
Duke e ditur që për të bërë një shkrim objektiv, gazetari gjithqysh duhet të merret edhe me kufizimet e një gazetarie investigative, e cila duhet të ngopë me argumente lexuesin duke u përgjigjur në tri pyetjet, sipas një hetuesie, që janë: ku, si dhe pse ndodhi një ngjarje për të cilën zhvillohet debati, për të evituar gabimet e mundshme gjatë një devijimi nga rruga e caktuar në situatën tonë të hetimit për rastin e privatizimit të Kripores, të ngritur si çështje këtyre ditëve, që lidhet me vendimin e cekur, në vazhdim do të paraqesim një seri argumentesh, të cilat, sikur na duket se lidhen me një lëmsh të dredhive të shumta të pushtetit gjatë gjithë kohës në dekada, fijet e të cilit shkojnë në disa drejtime dhe që zbardhin fatin e një privatizimi fare të padrejtë dhe në dëm të popullsisë lokale të Ulqinit të një ndërmarrjeje që dikur ishte krenaria e ekonomisë së tyre.
Reagimi i momentit nuk ka të bëjë me qasjen e problemit të privatizimit në vështrimin e gazetës “Koha javore” në artikullin mbi vendimin e Gjykatës Administrative për Kriporen e Ulqinit, të botuar në numrin 1164, më 19 qershor 2025, por do të nxjerrim disa përfundime shtesë nga këndi i gazetarisë investigative dhe nga përvoja jonë politike, që në mënyrë të vazhdueshme e kemi analizuar problemin e theksuar. Këtë do ta bëjmë nga këndi i asaj metode që në mjekësi bazohet në historikun e sëmundjes së një individi, të cilën ai mund ta trashëgojë nga prindërit e vet, qoftë nga babai apo nga nëna (dajat), apo është një fenomen. Ne nga faktori i trashëgimisë po i numërojmë disa fakte të ndryshme në kohë e duke pasur si pikënisje vendimin e Gjykatës Administrative:
- Gjykata Supreme e Malit të Zi, duke u marrë me problemin e Kripores së Ulqinit, ka vërtetuar se prej Këshillit për Privatizim në kohën e privatizimit kishte ngjarë ajo që s‘guxonte me ligj e që lidhet me atë se vlerësimi i pasurisë së Kripores nuk ka qenë real, por tepër i ulët. Pra, partia në pushtet e Gjukanoviqit nuk e pasqyroi çmimin real të tregut. Kujtojmë se Gjukanoviqi lejoi që 1 metër katror e saj të shitej për më pak se 80 centë dhe se njëkohësisht u bë pa pëlqimin e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, i cili nuk pranoi të bëhet një privatizim në kohën kur kishte filluar lufta dhe filozofi Maroviq kishte përkrahur nisjen e luftës – për të prodhuar paqen në ish-Jugosllavi duke hapur frontin drejt Dubrovnikut?! Megjithatë, privatizimi nuk guxoi të bëhej nga partia në pushtet pa e pyetur Perëndimin. Dhe perëndimorët (amerikanët) i kishin sugjeruar Qeverisë së Malit të Zi që kapitalin e Kripores, “të pavlerë“ të kohës, t’ua jepnin njerëzve që kanë ide për ta valorizuar në rrethana të reja.
Por çfarë ngjau? Në vend që kapitalin shoqëror në gjithë komunën e Ulqinit t’ua jepte kësaj kategorie, partia në pushtet – Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ua dha “jatakëve partiakë” – miqve të Millos, të cilët nuk kishin lidhje me biznes dhe doemos që krijuan borxhe ekzistuese dhe joekzituese?! Kurse ata që e privatizuan ekonominë socialiste, për të humbur sa më shpejt gjurmë të pronës që deri atëherë zotëronte klasa punëtore e Ulqinit, të gjitha objekteve të Kripores ua ndërruan edhe emrat. Pikat shitëse të Kripores qëllimisht i deformuan emrat pasi kishin përfunduar në mënyrë të paligjshme te privatët. Për shembull, Sollana u bë Sollaris.
Po përse u bë kështu ky mjegullim?!
Më së miri për kohën, në rajon na e tregoi vetë Fatos Nano, kur në kohën e vet thoshte: “Vetëm mos më pyesni se ku i mora paratë e para, sepse për të tjerat iu tregoj sa të dëshironi?!”
Por, për fat të keq, edhe Komuna u gjet në anën që s’duhej për momentin, edhe pse kjo është hipotetike.
Pse e nxjerrim këtë konstatim?!
Duke qenë se në këtë kohë presidenti malazez, Momir Bullatoviq, nuk po ia kalonte Ligjin për privatizim siç e kishte propozuar Gjukanoviqi. Me sa duket pushteti i Ulqinit, nënkupto i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, me të drejtë u vetërreshtua kah Presidenti Bullatoviq në parim. Pra, nuk e pranoi në Kuvendin e Ulqinit një privatizim të këtillë. Dhe kështu ngjau që ajo mbeti fare pa prona. Megjithatë, puna çaloi edhe te mbrojtësi i Komunës, i cili ka mundur të paraqesë vërejtjet në seanca gjyqësore dhe kështu dështoi plotësisht.
Por pushteti qendror nuk u kënaq me kaq. Ai për të mbuluar humbjet zgjedhore te shqiptarët në Ulqin, shpejt e rimori veten dhe u kujtua që me ligjin, për shembull, PËR TË MIRAT DETARE, në mënyrë afatgjate ulqinakët i zhveshi fare nga kompetencat në bregdet. Kështu edhe vetë Kriporja u bë zonë e brezit detar, i cili ligjërisht nuk është më i madh se 6 metra në gjithë bregdetin e Malit të Zi. - Por për gjithë këtë, edhe pse komunën, si të thuash, e vetëpërjashtuan si pushtet qendror, ajo ka pasur mundësi që sipas parimit ex officio në reagim të vetin në çdo proces që cekëm.
Spekulimi i madh në Kuvend për privatizim në vitet 2004-2005 – koha e UDSH-së
- Mos e besoni po deshët, por me ardhjen e një shumice të re parlamentare nuk e dimë përse e si Kuvendi i Komunës së Ulqinit nxori vendim me të cilin hidhej poshtë procesi i privatizimit duke thënë se fajin për privatizimin e dobët të “Rivierës së Ulqinit” e ka pushteti vendor i Ulqinit! Kjo ishte doemos një lapsus, por nuk kemi dijeni që Kuvendi i Komunës së Ulqinit “e ndreqi gabimin”, që është ende në fuqi edhe sot, e që mund të keqpërdoret në seanca gjyqësore. Ky fakt u publikua haptas në Kuvendin e Ulqinit, por kurrë nuk u morën masat për ta përmirësuar, që lë për të dëshiruar që ishte lëshim i qëllimtë!
- Më vonë, në kohën e kryeministrit Krivokapiq, Këshillit për Privatizim bëri sërish vlerësimin e tregut të pronës së Kripores dhe vërejti se ishte blerë me një çmim tejet qesharak prej 75 centë për metër katrorë! Ai e nxori edhe vendimin që pronarët aktualë – aksionarët e Kripores duhet të paguajnë ndryshimin ose ta kthejnë Kriporen. E kjo mundësi buronte edhe nga vendimi që kishte nënshkruar më herët edhe kryeministri Gjukanoviq, në një nen të vendimit, duke e përjashtuar atë nga përgjegjësitë ligjore.
- Tjetër për Kriporen – kur kryeministër ishte ulqinaku Abazoviq, ndodhi e papritura që Kriporja të kthehet dhe regjistrohet në emër të shtetit dhe jo të Komunës! Por, si duket, edhe Abazoviqi qëllimisht “harron” të përcaktohet për fatin e 80 hektarëve tokë që ishin pronë e Komunës në kadastër, të cilat iu dhanë asaj për zgjerim të veprimtarisë, mirëpo edhe sot e kësaj dite kjo sipërfaqe nuk u shfrytëzua me ligj, duke mbetur kënetë dhe që doemos me ligj i takojnë komunës. Këtu e kemi fjalën për sipërfaqen e Kripores që ajo e kishte që në kohën e Mbretërisë Jugosllave 1933-1935, e cila mbi bazën e çdo ligji i bie se është pronë e shtetit – Komunës dhe jo vetëm e shpendëve shtegtarë, siç mendojnë disa.
Dilemat tjera me prapavijë të mundshme të korrupsionit
- Këto dilema nga hetuesia e procesit të privatizimit doemos që do duhej të lidhen direkt me statusin e mbrojtjes së Kripores, nga avokati i Komunës, që në kohën kur veç po hetohej se Eurofondi falë manipulimeve të shumta po e humbiste pronësinë, për sa u tha, dhe kur fare qartë filloi të shihej se si po hidhte nisma që Kriporja në këtë kohë të mbrohej nga humbjet, jo më nga Republika, por nga Komuna?! Doemos duke e fshehur që Kriporja ishte marrë pa vullnetin e Komunës në kohën e të tre nacionalizimeve brenda 100 viteve?!
Gjithë kjo tregon se si Fondi e dinte se më lehtë do të merrej vesh me Komunë se sa me republikë për punë obligimesh, të krijuara nga menaxhimi i keq i fondit?! E ky qëndrim i nismës, nëse kalon sot në Kuvendin e Ulqinit që pritet, mund të lidhet edhe me mundësinë e një korrupsioni hipotetik të vazhdueshëm me të cilin i kishte mësuar Komuna. Për këtë nismë që borxhet t’ia lënë te dera Komunës, si zakonisht pritet të angazhohet ndonjë shoqatë joqeveritare për të krijuar alibi – pra, jo ne por sektori joqeveritar po kërkon që Kriporen ta bëjë ndërmarrje publike komunale?! - Plaçkitja e Komunës së Ulqinit në rastin e Kripores dhe të një korrupsioni hipotetik u pa që në rastin kur Kriporen e Ulqinit Eurofondi e nxori në ankand dhe kur çmimi i saj nga 750-800 mijë euro për sa u privatizua u rrit në mbi 150 milion euro?! Dikush e kishte llogaritur mirë edhe këtë punë!
- Sa për idenë e disa shoqatave mjedisore të cilat po mundohen ta mbrojnë Kriporen në kuadër të ekologjisë dhe ruajtjes së mjedisit, duke e shpallur atë si zonë e mbrojtur e shpendëve shtegtarë të cilët arrijnë në Ulqin, mbase do të flasim në një shkrim të radhës!
Çuditë tjera me planifikimin hapësinor që ndodhin në Ulqin përmes miratimit të Planit Hapësinor ndër vite
- Sipas Planit Hapësinor që ishte miratuar edhe nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit para 30 viteve, kemi parë pas një kontrolli si kryetar Kuvendi etj. se si, fjala vjen, liqeni i Shasit, i cili si një tërësi gjeografike brenda vetes dhe në raport me mjedisin paraqet një tërësi ekologjike me pellgun e Kripores për sa u përket shpendëve, sepse ata nuk qëndrojnë vetëm në ujërat e Kripores por shkojnë edhe në Shas, dikur hetohej që me planin ekzistues “hapësira e liqenit të Shasit ishte zonë e mbrojtur e Detit Adtiatik për 20 vitet e ardhshme”. Dhe çfarë ndodh pas 30 viteve kur u miratua Plani i ri Hapësinor?! Dhe nëse nuk e keni ditur, po ju tregojmë që liqeni i Shasit tashmë me planin e ri del të jetë zonë e mbrojtur e liqenit të Shkodrës?! Mendojmë që amputimi zhvillimor i mundshëm i kësaj hapësire ulqinake me qëllim u bart në komunën e Tivarit. Dhe kjo ndodhi pa një bujë, që në momentin kur Kuvendi i Ulqinit “u manipulua” nga subjektet politike dhe për interes të Tivarit miratoi vendimin që Tivari të bëhej qendër regjionale e ku tinëz hyri edhe çështja e planifikimit në Ulqin, pra jo vetëm Kriporja por e gjithë Ana e Malit në politikën zhvillimore i kaloi Tivarit – pa e hetuar fare neve! Dhe për çudi edhe Deponinë Sanitare, të planifikuar për Ulqin, në emër të ekologjisë ia dorëzuam Tivarit?!
- Për fund, shikuar realisht, Komunës së Ulqinit të paktën Qeveria Abazoviq që ia ktheu shtetit Kriporen është dashur që përmes restitucionit t’ia kthejë 80 hektarë tokë Komunës së Ulqinit, të cilat ia morën gjoja për prodhimin e kripës, por që kurrë nuk u shfrytëzuan dhe nëse nuk u shfrytëzuan, atëherë me automatizëm i kalojnë Komunës së Ulqinit. Mbase këto 80 hektarë tokë do të na kishin ndihmuar që duke qenë tonat t’ia shesim sot Alabarit për Dubain e Ri?!
- Megjithatë, dëmin më të madh Kripores së Uqinit përmes politikës së Komunës dhe shtetit tashti mund të shohim që na e krijoi nga jashtë politika gjermane. E themi këtë, sepse pikërisht kjo në kohën kur ekonomia socialiste ishte në prag të dorëzimit dhe privatizimit, organet punëdrejtuese të Kripores u lejuan dhe u mashtruan njëkohësisht nga gjermanët të na shesin teknologjinë eksperimentale të prodhimit të kripës ekologjike, e cila funksiononte falë rrymës që nuk e paguante. Stafi punëdrejtues i dëgjoi sugjerimet – mashtrimet gjermane dhe pranoi të nxjerrë jashtë funksioni mënyrën tradicionale të prodhimit të kripës nga uji i detit që hynte në Kripore me derdhje të lirë – pa shpenzim energjie. Pasi kjo nuk ishte veprimtari e volitshme, kjo metodë e prodhimit e bankrotoi Kriporen dhe fabrika përfundoi në hekuranën e Nikshiqit e për këtë askush nuk u thirr për përgjegjësi. Kurse për meritat që demek kishin në këtë punë gjermanët, përfaqësuesit e shoqatave që e kontrollojnë Kriporen i kishin propozuar Kuvendit të Komunës së Ulqinit që në vazhdim njëri nga ambasadorët gjermanë të shpallej Qytetar Nderi, por që fatbardhësisht nuk u miratua nga shumica e partisë në pushtet – DPS e Ulqinit. Kjo do të thotë se jemi ende të pakëndellur se si ndodhi mashtrimi dhe më pas shkatërrimi i Kripores. Ndoshta këtë shkrim do ta vazhdojmë me shkrimin “Domethënia e një murali të vendosur në udhëkryq të sheshit kryesor”, që na duket se lidhet me të ardhmen e Kripores.
