Epoka në të cilën jetojmë sot quhet ”epoka e informacionit”, në proceset e së cilës interneti dhe rrjetet sociale luajnë rol të veçantë. Si krijues të drejtpërdrejtë të realitetit shoqëror dhe një nga bartësit më të rëndësishëm të procesit të socializimit të qenieve njerëzore, dukuritë e internetit dhe rrjeteve sociale janë bërë pjesë integrale dhe të pandashme të çdo individi. Në një shoqëri në ndryshim është e rëndësishme të dihet se në fund të fundit janë njerëzit që ndryshojnë. Prandaj, krahas entuziazmit të lartë që teknologjia informative sjell, janë të shumtë ata që u frikësohen efekteve anësore të zhvillimit të shpejtë të saj (Vago). Tofler thotë se fuqitë tona teknologjike rriten, por edhe efektet anësore dhe rreziqet e mundshme gjithashtu përshkallëzohen. Interneti, duke u futur në të gjitha poret e funksionimit dhe ekzistencës individuale dhe shoqërore, ka ndryshuar ndjeshëm kushtet në të cilat ndodh rritja dhe zhvillimi i adoleshentëve. Hulumtimet e shumta sugjerojnë se sot shumica e adoleshentëve janë përdorues të internetit, ku edukimi dhe socializimi i tyre janë të lidhur ngushtë me ekranet smart.
Një nga problemet dhe shqetësimet në rritje, pothuajse në të gjitha vendet e botës, është delikuenca adoleshente. Ka shume faktorë që nxisin dhe stimulojnë sjellje delikuente tek adoleshentët si: varfëria, ambienti familjar jo i shëndoshë, çrregullimet e ndryshme psikike, mjedisi i pasigurt si dhe mediat sociale me gjithë efektet anësore.
Ka biblioteka të tëra për adoleshencën dhe pothuajse të gjitha trajtojnë këtë temë sikur të ishte një krizë e rrezikshme në të cilën mund të ndryshojë i gjithë karakteri i një individi, thotë Adler. Prandaj, adoleshenca duhet të studiohet me kujdes dhe pa paragjykime, me qëllim të përgjigjes adekuate, me sfidat me të cilat ata ballafaqohen në kohë dhe vend specifik. Në kuptimin e vërtetë të fjalës, adoleshenca është një tranzicion prej varësisë te pavarësia dhe përfundon kur individi e arrin statusin e të rriturit (Petixhon). Pra, ajo është periudha e përcaktuar kulturalisht midis fëmijërisë dhe moshës madhore.
Adoleshentët shpesh marrin vendime që ndikojnë në të gjithë jetën e tyre, edhe pse ata janë të papjekur mendërisht dhe socialisht (Kon). Prandaj, janë shkolla dhe ambienti i ri shoqëror, në kombinim me mundësitë e pakufishme për socializim që ofron teknologjia komunikative, ato që do të ndikojnë në formimin e adoleshentit.
Edhe pse përdoruesit e shumë rrjeteve sociale janë të grupmoshave, gjinive dhe arsimit të ndryshëm, ndikimin më të madh ato e kanë te të rinjtë. Të rinjtë janë kureshtarë, të etur për sfida të reja dhe për të gjitha modalitetet moderne të teknologjisë së informacionit, dhe shumë lehtë bëhen përdorues dhe klientë të tyre të rregullt. Prandaj këto mjete të komunikimit masiv janë veçanërisht të rëndësishme për ta
Delikuenca adoleshente konsiderohet si një nga problemet dhe shqetësimet në rritje pothuajse në të gjitha vendet e botës. Ajo është problem global me të cilin përballet shoqëria në tërësi. Njeriu nuk lind delikuent apo kriminel, por ai bëhet i tillë. Prandaj, delikuenca adoleshente duhet parë në një kuptim më të gjerë, që përfshin të gjitha format e sjelljes anormale, nga ato më të thjeshtat deri te sjelljet që konsiderohen të dënueshme me ligj.
Krahas faktit që delikuenca adoleshente është në rritje, ajo shfaq edhe disa karakteristika, si: shfaqet në forma të reja, më të vështira dhe komplekse; karakterizohet gjithnjë e më shumë nga dhuna fizike dhe bullizmi, vrazhdësia dhe arroganca, si dhe mungesa e empatisë; veprat penale të bëra në grup janë gjithnjë e më të pranishme; shfaqet gjithnjë e më shpesh në forma të organizuara.
Pasi që adoleshentët kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës në shkollë, rrjedhimisht mjedisi shkollor si dhe pikëpamjet e adoleshentëve për shkollën ka të ngjarë të ndikojnë në sjelljet e tyre, duke përfshirë edhe ato delikuente (Kenedi).
Shkollat psikologjike, të formuara nga fushat e biologjisë, psikiatrisë dhe fiziologjisë, janë ato që ekzaminojnë efektet e përvojave të hershme të jetës së individit që ndikojnë në sjelljet devijuese. Disa psikologë të hershëm (veçanërisht psikoterapistë) pohojnë se sjellja kriminale është rezultat i problemeve psikologjike që nuk janë identifikuar apo trajtuar përgjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Megjithatë, diagnoza është shumë individuale. Kjo do të thotë, individë të ndryshëm mund të shfaqin të njëjtat sjellje, të tilla si personalitete të shumta ose sjellje antisociale, por shkaku kryesor i këtyre simptomave ndryshon te çdo person. Ithtarët e shkollës psikologjike pohojnë rëndësinë e trajtimit dhe rehabilitimit, në vend të mbajtjes së një qëndrimi ndëshkues, kur trajtohen aty shkelësit (Shomejker).
Në raport me mjetet tradicionale të komunikimit masiv, interneti dhe rrjetet e shumta sociale, të cilat janë shfaqur njëra pas tjetrës radhazi që nga fillimi i këtij shekulli, po marrin përparësi kur bëhet fjalë për ndikim te njerëzit dhe sjelljet e tyre. Këto media kanë ndikim të fortë në procesin e formimit të çdo personi, qoftë në drejtim pozitiv apo atë negativ.
Edhe pse përdoruesit e shumë rrjeteve sociale janë të grupmoshave, gjinive dhe arsimit të ndryshëm, ndikimin më të madh ato e kanë te të rinjtë. Të rinjtë janë kureshtarë, të etur për sfida të reja dhe për të gjitha modalitetet moderne të teknologjisë së informacionit, dhe shumë lehtë bëhen përdorues dhe klientë të tyre të rregullt. Prandaj këto mjete të komunikimit masiv janë veçanërisht të rëndësishme për ta.
Hulumtimet tregojnë se të rinjtë kalojnë disa orë të konsiderueshme në ditë në kompjuter dhe në rrjetet sociale. E gjithë kjo ndonjëherë çon në ndryshime në sjelljen e tyre dhe në mospërfilljen e nevojave elementare, si ato për ushqim, pije, zakone higjienike e të ngjashme. Të gjitha këto shkaktojnë pasoja të tjera që çojnë në stres, depresion, intolerancë, arrogancë, humbje të kontakteve reale sociale, tërheqje në vetvete. Rrjedhimisht “kurimin” e kërkojnë në internet dhe rrjetet sociale duke rritur kohën e kaluar në to. Kështu, cikli vazhdon.
(vazhdon)
(Autorja është studente e Programit të studimit Master në Psikologji klinike në Universitetin e Tetovës)
