetëquajturi”,
Një spital do të emërohet me emrin e ndonjërit që kanë bërë krime ndaj popullatës shqiptare, ndaj nënave motrave të dhunuara…edhe pse do të thithin mjete financiare nga shteti i Kosovës! Shtrohet pyetja: A mundet Gjykata Kushtetuese e Kosovës ta obligojë Asociacionin, gjegjësisht organet apo institucionet e saj që njësitë mësimore që përmendem mos të jenë pjesë e planprogrameve mësimore ose institucionet publike mos të emërohen me emrat e keqbërësve serbë ndaj popullit shqiptar?!
Të gjithë qytetarët para ligjit, pa dallim feje apo përkatësie kombëtare duhet të jenë të barabartë.
Kjo do të thotë, në rend të parë të gjithë të gëzojnë një të drejtë e cila i jep arsye ekzistencës së tyre si qenie njerëzore e cila duhet të fuqizohet me juridiksionin shtetëror. Kosova e ka Bashkinë e komunave të saj e cila aspiron të rregullojë dhe zhvillojë vetëqeverisjen lokale në të gjitha sferat e jetës, pa dallim përkatësie nacionale. Ushtrimi i të drejtës së vetëqeverisjes në kulturë, arsim, informim dhe përdorimin e gjuhës dhe shkrimit në gjuhën shqipe në Serbi, por edhe në Malit të Zi, realizohet nëpërmes Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve. Kompetencat e Këshillave Kombëtarë janë rregulluar me ligj të veçantë më të cilin përcaktohet pozita juridike e tyre. Sipas dispozitave ligjore Këshillit Kombëtar i janë besuar disa kompetenca publike për të marrë pjesë në vendimmarrje ose për të vendosur në mënyrë të pavarur për çështjet e caktuara në fushën e kulturës, arsimit, informimit, përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, me qëllim të realizimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve, me fjalë të tjera për realizimin e këtyre të drejtave shqiptarët përfaqësohen nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve. Këshilli Kombëtar, në bazë të vendimit të organit kompetent mund të krijojë organe dhe institucione për lëmenjtë e përmendur, mund të themelojë shoqata kulturore dhe ekonomike dhe mund të krijojë pasuri, të cilat përdoren për ushtrimin e kompetencave të parashikuara me ligj. Veprimtaria e Këshillit Kombëtar financohet nga buxheti i shtetit, por mund të jetë edhe përfitues i fondeve dhe donacioneve të ndryshme. Pra pse i duhet Serbisë një zgjidhje ndryshe për serbët e Kosovës. Politika e Serbisë mendon se shqiptarët në Serbi, nëpërmes Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve plotësisht mund t’i realizojnë të drejtat e tyre në lëmenjtë e caktuar të jetës dhe ushtrimin e vetëqeverisjes lokale. Atëherë, pse serbët në Kosovë duhet të jenë më të privilegjuar se shqiptarët në Serbi apo Mal të Zi?! Serbët janë qenie njerëzore njësoj si shqiptarët, madje në këto troje janë vendosur shumë më vonë, por kjo s’është aq e rëndësishme. E rëndësishme është që të gjithë, edhe serbët, edhe shqiptarët dhe të tjerët, të kenë mundësi të barabarta për zhvillim dhe prosperitet.
Mendimi se bashkëpunimi ndërkomunal (Asociacioni) në mes të komunave me shumicë serbe mund ta ndihmojë apo përmirësojë ofrimin e shërbimeve komunale në nivel lokal në një nivel më të lartë, vetëm duke mbajtur lidhjet financiare, teknike dhe simbolike me shtetin e Serbisë është i pakuptimtë, diferencues dhe nënvlerësues për shqiptarët në Serbi, Mal të Zi por edhe në Kosovë. Është i pakuptimtë sepse shteti i Kosovës, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, është i detyruar t’iu mundësojë pakicave kombëtare (jo vetëm serbëve) ushtrimin e vetëqeverisjes lokale në kulturë, arsim, informim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit. Formimi i Asociacionit është diferencues sepse bën dallime në mes të qytetarëve dhe komuniteteve të ndryshme, duke iu dhënë serbëve më shumë të drejta dhe në këtë mënyrë shqiptarët janë të nënvlerësuar, sidomos ata në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, duke i lënë kështu shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë! Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut duhet të jetë një ndër qëllimet kryesore të bashkësisë ndërkombëtare. Dokumentet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara si Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore dhe Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike janë shtyllat kryesore mbi të cilat u ndërtua praktika e përcaktimit dhe e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Asociacioni në formën e propozuar mundëson vazhdimin e prezencës dhe rolit të Serbisë në çështjen e popullit serb në Kosovë. Nëpërmes të këtij asociacioni Serbisë i jepet mundësia për të përdorur influencën politike për të siguruar dëgjueshmërinë e serbeve për arritjen e qëllimeve të veta shoviniste. Varësia ekonomike dhe financiare nga Serbia u mundëson serbëve të Kosovës të bëjnë një jetë më të mirë se shqiptarët e Kosovës në shtetin e tyre. Financimi i serbëve në Kosovë, jo vetëm i popullatës, por edhe i institucioneve, nga dy burime, Serbia dhe Kosova, mundëson keqpërdorimin e mjeteve nga njëra anë dhe përdorimin e mjeteve financiare për qëllime të errëta dhe shantazhin e institucioneve legale të Kosovës, duke rrezikuar kështu funksionalitetin normal të shtetit të Kosovës.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi dhe Mal të Zi, model i duhur për serbet në Kosovë
Pa dashur të bëj një paralelizëm në mes të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi dhe Mal të Zi, mendoj se serbët që jetojnë në Kosovë, me formimin e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kosovë, i cili do të ketë cilësinë e personit juridik, mund t’i përmbushin kërkesat e tyre për ushtrimin e vetëqeverisjes lokale në lëmin e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit serb në Kosovë, njësoj si shqiptarët në Serbi apo në Mal të Zi, madje edhe më mirë se me Asociacionin.
Këshilli Kombëtar i Serbëve në Kosovë, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, do të themelonte institucione, shoqata, fondacione, shoqëri në fushën e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhëve dhe shkrimit serb, do të përcaktonte propozimet për simbolet kombëtare, shenjat dhe festat kombëtare të serbëve në Kosovë. Këshilli do të miratonte planin financiar, raportin financiar, llogarinë përfundimtare dhe dispononte me pasurinë e vet. Do të emëronte përfaqësuesin e serbëve në Këshillin për Marrëdhënie Ndëretnike në njësinë e vetëqeverisjes lokale, duke iniciuar miratimin dhe monitoron e zbatimit të ligjeve dhe rregulloreve të tjera në fushën e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, përkatësisht ndryshimin dhe plotësimin e rregulloreve të veçanta dhe masave të përkohshme në zonat ku ushtrohet e drejta e vetëqeverisjes, me qëllim të arritjes së barazisë së plotë ndërmjet pjesëtarëve të qytetarëve që janë në pakicë dhe qytetarëve që i përkasin shumicës, vendos dhe jep çmime në fushat e ndryshme të jetës. Për këtë nevojitet një qasje konstruktive nga të gjitha palët e përfshira në proces, veçanërisht nga ndërkombëtarët. Asociacioni në formën e propozuar, sadopak përmban elemente ekzekutive, çka do të ishte vërtetë skandaloze dhe nga ana tjetër dështim i ndërkombëtarëve në vendosjen e paqes në rajon dhe vazhdim i diskriminimit të shqiptarëve si popull autokton në Ballkan. Prandaj, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi e Mal të Zi është modeli më i mirë për zgjidhjen e statusit të serbëve në Kosovë.
