Miku i shqiptarëve

Senatori republikan, Xhon Mekejn, hero i Luftës së Vjetnamit, deputet, senator i Shteteve të Bashkuara dhe dy herë kandidat i Partisë Republikane për president, ndërroi jetë në shtëpinë e tij në shtetin Arizona, në moshën 81-vjeçare. Ai vuante nga kanceri në tru. “Babi im nuk është më”, ka shkruar në rrjetet sociale e bija e senatorit, Meghan. “Xhon Mekejn, hero i Republikës dhe i vajzës së tij të vogël, zgjohet sot në një botë shumë më të lumtur …Sot luftëtari fillon jetën e vërtetë në përjetësi, i përshëndetur nga ata që kanë shkuar në atë botë para tij, në ringjallje për t’u takuar me Autorin e të Gjitha Krijesave”, është shprehur vajza e vetme e Senatorit Mekejn, Meghan, duke njoftuar vdekjen e babait të saj

Frank Shkreli

Reagimet dhe mesazhet posa kanë filluar t’i dërgohen familjes së tij për humbjen e madhe të kryefamiljarit të tyre dhe për humbjen e madhe të Kombit Amerikan. Ndër të parët që dërgoi mesazh ngushëllimi ishte Presidenti Trump, me politikat e të cilit Senatori Mekejn shpeshherë nuk pajtohej, megjithëse të dy ishin anëtarë të të njëjtës parti, Partisë Republikane. Menjëherë pas njoftimit të familjes për vdekjen e Senatorit Mekejn, Presidenti Donald Trump shprehu me Twitter ngushëllimet e tij: “Ngushëllimet dhe respektin më të thellë për familjen e Senatorit John McCain. Zemrat dhe lutjet tona janë me ju”, shprehet Presidenti Trump në ngushëllimin dërguar familjes së Senatorit. Ish Presidenti Barak Obama, në mesazhin e tij tha se “Megjithë dallimet tona politike, ne ndanim besimin tonë në vlerat ndaj diçkaje më të madhe – ndaj idealeve për të cilat breza të tërë amerikanësh dhe imigrantësh kanë luftuar, kanë marshuar dhe sakrifikuar….ideale për të cilat jemi munduar t’i ruajmë këtu në vendin tonë dhe t’i përhapim edhe anembanë botës…Për këtë të gjithë i kemi borxh shumë Senatorit Xhon Mëkejn”, është shprehur ish-Presidenti demokrat Obama për ish-kundërshtarin e tij politik republikan.
Senatori Mekejn, e kishte filluar karrierën e tij politike në vitin 1982 kur është zgjedhur për dy mandate në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe në vitin 1986 është zgjedhur Senator i Partisë Republikane në Senatin amerikan nga shteti Arizona, ku ka shërbyer deri ditën që ndërroi jetë. Ai kishte ambicie të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, por fatkeqësisht nuk ia doli. Senatori Mekejn bëri fushatë si kandidat për president në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane në vitin 2000, por humbi në garën kundër Xhorxh W. Bush-it. Ndërsa në vitin 2004, me gjithë se siguroi emërimin si kandidat për president i Partisë Republikane, ai u mund në garën e zgjedhjeve të përgjithshme nga kandidati i Partisë Demokrate, Barak Obama. Gjatë administratës demokrate të Z. Obama, Senatori Mekejn mbajti qëndrime konservatore, ndërkohë që njohej si një kundërshtar i ashpër i politikave të administratës Obama, sidomos politikat e presidentit demokrat në fushën ushtarake dhe të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “829” të revistës Koha Javore

Të fundit

më të lexuarat