Mijëra viktima, miliona të zhvendosur dhe dëme të mëdha infrastrukturore

Të premtën, në njëvjetorin e fillimit të agresionit rus në Ukrainë, qindra qytetarë të Cetinës organizuan një marshim në mbështetje të banorëve të Ukrainës, duke mbajtur në duar slogane me mesazhe mbështetëse për Ukrainën: “Rusia është shtet terrorist”, “365 ditë mosbindje”, etj. Ambasadori i Ukrainës në Mal të Zi Oleh Herasimenko, ka theksuar se banorët e Malit të Zi “na kanë përkrahur në momentin më të vështirë dhe ne jemi krenarë për këtë miqësi”. Ai ka thënë se “ne e dimë se kemi miq të sinqertë tek të cilët mund të mbështetemi gjithmonë”. Ndërkaq, në sheshin qendror të Podgoricës në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit, rus dolën edhe qytetarë rusë që jetojnë në Mal të Zi

Toni Ujkaj

Javën e kaluar, saktësisht më 24 shkurt 2023, u bë plot një vit qekur Rusia filloi agresionin e saj kundër Ukrainës të cilin presidenti rus Putin e quante një operacion të posaçëm ushtarak. Njëvjetorin e fillimit të agresionit rus e shënoi Ukraina të premtën, më 24 shkurt me një ditë solemne përkujtimi dhe reflektimi.
Një vit më parë, nga raportimi i mediave ndërkombëtare, u panë kolona kilometrike të tankeve, kamionëve dhe mjeteve të tjera të ushtrisë ruse, me mbi 200 mijë trupa të pajisura përplot me artileri dhe mjete luftarake që prisnin për ditë të tëra në kufirin me Ukrainën që t’ia mësyjnë asaj.
Pa kaluar shumë kohë, tanket luftarake dhe makineritë e tjera e kaluan këtë kufi, duke u përhapur me shpejtësi nëpër qytete dhe territore të Ukrainës për ta sulmuar.
Në lidhje me këtë ofensivë, ose siç ai e quante “operacion të posaçëm ushtarak”, presidenti rus Vladimir Putin gjatë një interviste për “Rojters” kishte thënë se qëllimi i tij ishte ta çmilitarizojë dhe denasifikojë Ukrainën.
Mirëpo, kjo tezë e Putinit u pa ndryshe dhe shumë ekspertë, personalitete botërore etj, pohuan se kjo është një luftë për pushtim dhe aneksim territoresh.
Në fillim të kësaj lufte analistët e ndryshëm mendonin se Rusia do ta “thyejë” shpejt Ukrainën, duke u bazuar në atë se kjo e fundit klasifikohet në mesin e pesë ushtrive më të mëdha në botë. Megjithatë, nuk ndodhi kështu, sepse Ukraina bëri mjaft rezistencë dhe Rusia edhe pse në fillim kishte pushtuar territore të mëdha, ajo nuk arriti ta merrte kryeqytetin, ndërsa me kalimin e javëve dhe muajve, ajo u tërhoq nga disa zona në Veri dhe Jug.
Referuar një kronike që ia kushton Radio Evropa e Lirë luftës në Ukrainë, theksohet se Rusia deri më sot ka humbur gjysmën e territorit të marrë në javët e para të pushtimit.
“Bilanci i viktimave është i llahtarshëm. Sipas disa raporteve të Kombeve të Bashkura, janë mbi njëzetëmijë viktima civile, mbi 16 milionë njerëz të zhvendosur, mbi 40 përqind të shtëpive të shkatërruara dhe mbi 50 përqind e infrastrukturës energjetike e Ukrainës e shkatërruar ose e dëmtuar”.
Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski i ndihmuar me armatim dhe logjistikë nga Perëndimi, ka shprehur shpesh optimizëm për trajektorën e luftës. Ai në një fjalim para Kongresit të Shteteve të Bashkura të Amerikës më 22 dhjetor, ka lënë të kuptohet se lufta do të përfundojë këtë vit, pra më 2023, vit të cilin ai e quajti si një vit kthese ku guximi ukrainas dhe vendosmëria amerikane do të garantojnë të ardhmen e lirisë për vendin që ai drejton.
Në një intervistë dhënë për emisionin “Exposé”, Xhorxh Baros nga Instituti për Studimet e Luftës me seli në Uashington, ka thënë se rusët ka muaj që janë mposhtuar në nivel strategjik.
“Ukrainasit absolutisht mund ta fitojnë këtë luftë në mënyrë konvencionale. Është thjeshtë çështje kohe. Kam parë parashikime optimiste që flasin për përfundimin e luftës verën e ardhshme. Ushtria konvencionale ruse është mposhtuar aq shumë”, ka thënë Baros.
Nga ana tjetër, presidenti rus Putin ka thënë se lufta nuk do të përfundojë me kapitulimin e ushtrisë së tij.
“Disa herë ai ka bërë kërcënime të maskuara bërthamore si kundër Ukrainës, ashtu edhe kundër Perëndimit. Në fund të tetorit të vitit të kaluar, ai ka vëzhguar disa stërvitje ushtarake të cilat kanë përfshirë nëndetëse bërthamore dhe raketa balistike”, theksohet në emisionin “Exsposé.
Presidenti Putin këtë muaj është tërhequr nga një traktat bërthamor me SHBA-në, i njohur si starti i ri i cili u nënshkrua në vitin 2010, me qëllim të parandalimit të luftës bërthamore.
Në lidhje me këtë çështje, eksperti i sigurisë nga Instituti për Studimet e Luftës, Baros, ka thënë se ky institut vlerëson se gjasat që Rusia të përdorë armë bërthamore janë të vogla, sepse ushtarakisht – ka pohuar ai – nuk ka kuptim.
Ai ka rikujtuar doktrinën ushtarake ruse e cila thotë se: “armët bërthamore mund të përdorën në rast të agresionit kundër Rusisë”.
Më tutje raportohet se sipas inteligjencës perëndimore, Rusia është duke u përgatitur për ofensivën pranverore në Ukrainë, ku sipas imazheve satelitore janë ngritur kampe fushore të ushtrisë ruse pranë kufirit verilindor të Ukrainës, pikërisht aty ku i ka pozicionuar trupat e veta një vit më parë para pushtimit.
Ndërkaq, gjatë një intervistë për BBC javën e kaluar, presidenti ukrainas ka thënë se forcat e Ukrainës do të vazhdojnë ta zbrapsin përparimin rus dhe ka përsëritur thirrjet për më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi.
Kujtojmë që për të luftuar Ukraina që nga fillimi i sulmeve është ndihmuar me furnizim të armëve moderne, dhe pse Putini i ka bërë thirrje të vazhdueshme Perëndimit që të mos e armatosë Ukrainën.
Megjithëse, edhe pse tani për tani nuk ka sinjale serioze nga asnjëra palë për gatishmëri bisedimesh, ekspertë të politikave dhe marrëdhënive ndërkombëtare besojnë se pikërisht bisedimet janë rrugëdalja. Kjo luftë ka shkaktuar dhjetëra-mijëra viktima në të dyja ushtritë.
Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden i cili vizitoi Ukrainën para disa ditësh, duke shënuar njëvjetorin e nisjes së pushtimit rus ndaj saj, ka deklaruar se Perëndimi do ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa ajo do të ketë nevojë.
Kujtojmë që Bajden ka paralajmëruar një dërgesë të re të pajisjeve e cila do të përfshinte municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore, me vlerë prej gjysmë miliardë dollarësh.
Në njëvjetorin e nisjes së luftës ruse kundër Ukrainës, edhe Mali i Zi u solidarizua me popullin ukrainas.
Të premtën, në njëvjetorin e fillimit të agresionit rus në Ukrainë, qindra qytetarë të Cetinës organizuan një marshim në mbështetje të banorëve të Ukrainës, duke mbajtur në duar slogane me mesazhe mbështetëse për Ukrainën: “Rusia është shtet terrorist”, “365 ditë mosbindje”, etj. Ambasadori i Ukrainës në Mal të Zi, Oleh Herasimenko, ka theksuar se banorët e Malit të Zi “na kanë përkrahur në momentin më të vështirë dhe ne jemi krenarë për këtë miqësi”.
Ai ka thënë se “ne e dimë se kemi miq të sinqertë tek të cilët mund të mbështetemi gjithmonë”.
Ndërkaq, në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit rus, në sheshin qendror të Podgoricës dolën edhe qytetarë rusë që jetojnë në Mal të Zi.

Të fundit

më të lexuarat