Uran Butka
(vazhdon nga numri i kaluar)
Edhe përpilimi i procesverbaleve edhe firmosja e tyre pas pushkatimit të 22 viktimave, ishte bërë me urdhër të udhëheqjes shtetërore dhe përbënte një sekret shtetëror. Vetëm më vonë u zbulua e vërteta. Sekretari i Gjykatës së Lartë, Hydai Bejo, dëshmon: “Nuk e firmosa kur ma sollën vendimin, sepse nuk mora vesh u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë pa qenë në gjykim. Po ashtu, refuzoi të firmoste edhe Nonda Papuli. S’kishim si të bënim ndryshe”.
Por nuk mungojnë vetëm firmat e anëtarëve të trupit gjykues, mungojnë edhe të dhënat e tjera që shënohen zakonisht në procesverbalet, gjithashtu datat janë ngatërruar, pra, gjithçka është kundërthënëse, hartuar në nxitim e sipër. Njëri procesverbal i falsifikuar mban datën 27.2.1951, kur të akuzuarit nuk ekzistonin më, ata ishin vrarë në mesnatën e datës 26.2.1951 dhe ishin varrosur. Madje, njëri prej tyre, Jonuz Kaceli, ishte vrarë nga torturat në birucat e Sigurimit të Shtetit dhe e kishin hedhur nga dritarja, duke thënë se kishte bërë vetëvrasje.
Të gjitha këto manovrime e shkelje juridike nuk e mbuluan dhe nuk e fshehën dot masakrën e kryer pa gjyq dhe pa asnjë fajësi të provuar. Atëherë mafia politike dhe juridike, mbështetur edhe në përvojën sovjetike të dhunës e terrorit shtetëror stalinist, hartoi një dekret që përligjte dhe justifikonte këtë praktikë kriminale dhe antiligjore. Ishte një dekret – i formuluar nga Ministria e Brendshme dhe i firmosur nga presidenti i Republikës, Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli.
Ky dekret i datës 26 shkurt 1951 u hartua për të justifikuar vrasjet e paligjshme të 22 viktimave. I paprecedent në legjislacionin shqiptar dhe të huaj, që siguronte e përligjte arrestimet, vrasjet dhe burgimet masive nga ana e organeve të diktaturës, që shmangte etapat e procedurës penale e civile, përbënte një mohim të plotë të principeve të drejtësisë, një shkelje të përbindshme të të drejtave dhe lirive të njeriut, një përdhosje të kushtetutës e të ligjeve të asaj kohe si edhe kartën e OKB-së të firmosur nga qeveria shqiptare.
Mbi bazën e këtij dekreti, u hartua edhe një procesverbal tjetër i falsifikuar, që mban datën 27.2.1951, pa numër vendimi e pa numër protokolli, nuk ka as firmat e trupit gjykues në fund të procesverbalit.
Ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, deklaroi në atë kohë me mburrje: “Dekreti i Kuvendit Popullor i datës 26 shkurt 1951 është një armë shumë e fortë në duart e pushtetit tonë për të goditur pa mëshirë armiqtë e brendshëm”.
Pra, ky dekret i zi u përdor jo vetëm për masakrën e 26 shkurtit 1951, por edhe për të justifikuar të gjitha krimet e masakrat e paligjshme të pushtetit komunist në vitet e mëtejme “për të goditur pa mëshirë armiqtë e brendshëm”.
Viktimat e pafajshme u pushkatuan natën e 26-27 shkurtit në breg të Lumit Erzen, pranë fshatit Mënik dhe u hodhën në një gropë të madhe të përbashkët 4.30x3x1.50 m, të lidhur me njëri-tjetrin me tela me gjemba. Në mesnatë fshatarët e Mënikut dëgjuan krisma të pandërprera pushkësh, ndërsa në të gdhirë panë një skenë të llahtarshme: diku dilte një dorë, diku një këmbë, diku flokë të përgjakur. Xha Kadri Hysa, që e kishte shtëpinë në kodër, fare pranë vendngjarjes, shkoi në të gdhirë atje dhe pa kufomat e përgjakura të mbuluara shkel e shko me dhe’ edhe shkurre dhe i mbuloi që të mos i hanin qentë.
Fakti që viktimat ishin të pafajshme, u vërtetua edhe ligjërisht muaj më vonë, kur u dënuan ata që kishin hedhur në të vërtetë dinamitin në oborrin e Ambasadës Sovjetike.
Dinamitin apo “bombën” e hodhën në oborrin e pasmë të Ambasadës Sovjetike Hysen Llulla dhe Qazim Laçi, anëtarë të Organizatës së fshehtë “Bashkimi Kombëtar”, si një akt antisovjetik.
Anëtarët e kësaj organizate u ndaluan po ata ditë që u arrestuan 22 intelektualët e pushkatuar më 26 shkurt, por u izoluan dhe u dënuan më 9.10.1951 pas tetë muajsh hetimesh e torturash, të akuzuar për hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike. Pesë prej tyre u dënuan me pushkatim: Sejfulla Shima, Qazim Laçi, Rustem Thaçi, Ali Vogli, Zenel Rika, dhe Hysen Llulla, i vrarë më parë nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Shtatë të tjerët me burgime të rënda. Po a u shfajësuan ata intelektualë të shquar që u vranë pa faj dhe pa gjyq? Jo.
Viti 1951 mund të quhet viti i bombës mbi intelektualët opozitarë, kundërshtarë të regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Bomba ra edhe mbi rrethin familjar dhe familjet e tyre që i internuan dhe i persekutuan për 50 vjet nëpër kampet e internimit e të përqendrimit. Në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH-së të 20 shkurtit 1951, ministri i Brendshëm, M. Shehu, propozoi: “Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji” (Të gjithë anëtarët e Byrosë: Jemi dakord me këto masa!). Kemi të bëjmë me një gjenocid për motive politike në përmasa të mëdha mbi qindra njerëz dhe familje të pafajshme. I ngarkuan dhunshëm nëpër kamionë të mbyllur dhe i degdisën nga Tirana familjet Kaceli, Shehu, Peshkëpia, Herri, Lezo, Kasoruho, Jegeni, Delhysa, Konomi, Temali, Shkupi, Nova dhe mjaft familje të tjera qytetare. Kalvari i vuajtjeve të tyre është i papërfytyrueshëm dhe i pafund. Mjafton të përmendim vendimin e Kryeministrisë datë 2.3.1951 për internimin nëpër kampe, pune skllavëruese në kampet e Tepelenës, Lushnjës, Vlorës, Beratit, Skraparit, Kavajës etj. “T’u gjendet ndonjë punë sa për të siguruar bukën e gojës”.
Në kampe pune dhe përqendrimi, ata provuan poshtërimin, punët më të rënda sa për të nxjerrë bukën e gojës, gjallimin nëpër baranga dërrase disa familje bashkë në një kthinë, zakonisht nëpër depo e magazina, izolimin e plotë të tyre, moslejimin e shkollimit të fëmijëve, të lëvizjes së lirë, punët më të vështira dhe dënimet më të rënda për një gjest apo fjalë goje. Përveç këtyre, viktimave dhe familjeve të tyre, iu sekuestruan shtëpitë, pronat, pasuritë e luajtshme, madje edhe librat. Zonja e Tofik Shehut nga Gjakova, që kishte kryer studimet për skulpturë dhe ishte shtatzënë, nuk e lejuan të lindte në maternitet, po lindi në shkallët e maternitetit të Vlorës, Hysenin, një viktimë e gjallë e atij sistemi kriminal. Sabiha Kasimatit, përveçse i morën jetën në lulen e rinisë, i sekuestruan edhe librin në dorëshkrim “Peshqit në Shqipëri” dhe e botuan me emrin e një rusi, Anatoli Koljakov dhe të një shqiptari të paemër, Ndoc Rakaj… Ndërsa bibliotekat e pasura të të gjithë këtyre intelektualëve i morën pushtetmbajtësit duke filluar nga prokurori Siri Çarçani, që mori gjithë bibliotekën e pasur të Manush Peshkopisë.
