
(vijon nga numri i kaluar)
Të marrësh njëanësinë dhe qëndrimin negativ ndaj mbulesës, vështruar në këndin religjioz, nuk do të thotë të jesh vetëm kundër islamit! Meqenëse modestia ka qenë normë morale dhe njerëzore e shoqërisë, gruaja ka qëndruar e mbuluar, pavarësisht kulturave dhe civilizimeve nëpër të cilat ka kaluar [Gafney:2008; Meyers:2005; Shama:2010]. Në traditat e hershme hebraike, për shembull, mbulesa e gruas ka qenë urdhër i pazëvendësueshëm religjioz, që paraqiste mënyrën më efikase të luftës kundër lakuriqësisë dhe tradhtisë bashkëshortore, kurse në anën tjetër bënte pasqyrimin e grave të devotshme e fisnike [Elior:2010]!
Profesori i Universitetit “Yeshiva”, rabini Menachem M. Brayer (1922-2007) në librin “Jewish Woman in Rabbinic Literature” [Gruaja jehude në librat e rabinëve (1985)], pasqyron rregullin e grave hebreje të cilat publikisht vendosnin mbulesë në kokë, ngandonjëherë duke mbuluar edhe fytyrën dhe duke lënë vetëm njërin sy të lirë! Me këtë rast, Brayer citon thënie të rabinëve të vjetër, të cilët nuk i shihnin të pëlqyeshme gratë hebreje që ecnin me kokë të zbuluar, ndërkohë që mallkonin meshkujt që lejonin gratë t’u duken flokët e tyre, pasi dukja e flokëve të tyre sillte varfëri [Barland:2008]! Gratë e zbuluara nuk mund të recitonin lutjet, ndërkohë që ligji i traditës e dënonte me “400 zuzimë” secilën grua që dukej e zbuluar në publik. Kjo ishte pamja e femrës hebreje deri në shek. XIX, kur jeta e tyre u përzie me kulturat laike [Brayer:1986].
Në traditën e hershme të krishterë, mbulesa e gruas kishte një rëndësi të veçantë, por njëkohësisht edhe një Urdhër Ungjillor [Cohick: 2009]. Vetë Pali, të cilin shumë studiues e konsiderojnë si ‘themelues të krishterimit’ [Grant:1982], në letrën drejtuar korintasve [II/5-6, 13] shkruante: “Po ndodhi që ndonjë grua nuk do të mbulojë kokën, le të qethet e le të përjashtohet…”! Në këtë vështrim, mbulesa e gruas paraqiste shenjën e autoritetit të burrit, i cili ishte imazhi dhe lavdia e Zotit mbi gruan që qe krijuar prej dhe për mashkullin. Për këtë edhe Shën Tertuliani, në librin e tij të famshëm “Për të mbuluarit e virgjëreshave”, shkruante: “Vini mbulesat kur dilni jashtë në rrugë… kur jeni në kishë… në mes të të huajve… edhe kur jeni mes vëllezërve…” Këtë urdhër e zbatojnë edhe sot gratë e amishëve dhe menonitëve [Johnson – Weiner:2006]. Sinonimi i gruas së devotshme të krishterë është nëna e Jezusit – Marija (Mejremja), e cila natyrisht ishte e mbuluar, gjë të cilën të krishterët nuk e mohojnë, por mburren. Edhe në këtë kontekst mund të merren për këshillë citatet ungjillore: “Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!”
Nga këndvështrimi islam, mbulesa nuk është ”simbol”, sepse simboli është shprehje e përqendruar e një ideologjie apo etnie (sikurse flamuri) që e ka të përcaktuar ngjyrën, formën dhe përmasat. Nuk është uniformë, sepse uniforma është kod veshjeje për të gjithë njëlloj, me formë, stil e ngjyrë të njëjtë. Nuk është as shprehje e përqendruar e islamit, sepse është thjesht një element i tij. Ajo ka një rol shumë më të rëndësishëm qendror në sistemin e vlerave islame të etikës dhe edukimit, në avancimin e karrierën e ngritjes së nivelit të lartë arsimor-universitar dhe në kontributin e zhvillimit shoqëror. Në islam, pozita e femrës është e veçantë, e mbrojtur me postulatat kuranore, ndërkohë që rregullat e veshjes janë përcaktuar për të dy gjinitë. Mbulesa e grave në islam konsiderohet detyrim për mbrojtjen e nderit dhe pozitës dhe zhdukjes së dukurive negative [Shafi:2010]. Mbulesa, pra, nuk është kufizim i të drejtave të saj, por mbrojtje nga poshtërimi dhe nënçmimi që mund t’i bëhet, mënyra më e sigurt për ndërprerjen e të gjitha formave të lakuriqësisë, por edhe mbrojtje e vetë mashkullit për të mos rënë në të ndaluarat [Kurani, 24:30-31]. Thënë ndryshe, vajza me mbulesë është “mollë e ndaluar” për të degjeneruarit.
Kot lodhen që në islam të gjejnë gjurmë të urrejtjes ndaj femrave. Burri këtu e gjen qëllimin e tij vetëm te gruaja dhe e lartëson veten vetëm përmes saj. Për njeriun e martuar profeti ka thënë se e ka ruajtur gjysmën e besimit. Martesa është akt i cili i jep formë konkrete rregullimit të ekzistencës, ndërsa seksualiteti i jep domethënie të re [Aouaiaia:2007]. Vetë intimiteti (në martesë) paraqet obligim hyjnor [Bouhdiba:2001], ndërkohë që obligimi i mbulesës për gruan është të mbrojë nderin dhe dëlirësinë jo vetëm të saj, por edhe të burrave të cilët ua lëshojnë sytë grave! Identiteti që i sjell mbulesa një gruaje myslimane është identitet moral, përderisa heqja e mbulesës e krahason atë me të pamoralshmet! Në këndvështrimin bektashian, qëllimi i mbulesës myslimane është nderi dhe jo cipa materiale, mjaft që gruaja të jetë e ndershme dhe s’ka nevojë të mbulojë bukuritë e saj që ia ka dhënë Zoti [Frashëri:2000].
Mbulesa e femrave shqiptare, qofshin ato myslimane, qofshin të krishtera, nuk ka qenë as e huaj, as e re dhe as e pazakontë, por pjesë e identitetit, e kulturës dhe e traditës së tyre. Në rajone të ndryshme ato mbanin shami të ndryshme, pavarësisht nëse kishin qëllime fetare apo jo. Ne kemi mjaft të dhëna nga udhëpërshkruesit e hershëm. Në vitin 1851, për shembull, poeti Eduard Lear në kujtimet e tij për Shqiperinë thotë : “Të gjitha gratë në Berat ishin të mbuluara” [Lear:1851]. Ndërsa në gazetën e shkrimtarit anglez Çarles Dikens, udhëpërshkruesja Kashel Hoj tregon se si “një udhëtar i vjetër dhe i rryer e di mjaft mirë se (në Shqipëri) gratë janë të mbuluara”. Këtë e kishte vërejtur edhe Henri Fanshav Tozer kur kishte vizituar qytetin e Beratit më 1868, ku gratë e krishtera kishin adoptuar veshjet e grave myslimane: “U befasova nga pamja e një gruaje, hipur mbi një kalë të zi, hedhur mbi flokë një vello të ngushtë dhe mbi supe një mantel të zi, veshje kjo karakteristike e grave myslimane në këto treva. Më kishin thënë edhe më parë që këtej edhe gratë e krishtera visheshin si ato myslimane…” [Tozer:1869]
Në periudhën e Rilindjes Kombëtare, konsulli i Austrisë në Shkodër – Ipen, përshkruante femrat e Anës së Malit (Ulqin): “Të mbështjella me shami të bardhë saqë vetëm sytë i kanë jashtë. Përveç kësaj, i gjithë shtati u është i mbuluar edhe me një çarçaf të bardhë, të madh” [Degrant:1901; Pallegrini:1906]. Në një enciklopedi katolike të vitit 1913 thuhej se: “Gratë muhamedane dhe ato të krishtera të Shkodrës dalin vetëm të mbuluara” [Herbermann & Aloysius:1913].
Prania e shamisë e madje edhe e ferexhesë, nuk mungon as në fotot e Marubit që portretizojnë gruan shqiptare, qoftë ajo myslimane apo e krishterë. Veshja e gruas shqiptare shihet edhe te pikturat e shumta, si në ato të Ezhen Delakrua e shumë kartolina e fotografi të tjera të bëra në Shqipëri e në Kosovë gjatë shekujve XIX-XX.
Shamia në kokën e gruas shqiptare imponon respekt në shumë piktura të realizuara nga autorët shqiptarë (si p.sh. Kolë Idromeno etj.) gjatë epokës së realizmit socialist, te të cilët janë pikturuar femrat shqiptare me shami, duke vënë në spikamë gjithashtu se shamia e gruas shqiptare nuk është vetëm traditë e myslimaneve, por edhe e katolikeve dhe e ortodokseve. Nga ana tjetër, në muret e Ministrisë së Kulturës, Rinisë, dhe Sporteve në Tiranë, si dëshmi ndaj shenjtërisë që mbart shamia në vete, qëndrojnë të ekspozuara disa foto të hershme të femrave shqiptare (me shami dhe ferexhe), përkrah fotove të pazarit dhe çarshisë së Shkodrës. Kështu, pavarësisht se tradita e “shamisë shqiptare” të të tri përkatësive fetare semite vijnë nga Lindja (sikurse qeleshja me xhamadanin) dhe ato tashmë janë bërë pjesë e kulturës së shqiptarëve. (vijon)
