Millojko, kalorësi guximtar sllav i kohëve moderne

Kryeministri është dashakeqës, nuk është injorant. Ai e di mirë që në një vend në Bashkimin Evropian nuk ka shanse të bëhet një gjë e tillë, bile as që vjen në shprehje, prandaj po tregohet një kalorës i shkathët, kalorës guximtar sllav i kohëve moderne

Driton T. Salaj

Atëherë kur menduam që edhe pak kohë na ndajnë nga 2030-ta, vit ky kur potencialisht mendohet që Mali i Zi të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe kur pronave në Ulqin do t’u rritej vlera e potencialisht të gjithë do të bëheshim më të pasur, harruam pjesën politike. Këtë na e kujtoi kryeministri Millojko Spajiq me marrëveshjen e fundit me Emiratet e Bashkuara Arabe. Kryeministrin nuk e zë gjumi, i shqetësuar për gjendjen tonë, si e si të na bëjë Dubai dhe neve të na mbetet vetëm të numërojmë para. Ai na prezanton një projekt 35 miliardë eurosh për Ulqinin, i cili në 3D të rrëqeth nga bukuritë dhe në shikim të parë të bën të thuash “A është e mundur?”. Por, si fillon të sqarohet, na del krejt diçka tjetër! Zotërinjtë e duan gjithë Plazhin e Madh për 90 vite dhe duan fillimisht të ndërtojnë 200 000 banesa! Po, po, 200 000 banesa dhe atë të hoteleve CONDO, ku brenda pesë viteve do të formohet një Ulqin komplet i ri, me një strukturë komplet të re popullate. Zotërinjtë as që e kanë shikuar Planin Hapësinor të Ulqinit dhe planet për zhvillim strategjik, por e duan të tërin, prej Port Milenës deri në ishullin Ada, çdo pëllëmbë të Plazhit të Madh për vete, me arsyetimin se do të ndërtojnë aeroporte, spitale dhe fakultete. Anashkalojnë komplet pushtetin lokal dhe vazhdojnë me një centralizim, i cili është jashtë çdo norme të Bashkimit Evropian.
Kryeministri është dashakeqës, nuk është injorant. Ai e di mirë që në një vend në Bashkimin Evropian nuk ka shanse të bëhet një gjë e tillë, bile as që vjen në shprehje, prandaj po tregohet një kalorës i shkathët, kalorës guximtar sllav i kohëve moderne.
Kalorësi Millojko dëshiron një Dubai në Ulqin. Në fakt, dëshiron tjetërsimin e Ulqinit dhe popullatës autoktone aty. Ky skenar për shqiptarët e rajonit nuk është duke u shfaqur në Ulqin për herë të parë. Kujtojmë qytetin e Shkupit, i cili deri në tërmetin e vitit 1963 kishte një shumicë absolute shqiptare, por me ndërtimin e Shkupit të ri shqiptarët u shndërruan në pakicë. Ngjashëm ka ndodhur edhe me Ohrin, Manastirin, Plavën, Rozhajën, Pazarin e Ri, Bujanocin, Medvegjën, ku në masë të madhe ka ndikuar edhe emigracioni për shkak të kushteve ekonomike, por pasoja e njëjtë – “shqiptarët nga shumicë autoktone shndërrohen në pakica kombëtare brenda komunave të tyre”. Madje, për të mos shkuar hiç më larg, por të shikojmë Tivarin, i cili pas tërmetit shkatërrues të vitit 1979, u rindërtua, duke u shndërruar në një qytet plotësisht të ri, ku sot nuk kemi as edhe një shkollë apo çerdhe shqipe. Kjo gjë u tentua dhe në Ulqin në vitin 1979, por nuk u arrit falë guximit e qëndrueshmërisë pikësëpari të banorëve të Kalasë, që mbajtën të banuar Kalanë shekullore përkundër presioneve, duke e bërë atë të vetmen të banuar (bashkë me Kalanë e Beratit) në të gjitha trevat shqiptare. Nuk u arrit edhe falë migrimit fshat-qytet, ku Ulqini u mbush me banorë nga Ana e Malit dhe Kraja. Në këtë mënyrë, banesat që u ndërtuan nga shoku Tito më 1979 në Ulqin, shumica të populluara nga banorë joshqiptarë, nuk e përmbushën qëllimin.
Sidoqoftë, është e udhës që edhe vetë të reflektojmë dhe të nxisim vetëllogari te secili. Ekziston një plan hapësinor dhe plan për zhvillim strategjik, plane këto që parashikojnë edhe aeroportin, edhe autostradën, por në Plazhin e Madh parashikojnë investime në gjashtë module të hoteleve, ku do të integrohet e gjithë popullata e qytetit dhe e fshatit. Mirëpo në 35 vite menaxhim të komunës, kemi bërë plane detaje për zona të thella të komunës, për interesa personale, por nuk kemi arritur të bëjmë planet detaje për territorin më të vlefshëm të komunës sonë. Sot në derë na kërcënon ratifikimi i marrëveshjes, të cilën kryeministri Spajiq po tenton ta kalojë në Parlament. Duket e pabesueshme, por ky kryeministër në përbërje të Qeverisë ka edhe shqiptarë, madje edhe si zëvëndëskryeministra. Edhe pse organizohen protesta dhe peticione, shqiptarët tanë vazhdojnë të marrin rroga në qeveri, ku përveç rrogave dhe frizurave të veta asnjë gram mirësi nuk u kanë sjellë shqiptarëve për këto tre vite sa janë pjesë e saj.
Në protestën e fundit në Ulqin, populli me të drejtë i fishkëlleu anëtarit të Partisë së Boshnjakëve, i cili personalisht kurrë s’e përkrahu këtë projekt, por kryetari i partisë së tij po. Por populli i Ulqinit, siç e ka zakon dhe traditë, ka qenë shumë i butë me përfaqësuesit e tij. E kjo butësi nuk do të vazhdojë gjatë. Dihet se Ulqini me një zë e kundërshton këtë projekt dashakeq, por fakti se në të dy protestat e fundit nuk kishte numër të kënaqshëm të protestuesve tregon shumë. Tregon se populli nuk ha bar dhe nuk del në protestë të organizuar nga njerëz që janë pasuruar për 30 vite nga “Morsko zlo” dhe nga njerëz që ulen në dy karrige dhe janë pjesë e kësaj qeverie, e cila çdo ditë e më shumë insiston në këtë projekt.
Unë nuk dua edhe kësaj here t’i përmendi me emra. Jo që nuk dihen dhe që nuk e meritojnë, por për të mos iu dhënë vëmendje si dhe për shkak të unitetit që duhet të kemi, por nëse populli në protestën e fundit qe i mëshirshëm për folësit në skenë, nëse vazhdohet kështu në protestat e ardhshme, deputetët dhe kryetarët e partive të cilët kanë zëvendëskryeministra në këtë qeveri, ministra, sekretarë e drejtorë të punësuar në këtë qeveri, të maten mirë para se të guxojnë të ofendojnë gjithë popullin. Kjo tragjikomedi duhet të ndalet dhe duhet të gjithë me një zë, më të bashkuar se kurrë, ta kundërshtojmë këtë projekt. Sot duhet ta potencojmë me zë të lartë se jemi pro dhe shumë të interesuar për investime në komunën tonë, por investime që gjithmonë do të shqyrtohen, menaxhohen dhe miratohen nga vetë ne, nga vetë komuna dhe assesi të shkohet në një centralizim të skajshëm që do të sjellë plaçkitje të potencialeve të bregdetit të Ulqinit dhe ndërrime demografike të popullatës që çojnë drejt asimilimit të popullatës autoktone të Ulqinit. Për fat të keq, mendoj që ky është vetëm sulmi i parë që kalorësi me petkun e kryeministrit do të lëshojë kundrejt nesh si shqiptarë autoktonë. Neve na duhet një unitet e mobilizim në kundërshtim, ligjor e çfarëdo forme.
Për fund, kryeministri duhet të dijë se është pikërisht ky Ulqin që në referendum ka formuar shtetin, kryeministër i të cilit është vetë ai. Në fakt, jam i bindur që e ai e di këtë gjë, sepse siç thashë, ai nuk është injorant, është dashakeq.

(Autori është Msc. i Ndërtimtarisë, këshilltar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në Kuvendin e Komunës së Ulqinit)

Të fundit

më të lexuarat