Me shpresa të reja, në fillimin e ri

Pasojat e pandemisë Kovid-19 janë jashtëzakonisht të dukshme, në çdo sferë të jetës, e këto i vëren secili nga ne, kush më pak e kush më shumë. Një goditje të rëndë ka pësuar veçanërisht sfera ekonomike, që për pasojë ne, prej shumë kohësh detyrohemi të paguajmë të njëjtat produkte ushqimore dhe të tjerat, me çmime shumë më të larta, disa madje edhe me çmim të dyfishuar. Pra, një situatë që nuk është e lehtë të përballohet, as nga ata që ekonomikisht janë më të fuqishëm, e të mos flasim për personat që jetojnë me një rrogë të vogël, apo për të papunët

Toni Ujkaj

Kaluan plot dy javë qëkur përmbyllem një vit. Një vit jo të lehtë, por me plot sfida për shkak të një pandemisë me të cilën po vazhdojmë ende që të përballemi nga dita në ditë, edhe pse në kushte më të lehtësuara krahasuar me fundin e vitit 2019, kur u shfaq kjo pandemi që ishte e panjohur, dhe si e tillë gjunjëzoi edhe shtetet më të fuqishme të botës.
Për fatin e mirë, ekspertët global të mjekësisë punuan fuqishëm në hulumtimin dhe prodhimin e një arme mbrojtëse kundër këtij virusi vrastar, që ishte vaksina e cila, që nga shpikja e saj, po përdoret gjerësisht nëpër botë dhe po shpëton shumë jetë. Këtë vaksinë e mirëprisnim të gjithë, sepse ky armik i padukshëm shumë shpejtë u bë agresiv dhe i pamëshirshëm, i cili fatkeqësisht shkaktoi me miliona viktima në të gjithë globin.
Sot, gati dy vite nga rasti i parë i identifikimit me koronavirus në Mal të Zi, situata është më e volitshme në aspektin se disponojmë vaksinën, por jo edhe për nga numri i infektimeve në nivelin ditor. Për fat të keq, javët dhe ditët e fundit është shënuar numër rekord infektimesh në nivel ditor, me shifra shumë të larta, madje më të lartat që nga shfaqja e koronavirusit në vend. Gjithashtu, nga dita në ditë shënohen edhe viktima.
Nëse do të pyesnim për shkaktarët që po çojnë në rritjen e numrit të të prekurve me koronavirus, bazuar në pohimin e ekspertëve, do të mund të pëgjigjeshim, se edhe tek ne është i pranishëm lloji i ri i këtij virusi i quajtur Omikron, variant ky që sipas ekspertëve të mjekësisë infekton (përhapet) dukshëm më shpejtë sesa llojet e mëparshme të këtij virusi, që ishin Alfa dhe Delta.
Mirëpo, një shkaktar tjetër i përhapjes së hovshme të këtij virusi është padyshim, mosrespektimi i masava mbrojtëse nga qytetarët, në atë masë sa rekomandojnë autoritetet e shëndetësisë, dhe sigurisht edhe fakti se një numër i madh i qytetarëve akoma refuzojnë që të vaksinohen, që është masa e vetme dhe më e duhura për t’u mbrojtur nga ky virus, e rrjedhimisht, siç pohojnë ekspertët, edhe për të ulur numrin e infektimeve të reja dhe shtimin e numrit të viktimave.
Pra, jeta me koronavirus nuk ka qenë e lehtë dhe akoma vazhdon të mos jetë e lehtë, duke qenë se ne jemi ende të detyruar që të jetojmë me liri të kufizuara, ngado që shkojmë e çfarëdo që bëjmë në jetën e përditshme.
Pasojat e kësaj pandemie janë jashtëzakonisht të dukshme në çdo sferë të jetës, e këto i vëren secili nga ne, kush më pak e kush më shumë. Një goditje të rëndë ka pësuar veçanërisht sfera ekonomike, që për pasojë ne, prej shumë kohësh detyrohemi të paguajmë të njëjtat produkte ushqimore dhe të tjerat, me çmime shumë më të larta, disa madje edhe me çmim të dyfishuar. Pra, një situatë që nuk është e lehtë të përballohet, as nga ata që ekonomikisht janë më të fuqishëm, e të mos flasim për personat që jetojnë me një rrogë të vogël, apo për të papunët.
Në këtë aspekt, në ditët e fundit të vitit 2021, Qeveria e Malit të Zi, miratoi Ligjin për Buxhetin e vitit 2022, një ligj i cili është pjesë e një sërë ligjesh nga programi i qeverisë “Evropa tani”, program që parasheh se nga 1 janari 2022, të ketë rritje pagash, përkatësisht që paga minimale në Mal të Zi të bëhet 450 euro, nga 250 sa ishte deri më sot. Ky akt i qëlluar i pushtetarëve në sferën ekonomike dhe në përballjen pak më të lehtë të kësaj krize ekonomike në të cilën po jetojmë sot e disa muaj më parë, u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga opinioni publik. Për këtë ligj, votuan plot 77 deputetë.
Dhashtë Zoti që kjo nismë të jetë e qëndrueshme dhe afatgjate dhe që Viti i Ri 2022, të jetë një vit i rimëkëmbjes ekonomike dhe i mirëqënies sociale për të gjithë qytetarët, dhe që gjatë këtij viti të marrë fund edhe kjo murtajë e zezë e cila na solli stres, ters, mbrapshti dhe halle të paparashikueshme në çdo sferë të jetës.

Të fundit

më të lexuarat