Masakrimi i intelektualëve shqiptarë

Masakra e natës së 26 shkurtit 1951 është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit e njëherësh më kundërligjore dhe më me paprecedentë në historinë e legjislacionit shqiptar e të huaj. Vendimi për të realizuar këtë masakër u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike të PPSH-së, saktësisht në mbledhjen e datës 20.2.1951, me pretekstin e hedhjes të një sasie të vogël dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, që theu vetëm disa xhama në mbrëmjen e datës 19.2.1951, ora 19:15. Pikërisht në ditën kur zhvillohej plenumi i KQ të PPSH-së, që i kushtohej forcimit të miqësisë me Rusinë sovjetike dhe Stalinin e Madh, pra, vijës staliniste të PPSH-së. “Politika staliniste do të jetë fari që do të ndriçojë rrugën tonë”, deklaroi Enver Hoxha

Uran Butka

Shqipëria komuniste ishte në një kapërcyell kohësh, po kalonte nga dominanca jugosllave në atë sovjetike, ndaj duheshin kurbanë të tjerë shqiptarë për të mbajtur pushtetin si edhe kurbanë të rinj në themelet e dashurisë dhe besnikërisë me BS dhe në vijën staliniste të PPSH. “Duhen vrarë njerëz të tjerë për të mbajtur pushtetin”, thoshte Mehmet Shehu.
Urgjentisht u mblodh kupola e partisë-shtet dhe me propozim të ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, u vendos të merreshin masa të jashtëzakonshme represive “pa marrë parasysh ligjet në fuqi” (Të gjithë anëtarët e Byrosë, përfshirë edhe E. Hoxhën: Jemi dakord me këto masa).
Shfaqet lakuriq një pushtet kriminal terrorist, që nuk respektonte as kushtetutën dhe legjislacionin që kishte hartuar e miratuar vetë. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë. “Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, dmth kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Listat i kemi gati. Po të jeni dakord ju, veprojmë që sonte”. Ai kërkoi që të arrestoheshin menjëherë 100 ose 150 vetë, nga të cilët 10 ose 15 më të rëndësishmit të pushkatoheshin pa gjyq.
Pra, ishte vetë Partia, vetë pushteti politik, me Enver Hoxhën në krye që shkelnin ligjet dhe urdhëronin një krim shtetëror, një terrorizëm shtetëror, një gjenocid shtetëror me përmasa të mëdha për motive politike e pushtetore. Në vendimin e Byrosë Politike, përveç pushkatimeve e burgimeve pa gjyq, u vendos që të bëhej një operacion masiv spastrimi, të persekutoheshin e të internoheshin persona e familje “reaksionare” në tërë hapësirën shqiptare.
Arrestimet që u bënë menjëherë sipas vendimit të Byrosë Politike më datën 20-23 shkurt 1951 ishin të paligjshme, sepse u kryen pa ndonjë urdhër-arresti të prokurorit dhe pa ndonjë vendim gjykate.(Vetëm më vonë u plotësuan urdhër-rreshtimet dhe procesverbalet e “gjykimit”).
Arrestimet e intelektualëve properëndimorë u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.
Lista e parë, e përgatitur nga sektori i parë i Drejtorisë së Sigurimit, me kryetar Pilo Shanton, mban titullin tronditës: Personat e arrestuar që propozohen për t’u ….(pika…pika). Mbi pikat titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur etj.
Nga kjo listë e gjatë, krerët e Ministrisë së Brendshme zgjodhën dhe kryqëzuan emrat e Tefik Shehut, Hekuran Trokës, Lluka Rashkoviç, Haki Kodrës, Thoma Katundit, Mehmet Ali Shkupit, Gjon Temalit, Fadil Dizdarit dhe Pandeli Novës.
Lista e dytë, e përgatitur në sektorin e dytë të Sigurimit nga drejtori, kapiteni i parë Rasim Dedja, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq përbri emrit: Ali Qoraliu, Zyhdi Herri, Gafurr Jegeni, Petro Konomi, Jonuz Kaceli dhe Sabiha Kasimati, intelektualja dhe demokratja e shquar, shkencëtarja e parë shqiptare.
Lista e tretë, e parapërgatitur në sektorin III të Sigurimit nga major Edip Çuçi, ka titullin vrasës: Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje.
Kryetari i Sektorit III të Sigurimit mund të arrestonte dhe t’i propozonte prokurorisë e gjykatës t’i gjykonte e dënonte sipas fajeve që duhet të provoheshin, por jo ta vendoste vetë dënimin me vdekje. Sigurimi i Shtetit ishte vendosur mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhrat e vendimet e Ministrisë së Brendshme. Një shtet policor, më kriminali në gjithë vendet komuniste të Lindjes.
Nga lista e tretë, e hartuar më 22.2. 1951, u përzgjodhën për t’u pushkatuar: Pjerin Guraziu, Qemal Kasaruho, Anton Delhysa, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia.
Emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Qemal Kasoruhos dhe Manush Peshkëpisë u shënjuan nga vetë Enver Hoxha, që i njihte dhe e njihnin personalisht, se ishin nga treva e Gjirokastrës, kështu lante hesapet me ta.
Është për t’u theksuar se përzgjedhjet u bënë nga gjithë trevat shqiptare: intelektualë e qytetarë nga Prizreni, Gjakova, Shkupi, Shkodra, Dibra, Tirana e deri në Delvinë, Gjirokastër e Korçë, në mënyrë që terrori të godiste e të nënshtronte gjithë Shqipërinë.
Akuza e Prokurorit ushtarak Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban absurditete: “Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propoganduar rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano – anglezë e satelitëve të tyre”. Është një akuzë kolektive për terrorizëm e pambështetur në asnjë provë.
Të akuzuarit, nuk kishin asnjë lidhje apo bashkëpunim me njëri-tjetrin; nuk ishin pjesëtarë të ndonjë organizate politike apo terroriste të cilësuar, asnjërit nuk i përmendet në akuzë pjesëmarrja në hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike – për shkak të së cilës ata u arrestuan! Siç dihet botërisht, ata persona që hodhën dinamitin, si Qazim Laçi, Hysen Lulla etj., anëtarë të Organizatës “Bashkimi Kombëtar” u arrestuan po ato ditë, u mbajtën fshehtas në hetuesi për tetë muaj dhe u dënuan për hedhjen e dinamitit në Ambasadën Sovjetike me vdekje dhe burgime të rënda. Pra, ishin të tjerë ata që e hodhën dinamitin si një akt antisovjetik, antistalinist.
Siri Çarçani dëshmon: “Unë kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimi të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë procesverbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore. Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo nuk e di. Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve”. Sipas aktakuzës së datës 25.2.1951 të prokurorit të përgjithshëm, të gjithë të arrestuarit “janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë Ushtarake “për faje kundër popullit e shtetit.” Siç rezulton nga aktet e dosjes hetimore, asnjërit të të pandehurve nuk u është komunikuar ndonjë akuzë; nuk është bërë ndonjë proces hetimor ndaj tyre, nuk ka një dosje hetimore, përveç një hetimi të pjesshëm të Gjon Temalit; nuk janë thirrur dëshmitarë; nuk është bërë asnjë gjykim; nuk është bërë apelim, etj. Pra të gjitha veprimet e procedurës penale janë të kundërligjshme dhe kjo është katërcipërisht e provuar.
Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Rasim Dedja, dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, sepse nga zyrat e Ministrisë së Brendshme ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit”.
Me qenë se ekzekutimi pa gjyq bëri bujë brenda dhe jashtë Shqipërisë, atëherë Gjykata e Lartë Ushtarake në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, pasi ishin pushkatuar 22 të arrestuarit, nisën procedurat e përpilimit të procesverbaleve të rreme, fiktive sikur gjyqi ishte zhvilluar. Ekzistojnë dy procesverbale gjyqësore të falsifikuara të Gjykatës së Lartë. Njëri mban datën 26.2.1951:
“Gjykata Ushtarake me kryetar nënkolonel Shuaip Panariti, anëtar kapiteni i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e sekretar Hidaji Bejo e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.2.1951 dhe është shprehur për dënimin e të gjithë të akuzuarve me vdekje – me pushkatim, duke u bazuar në ligjin 372 datë 12.2.1946. Ky vendim gjykate është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë”. Në fund ka firmosur kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti, dhe anëtari Vangjel Kocani; nuk është firmosur nga anëtari tjetër Nonda Papuli dhe sekretari Hidaji Bejo.
Anëtari i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe nënkryetar i saj, Vangjel Kocani, dëshmon:
“E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike… Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, Sigurimi ka arrestuar dhe një pjesë nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq, prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal, pasi gjyq nuk mund të bëjmë se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat… Shuaipi më tha se vendimi i Gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit dhe në atë kohë kryeministër ishte Enver Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe ne në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv “duhet të mbyllësh gojën e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”. Pas kësaj kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme. Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur, Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore, nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.

Të fundit

më të lexuarat