Mentaliteti i Ballkanit nuk po ndryshon

Haxhi Zeneli

Historikisht tensionet në Ballkan herë janë ulur e herë janë ngritur dhe oreksi i madh për territore dhe pasuri ekonomike asnjëherë nuk është zhdukur te këta popuj. Mbetet një vend me një mentalitet të sëmurë dhe super ego, me konceptin “kjo është toka ime, kultura ime, do ta marrim, do të luftojmë, do të vdesim për tokën tonë” etj..
Këta popuj kanë ngelur me dy këmbët në kurth dhe jo vetëm që kanë vështirësi t’i nxjerrin këmbët, por as që nuk i lejon egoja e madhe të dalin nga ajo kurth, nuk kanë forcë për ta bërë.
Janë të verbuar nga nacionalizmi, secili mendon zi e më zi për njëri-tjetrin.
Në mendjet e tyre ende është e ngulitur se si të përfitojnë ekonomikisht territor nga njëri-tjetri, nuk i lë sëmundja që të gjykojnë drejt, kanë ngelur të prapambetur edhe pse janë pjesë e Evropës. Gjendja ekonomike e tyre është e dobët dhe patjetër që kur ke një ekonomi të dobët, atëherë edhe populli e braktis atë vend.
Se kanë të qartë se “empty land, empty hand”(tokë e zbrazur, duart bosh).
Shumica e tyre e fajësojnë Evropën, por asnjëherë nuk e pyesin veten, se a e ka të lehtë Evropa të merret me ta? Por, edhe pse Evropa ka probleme tjera, nuk e ka luksin që të mos merret, sepse Ballkanin e ka në prag të derës.
Mendoj se shqiptarët janë të vetmit që duan t’i shmangin konfliktet, mbase edhe janë të vetmit që kanë një dashuri për Evropën dhe Amerikën. Ndoshta kjo është edhe pse ne shqiptarët jemi dënuar nga gjatë historisë, kurse sllavët janë llastuar. Ne këtë frikë e kemi edhe tani, që mos të përjetojmë të njëjtën gjë.
Por, kjo mund të vijë edhe nga ajo se ne jemi një popull jetim në Evropë, nuk kemi të tjerë aty që të na e mbajnë krahun, kurse sllavët e kanë pasur çdo herë përfaqësinë e tyre brenda Evropës.
Evropës nuk mund t’i vihet krejt faji, ajo mbase edhe keqkuptohet, nganjëherë jep shenja se duhet zhdukur nacionalizmat e rrezikshme brenda Ballkanit dhe se ndoshta do të ishte mirë që Ballkani të shkombëtarizohet, një gjë që vështirë do të realizohej, kemi shembullin e dështuar të ish-Jugosllavisë, që donin të shkrinin të gjithë ato kombe në një popull jugosllav, por rezultoi pa sukses.
Nuk e di se a e ka kuptuar Evropa, se problemi nuk qëndron krejtësisht te nacionalzmat, problemi më i madh qëndron tek ortodoksizmi radikal i tyre kundër shqiptarëve dhe kjo është pista kryesore që Evropa duhet ta trajtojë. ”Evropa po u thotë se e keqja qëndron aty, se ju e doni veten shumë, sikurse ju këtë dashuri për veten tuaj kaq të madhe, ta kishit ndarë me njëri-tjetrin dhe po të kishit arritur këtë, ne besojmë se do të mbizotërojë paqja në mesin tuaj. Paqja nuk vjen asnjëherë kur dikush e do veten dhe urren të tjerët, aty s’ka progres, aty vazhdimisht ndizen konfliktet.

Të fundit

më të lexuarat