Memorandumet serbe në dëm të popullit shqiptar

Nuk besoj se një akademik të mos dijë kush ishin shqiptarët, por “arnautë”, shqiptarët quheshin nga turqit dhe besoj se kjo ishte një përpjekje për të mohuar para opinionit të gjerë se shqiptarët janë popull autokton që jeton në këto treva me mijëra vite, dhe se arnautët duhet të trajtohen si një fis i ardhur turk

Për Koha Javore: Fiqret Mujeziqi /Shtutgart

Memorandumet serbe, të cilat ushqenin hegjemonizmin serb dhe ishin në dëm të popullit shqiptar janë të shumta, por do të veçoj disa prej tyre:
1844 – Naçertania
1937 – Memorandumi për “dëbimin e arnautëve (shqiptarëve)“
1941 – Serbia homogjene
1986 – Memorandumi SANU 1
2012 – Memorandumi SANU 2
2021 – “Srpski svet” apo “Bota serbe”

Naçertania
„Naçertania“ e ka zanafillën nga elita politike polake, e cila u largua nga vendi pas dështimit të Kryengritjes së Nëntorit kundër Perandorisë Ruse, më 1830. Në vitin 1843, kjo elitë dërgoi një të emisar special në Serbi, çekun Frantishek Zah (1807-1892), me një plan për t’ia paraqitur Ilija Garashaninit, një figurë e shquar e regjimit të atëhershëm. Plani i Zahut parashikonte çlirimin dhe bashkimin e sllavëve të Jugut, gjë që do të ndihmonte më vonë në çlirimin e Polonisë nga sundimi austriak dhe rus. Bazuar në planin e Zahut, Garashanini përpiloi “Naçertanien” – “Programi i politikës së jashtme – kombëtare të Serbisë” në vitin 1844, me rreth 90% të tekstit të huazuar. Në disa pjesë, duke ripunuar projektin e Zahut, Garashanini, me idetë e tij për shtetin jugosllav, supozoi bashkimin e “të gjithë popujve serbë”, gjë që e bëri Naçertanien (projektin) një program sekret të politikës së jashtme dhe kombëtare të Serbisë. Ministri i Punëve të Brendshme, Ilija Garashanin (1812-1874), ia përgatiti princit Aleksandër Karagjorgjeviq (1842-1858). Ky projekt u botua për herë të parë i plotë në vitin 1906.

Memorandumi për “dëbimin e arnautëve (shqiptarëve)“ (1937), dhe “Serbia homogjene” (1941)
Memorandumi për “dëbimin e arnautëve (shqiptarëve)”, i shkruar nga akademiku serb Dr. Vasa Çubrilloviq në vitin 1937, është po ashtu një dokument mbi spastrimin etnik të territorit të banuar me shqiptarë dhe deri në detaje përshkruan mënyrën dhe metodat se si duhet të arrihet kjo. Titulli i memorandumit është “Iseljavanje Arnauta”. Pse vallë arnautë dhe jo shqiptarë apo “Albanci”?! Nuk besoj se një akademik të mos dijë kush ishin shqiptarët, por “arnautë”, shqiptarët quheshin nga turqit dhe besoj se kjo ishte një përpjekje për të mohuar para opinionit të gjerë se shqiptarët janë popull autokton që jeton në këto treva me mijëra vite dhe se arnautët duhet të trajtohen si një fis i ardhur turk.
Duke lexuar këtë memorandum, hasa në një urrejtje mesjetare patologjike ndaj mbarë kombit, dhe metodat që do të përdoreshin ishin më çnjerëzoret që kemi parë apo dëgjuar ndonjëherë. Këto metoda të shfarosjes gjithashtu nuk do të përdoreshin kundër kafshëve të rrezikshme, sepse organizatat për mbrojtjen e kafshëve pa dyshim që do të protestonin. Sidoqoftë, këtu nuk është qëllimi të analizohet memorandumi në fjalë, por vetëm të theksohet si një dokument në shërbim të hegjemonizmit serb. Një memorandum të ngjashëm për “zgjidhjen” e çështjes së pakicave etnike në Jugosllavi e ka hartuar Dr. Vasa Çubrilloviq edhe në fund të Luftës së Dytë Botërore për nevojat e qeverisë së re komuniste, duke marrë parasysh përvojat e regjimit diktatorial të Bashkimit Sovjetik. Kjo mundësoi dëbimin e gjysmë milioni gjermanë (Volksdeutscher) nga Vojvodina.
Serbia homogjene është shkrimi i ideologut çetnik Stevan Moleviq e vitit 1941, i cili mbron krijimin e Serbisë së Madhe dhe spastrimin e saj etnik nga kombet tjera. Në mes tjerash, këtu flitet për gjoja “gabimin” e bërë më 1918 kur kufijtë e Serbisë nuk ishin definuar siç duhej, dhe kjo duhej përmirësuar në favor të hegjemonizmit serb.

Memorandumi SANU 1
Memorandumi për gjendjen e kombit serb në Jugosllavi, i njohur si Sanu Memorandum 1, ishte një memorandum i përpiluar dhe i përgatitur nga viti 1982 dhe 1986 nga anëtarët e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Ka mundësi të jetë përpiluar edhe më herët. Teksti duhet të ishte redaktuar nga ish-anëtari i Akademisë dhe më vonë edhe President i Republikës Federale të Jugosllavisë, Dobrica Qosiq (1921-2014).
Memorandumi gjithëpërfshirës me 74 faqe është fillimisht një kritikë ndaj zhvillimeve aktuale ekonomike dhe kulturore të sistemit jugosllav. Vetëqeverisja jugosllave dhe Titoizmi konsiderohen si një “doktrinë antiserbe” me të cilën kombi serb u dobësua në mënyrë specifike, gjë që gjoja do ta kishin shfrytëzuar republikat tjera dhe dy krahinat autonome në favor të tyre. Memorandumi bën thirrje për një fund të “diskriminimit të popullit serb”. Në memorandum konstatohet se:

  • Kufijtë e Serbisë nuk janë në përputhje me përbërjen etnike, sipas memorandumit, me Kushtetutën e vitit 1974, për shkak të krijimit të krahinave autonome të Vojvodinës dhe Kosovës;
  • Rrezikimi i popullit serb nga popujt e tjerë brenda Jugosllavisë: asimilimi, shfrytëzimi, dëbimi, pamundësia për të shprehur, margjinalizimi në sferën politike, ekonomike, kulturore dhe shkencore;
  • Forcimi i forcave anti-serbe brenda Jugosllavisë (kroatë, shqiptarë);
  • Nevoja për një veprim të shpejtë për të parandaluar rënien e Serbisë dhe popullit serb.
    Intelektualët dhe politikanët e popujve të tjerë të Jugosllavisë reaguan ndaj kërkesës së Akademisë me programet e tyre kombëtare. Midis republikave përhapej një atmosferë gjithnjë e më e helmuar. Tashmë në media dhe në literaturën e Jugosllavisë, flitej më hapur për “etninë”, “tokën dhe gjakun” dhe se aty ku ishte një varr serb edhe toka ishte serbe. Një propagandë antishqiptare kishte filluar menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ku shqiptarët e Kosovës do të fajësohen për gjenocid ndaj serbëve. Teza u mbështet në “argumentet historike”, të cilat shkonin shumë kohë para themelimit të Jugosllavisë së Parë në vitin 1918. Shqiptarët filluan të quheshin me nofka fyese, si separatistë, nacionalistë, irredentistë dhe ndaheshin në ”shqiptarë të ndershëm” dhe “shqiptarë të pandershëm”. Natyrisht se numri i atyre që ishin “të pandershëm” ishte shumë më i madh. Ata fajësoheshin për krizën e sistemit vetëqeverisës socialist në Jugosllavi, edhe pse asgjë nuk kishin të bënin me të, sepse pesha e tyre në atë shtet ishte shumë e vogël.
    Për arritjen e qëllimeve hegjemoniste serbe nuk përjashtohej as përdorimi i dhunës, deri te konflikti i hapur luftarak. Deri në shpërthimin e luftës në Jugosllavi, shqiptarët e paguan shumë shtrenjtë. Me mijëra shqiptarë u burgosën, shumë të tjerë u vranë në rrethana misterioze, siç është vrasja e vëllezërve Gërvalla, vrasja e Kadri Zekës, Enver Hadrit etj. Shqiptarët në mjediset serbe duhej të flisnin me zë të ulët, ose të mos e hapnin fare gojën, përndryshe mund ta pësonin shumë keq.
    Rezultati i memorandumit SANU 1 u pa në luftrat e shkatërrimit përfundimtar të ish-Jugosllavisë. Kjo histori hegjemoniste serbe nuk ka sjellë asgjë të mirë, as për popullin serb, por as për të tjerët në Ballkan. Vetëm luftra, vuajtje, spastrim etnik dhe gjenocid. (Vijon)

Të fundit

më të lexuarat