
Pyetjes se a përbën çdo gjë lajm dhe a duhet të publikohet gjithçka, din t’i përgjigjet secili profesionist i fushës, qoftë gazetar apo titullar i një media, apo thënë më mirë, çdo punonjës mediatik i cili din se çfarë është misioni i medias, raportimi i mirëfilltë e profesional dhe që u qëndron besnik parimeve dhe etikës së gazetarisë gjatë punë së tij në këtë profesion.
Do të duhej që drejtuesit e këtyre mediave të vetëdijësohen që roli i medias në shoqëri nuk është që të ndihmojë në degradimin e saj, por të edukojë, të jetë promotore për një shoqëri të qytetëruar, të iniciojë që përmes programeve, artikujve apo kronikave të ndryshme të bëjë fushatë ndërgjegjësuese për gjithçka që është në dëm të shoqërisë dhe që e primitivizon atë
Misioni i medias është përtej të të informuarit të publikut për atë çfarë ngjan në një shoqëri. Në radhë të parë media duhet të ketë rol edukativ, të kultivojë tek masa vlerat më të mira dhe më të dobishme që e personifikojnë një komunitet.
Media duhet të bëjë revolucion kur diçka nuk shkon në shoqëri, kur njerëzit, shoqëria civile apo institucionet vendimmarrëse nuk veprojnë në favor të shoqërisë, në mënyrë që problemi i krijuar të zgjidhet. Por, për fat të keq nuk ndodh gjithmonë kështu, sepse jemi çdo ditë dëshmitarë kur media të ndryshme online, bëhen vetë iniciues, jo për të edukuar brezin e ri me informacione të dobishme, por duke transmetuar tek masa e gjerë lajme të cilat pa asnjë parim gazetaresk dhe etik, bëhen nxitëse të zemërimit, urrejtjes, fyerjeve, sharjeve e kërcënimeve.
Të tilla raportime kemi pasur rastin t’i ndjekim ditëve të fundit nëpër disa media online në Shqipëri, të cilat në vend që të dalin duke bërë thirrje për ndalim të fenomeneve negative që publikohen nëpër rrjetet sociale e që mediat i përcjellin më tej tek audienca, ato bëhen vetë protagoniste të nxitjes së gjuhës së urrejtjes, dhunës e të diskreditimit publik, duke publikuar çdo gjë që një x individ, apo disa të tillë shfaqin nëpër rrjetet e tyre sociale apo në youtube.
Këto media online, në vend që të japin kontributin e tyre në ndryshimin e dukurive negative që ngjajnë çdo ditë në shoqëri, ato veprojnë në të kundërt, duke i dhënë shtysë dhe jehonë mediatike edhe më të madhe këtyre lloj ngjarjeve.
Dhe pse ndodhë e gjithë kjo? Vetëm e vetëm për të marrë ca klikime më shumë, për të rritur numrin e ndjekësve apo lexuesve të medias së tyre, pa u shqetësuar shumë për pasojat që këto lloj raportimesh lënë dhe do të lënë më vonë në shoqëri, sidomos tek brezi i ri.
Media duhet të reagojë kur diçka nuk shkon në shoqëri, kur njerëzit, shoqëria civile apo institucionet vendimmarrëse nuk veprojnë në favor të shoqërisë, në mënyrë që problemi i krijuar të zgjidhet. Por për fat të keq nuk ndodh gjithmonë kështu, sepse jemi çdo ditë dëshmitarë kur media të ndryshme online, bëhen vetë iniciuese, jo për të edukuar brezin e ri me informacione të dobishme, por duke transmetuar tek masa e gjerë lajme të cilat pa asnjë parim gazetaresk dhe etik, bëhen nxitëse të zemërimit, urrejtjes, fyerjeve, sharjeve e kërcënimeve
Do të duhej që drejtuesit e këtyre mediave të vetëdijesohen që roli i medias në shoqëri nuk është që të ndihmojë në degradimin e saj, por të edukoj, të jetë promotorë për një shoqëri të qytetëruar, të iniciojë që përmes programeve, artikujve apo kronikave të ndryshme të bëjë fushatë ndërgjegjësuese për gjithçka që është në dëm të shoqërisë dhe që e primitivizon atë.
Kështu që, do të ishte shumë më jetike që këto media online, ku çdokush që posedon një celular të mençur në faqet e tyre mund të “kënaqet” duke dëgjuar ofendime, sharje, shantazhe dhe kërcënime, ta ndryshojnë këtë praktikë pune, që jo vetëm të mos u jap hapësirë publikimi, por të reagojnë, sepse askush nuk duhet t’i përdorë rrjetet sociale për të shprehur mllef, fyerje, sharje e kanosje kundrejt të tjerëve.
Media duhet të kontribuojnë në zbutjen e këtyre fenomeneve deri në çrrënjosje. Dhe kështu më pas, edhe audienca e gjerë do t’i admirojë këto media, influencën e tyre të fuqishëm që kanë në shoqëri, dhe për më tepër, përpjekjen e tyre për ndryshime pozitive në dobi të të gjithëve.
