Migrimi si shkaki shuarjes së popujve të vegjël

Haxhi Zeneli

Migrimet e popujve nëpër botë nuk janë asgjë e re, ato kanë filluar që prej kohërave të lashta, në të vërtetë migrimet janë pjesë e ADN-së sonë dhe vazhdimisht ato do të na shoqërojnë.
Kur flasim për migrimet e njerëzve, nënkuptojmë lëvizjen e tyre prej një vendi në një vend tjetër. Por, këto migrime dallohen nga natyra e lëvizjes, të cilat i ndajmë në dy kategori: të detyruara dhe vullnetare.
Zakonisht, migrimet e detyruara përfshijnë njerëzit të cilët janë dëbuar nga luftërat ose gjatë trazirave të tjera politike. Kurse kategoria e dytë janë migrimet vullnetare të refugjatëve që ikin nga lufta, uria ose fatkeqësitë natyrore. Këto kriza për fatin e keq të njerëzimit, kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë.
Prandaj, edhe sot kemi këto migrime dhe kjo është evidente nga shumë vende të botës. Kategorinë e migrimeve vullnetare, po e shohim edhe në shtetet e Ballkanit.
Migrimet shpesh herë vijnë edhe nga mosfunksionimi i shtetit, të cilin e ka ngulfatur korrupsioni, stagnimi ekonomik i atyre shteteve, të cilat në krye të tyre kanë autokratët në bashkëpunim me oligarkët.
Ka disa teori, se popujt e vegjël që kanë ekonomi të dobët dhe nuk mund të menaxhojnë veten, ka mundësi edhe të zhduken, sepse nga gjendja e vështirë sociale dhe ekonomike populli migron andej kah vendet me ekonomi stabile. Si shembull këtu hyn edhe Ballkani, ku me politikën e tyre degresive, nuk po arrijnë që të rinjve t’u sigurojnë vende pune dhe siguri për të ardhmen e tyre. Andaj këto situata ngrenë kriza dhe mosbesim te populli. Me largimin e të rinjve nga ato vende, atje prodhohen kriza të tjera, që do të thotë se vendi zbrazet duke lënë pas popullin e moshuar, kështu shuhet edhe prodhimtaria ekonomike e vendit dhe kuptohet se çfarë krize vjen pas kësaj, e cila patjetër ka efektet anësore!.
Kurse, në anën tjetër, vendet e zhvilluara kanë shfaqur këto shqetësime, se atyre po iu mungon krahu i punës. Por ato vende, për dallim, kanë një përparësi, sepse janë ekonomikisht stabile dhe më të fuqishme, e kanë mundësi t’u sigurojë një jetë me të ardhura më të mira qytetarëve të tyre dhe për këtë arsye ato do të tërheqin klasën punëtore të vendeve me ekonomi të dobëta dhe të keq të menaxhuara.
Disa vende të perëndimit tashmë janë deklaruar haptas për këto mungesa dhe kanë hapur konkurse me kontrata për vende pune, duke siguruar edhe vendqëndrimin, një ndër këto është Kanadaja që ka hapur 1.5 milionë vende pune të disa fushave ekonomike.
Këtë praktikë ka kohë që po e vërejmë edhe në Evropë, ku shtetet evropiane me ekonomi të zhvilluara po ua lehtësojnë hyrjen të rinjve me aftësi profesionale, që janë të gatshëm për punë. Kjo ka zgjuar një interesim tek ata të cilët nuk po ia dalin të punësohen në vendet e tyre dhe duke humbur durimin e pritjes ata po shkojnë drejt atyre vendeve premtuese. Nga Raportet e “Konkurrencës Globale të Forumit Ekonomik Botëror “të bëra për Ballkanin, thuhet se atje rinia e atyre vendeve, para mbarimit të universitetit, 85% e shohin të ardhmen e tyre “jashtë vendit”, pra nëse këto janë të vërteta, atëherë nuk jemi larg ndaj qasjes për ato që themi. Kosova nga 1 janari e ka rrugën e hapur të udhëtojë pa viza, që do të thotë se ata të rinj që e kanë ëndërruar këtë ditë, do ta kenë rastin që t’iu bashkëngjiten radhëve të mërgimtarëve e të shijojnë bukën e premtuar dhe sipas anketave të bëra do të jetë një numër mjaft i madh, të cilët thonë se nuk kanë ardhmëri në Kosovë.
Ndërkohë, kjo gjendje nuk është më e mirë as në vendet të tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas një studimi të fundit nga Qendra e Malit të Zi për Edukim, qytetarët tregojnë se rreth gjysma e të rinjve të atij vendi po mendojnë të largohen nga vendi, i cili ka një popullsi prej vetëm 620,000 banorësh.
Andaj, mund të themi se e gjithë kjo ikje nga vendet e tyre është nga frika për të mos gjetur punë, që do të thotë se në të ardhmen do të ndikojë dukshëm në shterjen e trurit të atyre vendeve që mund të çojë popujt e vegjël me ekonomi të dobëta drejt zhdukjes.

Të fundit

më të lexuarat