Mjekët, humanistët e vërtetë të njerëzimit

Frika dhe ankthi ishte rrënjosur thellë në qenien tonë aq sa asnjë ditë nuk ngjante më me ditët e zakonshme para pandemisë. Jeta kishte marrë marrë një kahje krejtësisht tjetër. Çdo ditë zgjoheshim me lajme të trishta, ku në fokus të çdo kronike të emetuar televizive ishin infektimet e reja të cilat kapnin shifra rrënqethëse dhe viktima që shtoheshin në më mënyrë të frikshme e që ngjanin në një situatë lufte ushtarake agresive

Toni Ujkaj

Me shpërthimin e epidemisë së virusit korona në shkallë globale që u konsiderua si njëra nder fatkeqësitë më të rënda të njerëzimit që nga Lufta e Dytë Boterore, humanistët më të mëdhenj të njerëzimit, të shpetimit të jetëve të njerëzve ishin pikërisht mjekët, të cilëve ne u drejtohemi kurdoherë që ndiejmë ndonjë shqetësim shëndetësor, që të na japin rekomandime apo ilaçe për t’u kuruar.
Ndoshta në kushte të zakonshme nuk ishim aq koshient për figurën dhe rolin që ka mjeku në shoqëri, por të gjendur në një situatë të jashtëzakonshme, siç është një epidemi vdekjeprurëse, të gjithë i kthyem sytë nga mjekët, duke i admiruar më shumë për misionin e tyre të shenjtë e duke i personifikuar si njerëzit me virtytet më të larta morale, humane dhe njerëzore, sikur fati i jetës së njerëzve është pikërisht në duart e tyre dhe të Zotit.
Dje më 17 mars, u bë plot një vit qëkur në Mal të Zi hyri koronavirusi. Atë ditë u bë identifikimi i dy rasteve të para të infektimit me koronavirus në vend. Nga atë ditë, të gjitha strukturat qeveritare u mobilizuan për të bërë përpjekjet e tyre maksimale në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të koronavirusit në vend, dhe për ta menaxhuar situatën me të gjitha kapacitetet e mundshme, për të shpëtuar jetën e qytetarëve.

Duhet përgëzuar të gjithë ata mjekë të përgjegjshëm dhe të përkushtuar, të cilët duke rrezikuar çdo moment jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre, vepruan me zell dhe me angazhim të madh për t’u shërbyer me devotshmëri të gjithë atyre që u prekën nga koronavirusi

Krahas të gjitha institucioneve relevante, sërish ishin mjekët ata që kishin punën më të vështirë nga të gjithë, sepse ata në mënyrë të drejtpërdrejtë ishin në kontakt me pacientët e sëmurë me virusin Covid-19, duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre vetëm për t’u përkujdesur dhe ardhur në ndihmë të sëmurëve.
Se mjekët ishin heronjtë e kësaj lufte me armikun e padukshëm tashmë është e njohur botërisht, pasi që ata ishin në frontin kryesor për t’u përballur me një virus vrastarë që ishte i panjohur më parë për njerëzimin.
Për fat të keq si në vendin tonë ashtu edhe në të gjitha vendet ku virusi vazhdon ende të jetë i pranishëm, humbën jetën edhe shumë punonjës shëndetësor.
Për asnjërin nga ne nuk ka qenë e lehtë teksa në çdo edicion informativ raportohej për skenare të tmerrshme, ku virusi merrte me qindra jetë njerëzish: në Evropë, SHBA dhe gjetiu, ku viktima ishin të rinj, të reja e të moshuar.
Skenare të tilla na sillnin pikëllim, ters dhe tmerr, dhe e vetmja gjë që e imagjinonim ishte, se a do të shpëtojmë të gjallë nga kjo epidemi.
Frika dhe ankthi ishte rrënjosur thellë në qenien tonë aq sa asnjë ditë nuk ngjante më me ditët e zakonshme para pandemisë. Jeta kishte marrë një kahje krejtësisht tjetër.
Çdo ditë zgjoheshim me lajme të trishta, ku në fokus të çdo kronike të emetuar televizive ishin infektimet e reja të cilat kapnin shifra rrënqethëse dhe viktima që shtoheshin në mënyrë të frikshme e që ngjanin në një situatë lufte ushtarake agresive.
Më brengosës ishte fakti se për këtë lloj virusi nuk ekzistonte ende një ilaç i cili do të mund të ishte efektiv në luftimin e sëmundjes dhe në mbajtjen nën kontroll të saj.
Fatmirësisht, falë shkencës së mjekësisë globale aq të avancuar, u arrit që pas shumë muajve të krijohet një vaksinë kundër këtij virusi të rrezkishëm.
Vaksina e kompanive të ndryshme prestigjioze, ka mbërritur edhe në Mal të Zi, ku vazhdon procesi i vaksinimit të grupeve më prioritare, për të vijuar më pas edhe me qytetarët e tjerë.
Mjekët gjithnjë dhe pareshtur kanë bërë thirrje dhe vazhdojnë të apelojnë që çdo qytetar të paraqitet për t’u vaksinuar kundër këtij virusi.
Ata kanë potencuar se vetëm duke u vaksinuar ky virus do të venitet dhe situata do të shkojë gradualisht drejt përmirësimit dhe rikthimit të jetës në normalitet.
Në këtë kuadër, duhet përgëzuar të gjithë ata mjekë të përgjegjshëm dhe të përkushtuar, të cilët duke rrezikuar çdo moment jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre, vepruan me zell dhe me angazhim të madh për t’u shërbyer me devotshmëri të gjithë atyre që u prekën nga koronavirusi.
Dasht Zoti që këtij virusi vdekjeprurës t’i vijë fundi sa më parë, dhe që njerëzimi t’i rikthehet jetës së mëparshme.

Të fundit

më të lexuarat